Brikenda Rexhepi, kryeredaktore në Grupin KOHA, tha se beson që asnjë media nuk ka staf për kontrollimin e komenteve.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Rexhepi tha se nuk ka media sot në Kosovë që i kanë këto resurse, sepse mediat në Kosovë janë duke u përballur me një problem të madh, atë financiar.
“Ju Betimi për Drejtësi jeni dorëzuar (për mbyllje të mundësisë së komentimit në rrjete sociale) për shkak se ju nuk vareni, do të thotë, nga të hyrat dhe rrjetet. Për shembull, ka shumë media që kanë të ardhura të konsiderueshme nga Facebook-u, dhe kur vjen dikush për të reklamuar, kërkon sa këqyresh edhe kjo puna e bllokimit mund të shihet ndryshe”, tha Rexhepi.
Sipas saj, ka media që nxisin qëllimisht komentimin, për të pasur shikueshmëri më të madhe. Për komentet, ajo tha se duhet të jetë një zgjidhje inventive- kombinim i disa mënyrave për t’i eleminuar ato komente.
Rexhepi tha se ka lexuar raportin e IKD-së “Përgjegjësia e mediave ndaj komenteve të paligjshme” dhe lidhur me fyerjet/shkeljet që identifikohen lehtë, tha se nuk konsideron që mediumi duhet të mbahet përgjegjës nëse dikush e nxjerr një informatë që nuk është e vërtetë.
“Mediumi mund të mbahet përgjegjës për fyerje, ofendime, bullizime dhe çdo gjë tjetër, por përgjegjësinë për pjesën tjetër e mban ai që e ka postuar dhe atë mundet me ndjek lirisht dikush në gjyq pse e ka postuar një të pavërtetë, mirëpo me nis subjektet dhe mediat për të bërë fact-checking për secilin koment është…” shtoi Rexhepi.
Se mediat nuk kanë resurse për të kontrolluar komentet, e theksoi edhe kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu. /BetimipërDrejtësi
