Qytetari Fidan Tahiri, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se tha se nuk e ndien dorën e shtetit pavarësisht se gjendet në situatë kur nuk gjen ilaçin që i nevojitet prindit që vuan nga një sëmundje e rëndë.
“Në rrethanat e mia, kur kam të sëmurë në shtëpi, kur baba jem nuk e di a mundem e kry emisionin a jo, a po jep shpirt a jo, unë krejt i bëj për babën, ku është shteti këtu, unë s’po e ndij dorën e shtetit. Këta zotëritë i kanë problemet e veta, por qytetarët janë duke i vuajtur”, tha Tahiri.
Ai shtoi se terapinë e babait po e blen me para për 10 terapi, e që dikush mund të mos i ketë mundësitë.
Problem tjetër, thotë që është edhe fakti që edhe pse e dërgon babanë për terapi, nuk e di nëse do arrijë ta marrë, për shkak se varet nëse i është siguruar ilaçi.
“Kur ka qenë në shtator-tetor më është shtyrë terapia e babës sepse nuk ka ardhë komisioni i Ministrisë të hanën për me i nënshkru ilaçet. Nuk më intereson se çka keni ju në mes vete, mu më intereson ku jam unë. Unë e kam prind dhe kam me dhënë maksimumin për babën, por lehtësoma, mos më qit barriera”, ka thënë Tahiri.
I gjithë ky debat, qytetari tha se nuk do të ishte i nevojshëm sikur Ministria e Shëndetësisë e përgjegjësit tjerë, t’ua heqnin licencat barantoreve që nuk japin NaCl.
Tahiri tha se dera e parë e qytetarit është barnatorja dhe jo distributori dhe se nuk shkojnë në depo as në QKUK të kërkojnë barna, por në barnatore.
Sipas tij, nëse ky sabotim është i orkestruar, atëherë shteti duhet të ketë planin A dhe B.
“Plani A do të ishte hyrja në fuqi e ligjit, blerja e barnave më lirë dhe s’do të kishte asgjë të keqe këtu, ndërsa plani B, duke njohur mentalitetin e shqiptarit që din me sabotu, cili është plani i Ministrisë me na nxjerrë neve nga kjo krizë”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, Dardane Mehaj- drejtoreshë e Barantores Qendrore në QKUK, tha se është e vërtetë që kanë probleme me produktin NaCL, pasi që operatori ekonomik nuk i ka furnizuar për katërmujorin e vitit të kaluar dhe tremujorin e parë për vitin 2025 dhe pacientat janë ballafaqur me këtë mungesë.
Sipas saj, operatori në momentin e fundit i njoftoi që për shkak të prodhimit nuk mund t’i furnizojë.
Kurse, nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha tha se këtë e kanë paralajmëruar, duke kërkuar të merret një vendim i mirë.
“Farmacistët janë duke kërkuar që vetëm qato paragrafe të plotësohen/ndryshohen dhe të vazhdohet respektimi i ligjit, por jo i vendimit. Vendimi duhet të ndryshohet në pika të caktuara- në paragrafe. Këtë e kemi kërkuar dhe kërkojmë që të merret parasysh, të bëhet një shtyrje për shkarkimin e stokut dhe të jenë çmimet e njëjta në përputhje me metodologjinë e përcaktimit të çmimeve”, tha Haxhijaha.
Ndërsa, Milaim Abdullahu- drejtor i kompanisë distributore “Santefarm”, tha se Ministria e Shëndetësisë i ndan 70 milionë euro buxhet për të gjitha barnat.
“90% e lëndës së parë dhe 90% e prodhimeve farmacetutike vijnë nga Kina e India, ku edhe fabrikat e mëdha i kanë të kontraktuara atje që të prodhohen barnat dhe vjen me licencë e që nuk ka kuptim të kontestohet kualiteti i tyre”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Haxhijaha: Pse ka gjuhë të përbashkët distributori me Ministrinë e Shëndetësisë?
Astrit Haxhijaha, nënkryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, duke diskutuar në “Tempus” me Milaim Abdullahun, drejtor i kompanisë distributore “Santefarm”, tha se distributori me Ministrinë e Shëndetësisë kanë gjuhë të përbashkët sepse vetëm në gjashtëmujorin e fundit të vitit 2024, kompania e tij është shpërblyer nga MSH-ja dhe SHSKUK-ja me tender në vlerë prej mbi 5 milionë euro.
“Pse kanë gjuhë të përbashkët distributori- kompania më e fuqishme me Ministrinë e Shëndetësisë. Të përbashkët sepse vetëm në gjashtëmujorin e fundit të vitit 2024 kompania të cilën e përfaqëson zotnia (Abdullahu) është shpërblyer prej Ministrisë së Shëndetësisë edhe prej SHSKUK-së në vlerë prej 5 milionë e 355 mijë e 106 euro”, tha ai.
Për këtë, ai thotë se nga distributori përkrahet vendimi që sipas tij është i jashtëligjshëm.
“Duhet të bëhemi gjithë së bashku për ta bërë një vendim i cili është në të mirë të farmacistit e të pacientit e jo të kompanive farmaceutike, ne jemi kundër”, tha Haxhijaha.
Ai ritheksoi se pajtohen me Ligjin për çmimin e produkteve medicinale, por jo me paragrafët e vendimit. Por, shtoi se të quhen farmacistët “oligarkë” është shumë e rëndë.
“I njëjti del edhe me deklaratë publike të pamatur duke i konsideruar kolegët tanë oligarkë farmaceutik, është shumë e rëndë. Paramendoje, si kryetar i shoqatës, i cili e ka udhëhequr për një periudhë një institucion, me dalë institiucioni ose me pru veten institucioni me reagu për kërkimfalje publike, kjo mund të bëhet vetëm prej personave…”, tha ai.
Haxhijaha e pyeti Abdullahun se pse duhet të dalë kundër të gjithë komunitetit, edhe pse më përpara është parë kontributi i tij në sektorin farmaceutik.
Kurse, Abdullahu tha se Ligjin e ka kundërshtuar sa nuk ka qenë në fuqi ende, mirëpo pas hyrjes në fuqi ligji duhet të respektohet.
“Jemi tu e respektu ligjin. Ai ligj as nuk është Bibël as Kuran. Ia lëmë 6 muaj ditë ose 12 muaj ditë, i gjejmë defektet edhe ndoshta na jepet mundësia prej një qeverie të ardhshme dhe mundemi me i dhanë komente, unë apet kam me dhanë komentet e mia”, tha Abdullahu.
Lidhur me tenderin që e përmendi Haxhijaha, Abdullahu tha se nuk ka statistika me vete, mirëpo derisa i përfaqëson 25 fabrika farmaceutike, i duket se “pak paska nënshkruar tenderë” në Ministri. /BetimipërDrejtësi
Mehaj: Distributorët që s’i deklaruan çmimet s’mund ta shesin produktin, kishte mosbesim në jetësimin e Ligjit
Dardane Mehaj, drejtoreshë e barnatores qendrore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke folur për mungesën e barnave, tha se ka pasur mosbesim që do të jetësohet Ligji për çmimin e produkteve medicinale.
E ftuar në emisionin “Tempus” ajo tha se Ligji për çmimin e produkteve medicinale i ka gjetur të papërgatitur distributorët, mirëpo ata është dashur që para datës 1 shkurt t’i deklarojnë çmimet e barnave.
“Ndoshta ka qenë edhe ajo mosbesimi, sepse që 20 vite duke u folë për këtë ligj, por që nuk ka ardhë në fuqi, atëherë ndoshta kërkush nuk e ka besu që kjo ka me u jetësu dhe në momentin kur më 1 shkurt i ka gjet pak a shumë të befasum edhe akterët, një pjesë të caktuar të akterëve, e kanë pësu më së keqi barnatoret në këtë rast edhe qytetarët. Sepse edhe në momentin kur ti si distributor nuk i ke deklaru çmimet, nuk ke pas të drejtë më 1 shkurt me i shit produktet, sepse nuk i ke pas çmimet e deklaruara dhe ka ardhur deri te ky problem”, tha Mehaj.
Ajo shtoi se Ministria e Shëndetësisë e ka lënë të hapur afatin për deklarimin e çmimeve, duke i dhënë distributorëve mundësinë për t’i deklaruar çmimet në mënyrë që t’i shesin produketet e tyre. /BetimipërDrejtësi
Nënkryetari i Odës së Farmacistëve: Kërkojmë që çmimet të jenë të njëjta me shtetet referente

Astrit Haxhijaha, nënkryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, tha se nuk kërkojnë që çmimet në barnatore të jenë më të ulëta apo më të larta se shtetet referente, por të jenë të njëjta me ato.
Ai tha në “Tempus” se janë kundër çmimeve të larta dhe se unifikimi i çmimeve duhet të bëhet i patjetërsueshëm.
“Çmimi i cili është në Maqedoni 2 euro, në Shqipëri 2 euro dhe në Kosovë 4 ose 5 euro, është keqpërdorim. Ne kërkojmë që çmimet të jenë të njëjta sikur në shtetet referente”, tha Haxhijaha.
Gjithashtu, ai tha se çmimet nuk janë në përputhje me çmimet e shteteve referente. Sipas tij, për t’u bërë i zbatueshëm vendimi, duhet të respektohet procedura standarde e operimit, e cila është derivat i ligjit.
“Vendimi është jashtëligjshëm. Nëse një produkt është i barabartë me shtetet referente, atëherë në mënyrë direkte ka me ndiku pjesa minimale e tregut ilegal. Nuk do të kemi më treg ilegal”, tha ai.
Sipas tij, përcaktohen shtetet referente, kurse filteri tjetër e përcakon çmimin e importit.
“Shtetet referente përcaktohen, duke filluar nga Shqipëria, Mali i Zi e Kroacia, nëse njëri nga produktetet nuk është në këto shtete atëherë është vendi i origjinës”, tha Haxhijaha.
Në anën tjetër, Milaim Abdullahu, drejtor i kompanisë distributore “Santefarm”, tha se janë një grusht njerëz që kanë tentuar të rrëzojnë këtë ligj. Tha se derisa të hyjë në fuqi ligji, kanë të drejtën që ta kundërshtojnë ligjin, teksa shtoi se po manipulohen distriubutorët që të mos regjistrojnë barnat.
Sipas Abdullahut, edhe 25 vite pas lufte, asnjëherë nuk kemi pas furnizim të plotë dhe se kjo është normale në gjithë botën.
“Askund në botë nuk ka furnizme knap, krejt bota është në mungesë të produkteve, kurrë në jetë asnjë shtet nuk ka me i pas produktet knap”, tha Abdullahu.
Ndërsa, Dardane Mehaj-drejtoreshë e Barnatores Qendrore në QKUK, tha se si profesionistë shëndetësorë, problemin kryesor e kanë pasur me emrat tregtarë të produkteve të cilit përshkruhen nga mjekët. Ajo tha se çdoherë ka pasur dhe vazhdon të ketë zëvendësime të barnave e poashtu ka mungesë të barnave, por sipas saj, kjo ka ndodhur duke menduar se ligji nuk do të hyjë në fuqi.
Ndërsa, tha se sa ka qenë pjesë e Odës së Farmacistëve, qëllimi kryesor ka qenë unifikimi i çmimeve të barnave pasi që përmes kësaj ka ardhur në shprehje profesionalizmi i tyre si dhe mirëqenia e qytetarëve. /BetimipërDrejtësi
Përfaqësuesit e farmacistëve dhe distributorëve mospajtime mbi Ligji për çmimin e produkteve medicinale
Lidhur me Ligjin për çmimin e produkteve medicinale, Astrit Haxhijaha, nënkryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës dhe Milaim Abdullahu, drejtor i kompanisë distributore “Santefarm”, gjatë debatit në emisionin “Tempus” në KTV, kishin mospajtime.
Haxhijaha tha që ligji kërkon që në caktimin e çmimeve duhet të marrin pjesë të gjithë aktërët kryesorë. Tha se janë për unifikim të çmimit të barnave, por kanë kërkuar të ndryshohent paragrafi që i lejon barnatores të vendos çmimet, sepse dëmtohen barnatoret. Mirëpo për këtë, Abdullahu tha që barnatoret nuk i vendosin çmimet.
Sipas Abdullahut, kishte raste kur barnat kanë qëndruar në depo ngase sipas tij, disa oponentë me një avokat kanë dezinformuar duke u thënë depove të mos aplikojnë për çmime ngase do të rrëzohen. Depot që nuk kanë aplikuar, ai thotë se kanë mbetur pa çmime.
“Çka është ma interesante, qita që kanë thanë mos aplikoni se na nuk aplikojna, 5 minuta para 12-ve kanë apliku vetë, i kanë manipulu disa depo farmaceutike, i kanë lanë pa apliku”, tha Abdullahu.
Në anën tjetër, Haxhijaha theksoi edhe një problematikë, e cila është shafqur tek farmacistët e që ka të bëjë me afatin për heqjen e stokut aktual, ku sipas tyre afati është shumë i shkurtë. Por, sipas tij, 95% e farmacistëve e kanë kundërshtuar dhe kanë thënë që është një afat shumë i shkurtër
“Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për miratimin e listës zyrtare të produkteve medicinale parasheh afatin për një muaj heqjen e stokut aktual. Pra, 95% të farmacistëve e kanë kundërshtuar dhe kanë thënë që është shumë afat i shkurtër”, tha Haxhijaha.
Sipas tij, 41/3% kanë thënë se 3 deri në 6 muaj është periudhë e mjaftueshme për heqjen e stokut, kurse 37.1% kanë thënë 3 muaj e më shumë.
Ai theksoi se kanë kërkuar që për tarifën e dispenzimit (heqjes së stokut) të ketë edhe një shtesë sepse vetëm farmacistët nuk paguhen për këtë shërbim.
Nënkryetari i Odës së Farmacistëve thotë se ministri i Shëndetësisë në deklaratë publike ka thënë që Oda e Farmacistëve duhet të merret me edukim të vazhdueshëm profesional dhe të farmacistëve, e jo me caktimin e çmimit të barnave.
“E di që ministri nuk ka njohuri në lidhje me kompetencat e Odave sepse ai vetë nuk është anëtar i Odës së mjekëve. Në anën tjetër, po i drejtohem për ta demantuar edhe kolegun, që neni 10, pika 1.8 thotë “bashkëpunimi në përcaktimin e ëmimeve të produkteve medicinale në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse“. Pra, duhet të bashkëpunojmë me Odën e Farmacistëve për ta realizuar një gjë më të mirë”, tha Haxhijaha.
Mirëpo, sipas Milaim Abdullahut, fjala bashkëpunim e cila përdoret aty, nuk do të thotë diçka obligative.
Haxhijaha shton se ankesat e tyre janë për çmimin e barnave, e që duhet të dalin t’i mbrojnë. Kurse, Abdullahu u shpreh se ka qenë afati i caktuar për të aplikuar për çmime.
“Kur ka hy në fuqi kam thënë ka marrë fund gjithçka. Disa prodhues, disa fabrika janë manipulu dhe kanë mendu që me të vërtetë po minohet çmimi- po bjen. Kur u ardhë puna edhe hyri në fuqi mbeten pa çmime qato fabrika”, tha ai.
Megjithatë, drejtori i “Santefarm” shtoi se ligji sërish ua jep edhe një mundësi që të aplikojnë sërish për çmime. /BetmipërDrejtësi
Abdullahu: Kompanitë farmaceutike e kanë përkrahur nivelizimin e çmimit të barnave, janë shitur si plaçka

Milaim Abdullahu, drejtor i kompanisë distributore “Santefarm”, tha në “Tempus” se kompanitë farmaceutike kanë pranuar nivelizimin e çmimeve pasi që produktet e tyre po shiten si plaçkë.
“Kompanitë e kanë pranuar nivelizimin e çmimeve, sepse tërë kohën kanë thënë se po na kompromentohet produkti, po shitet produkti sikur plaçkë, një barnatore 3 euro, një tjetër 5, një tjetër 8. Atëherë, domethënë ata e kanë përkrahë këtë ligj”, tha ai.
Sipas Abdullahut, përfaqësuesi i Odës së Farmacistëve të Kosovës ka qenë gjithmonë në komisionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe se ka qenë edhe periudha e caktuar për debat publik. Tha se komentet e tij kishin kaluar.
“Me përgjegjësi të madhe profesionale them që nuk ka qenë kriza e manifestuar qysh kanë ngritë disa individë apo një grup i vogël i interesit i farmacistëve të cilët ia nisën me trumbetu në çdo mjet të informimit dhe nuk lanë gjë pa bë për me kriju një propagandë për me minu çmimin”, tha Abdullahu.
Drejtori i “Santefarm” thotë se si distributor janë furnizuar me kohë. Ai tha se pretendimet e Odës së Farmacistëve se kompanitë farmaceutike do largohen nga tregu i Kosovës për shkak të Ligjit për harmonizimin e çmimeve, nuk janë të vërteta, pasi që asnjë nga 25 kompanitë të cilat i furnizon nuk ka paralajmëruar tërheqje, përkundrazi thotë se ato e kanë pranuar tregun kosovar.
Ligji i ri për nivelizimin e çmimeve, ai thotë se nuk është i ngutshëm, por është një hap i domosdoshëm dhe i vonuar që i kthen dinjitetin farmacistëve dhe ndalon “tregtinë” me barnat si në pazar.
“Ne jemi shteti i fundit ose shteti i turpit që vetëm 25 vjet pas luftës po e konsolidojmë, po e bëjmë harmonizimin e çmimeve të barnave, kur dihet që me këtë harmonizim të Ligjit deshi s’deshi dikush, ju kërkoj falje atyre oponentëve që po ju prishet disponimi, por ligji po ecë përpara dhe po i vjen fundi kësaj pune”, tha Abdullahu.
Abdullahu theksoi se me këtë ligj, farmacisti nuk bën më pazare me çmime të ndryshme nëpër barnatore.
“Çmimi është çmim. Tani farmacisti i kthehet profesionit të vet ku i tregon për çka duhet me u përdor, qysh përdoret…”, tha Abdullahu.
Ai shtoi se nëse është puna të kundërshtohet ligji i çmimeve dhe ai merr pjesë me kompaninë e tij me 47% të furnizimit të tregut, në aspektin komercial thotë se më së shumti goditet ai, mirëpo ka thënë se ligji duhet të ecë përpara.
Abdullahu sqaroi gjithashtu se barnat që janë ende në stok shiten sipas çmimeve të vjetra, por në momentin që atyre u vendoset etiketa e re, ato do të shiten me çmimet e deklaruara në përputhje me ligjin.
“Më 2 shkurt ka hyrë në fuqi ky ligj, asnjë inspektor nuk e ka dënuar askënd për këtë, sepse janë duke shkuar në heshtje. I ka lejuar edhe Inspektorati Farmaceutik dhe Ministria e Shëndetësisë që të harxhohen stoqet e vjetra edhe çmimet që vendosen në stikera qato kanë e qenë me çmime të reja, domethënë në këtë heshtje ka kaluar kjo… Kanë kaluar 56 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit dhe janë duke u harxhuar stoqet e fundit. Çdo produkt farmaceutik që i vendoset stikeri i ri, ai duhet të respektohet”, tha Abdullahu. /BetimipërDrejtësi
Qytetari detyrohet të blejë në Shkup tretësin NaCl, ankesa për mosfurnizim pas unifikimit të çmimeve

Qytetari Fidan Tahiri, tregoi se si është detyruar të udhëtojë deri në Shkup për të siguruar tretësin NaCl, pasi barnatoret në Kosovë nuk ishin të furnizuara me këtë produkt esencial.
“Në barnatoren e parë e morëm me sportivitet, në rregull mungon, mungon, nuk është punë e madhe. Kur filloi te e dyta e te e treta, lind pyetja po pse, çka ka ndodhur, po lind problem i madh, domethënë nuk ka në barnatore. Normalisht fillon një panik sepse është ilaç, nuk është diçka lluks, është diçka që është e nevojshme për anëtarin e familjes i cili po trajtohet prej kancerit. Tash automatikisht si person që s’kam as njohuri dhe as s’e kam prit që ka me ndodh kjo filloi njëfarë panike me bo zgjidhje. Zgjidhje ishte me thirrë nëpër barnatore me shokë e nëpër qytete tjera. Kemi tentu në Ferizaj me kërku, na kanë thënë që s’ka dhe e vetmja alternativë pastaj e pash Shkupin, kur e kuptuam problemin, kur na treguan barnatoret që është mungesë për shkak të ligjit- të çmimeve që unë nuk është që e disha çka është problemi”, tha Tahiri.
Ky qytetar tha në emisionin “Tempus” në KTV se kjo situatë nuk është e lakmueshme që të përballet një familjar i një pacienti sepse u krijon një lloj panike.
Sipas tij, mungesa nuk ishte vetëm për NaCl, por edhe për inhalatorë specifikë, duke krijuar një situatë të vazhdueshme pasigurie për të gjithë ata që varen nga barnat e listës esenciale.
Kurse, Dardane Mehaj- drejtoreshë e Barnatores Qendrore në QKUK, tha se Ligji për çmimin e produkteve medicinale i ka gjetur të papërgatitur distributorët, mirëpo ata është dashur që para datës 1 shkurt t’i deklarojnë çmimet e barnave.
“Ndoshta ka qenë edhe ajo mosbesimi, sepse që 20 vite duke u folë për këtë ligj, por që nuk ka ardhë në fuqi, atëherë ndoshta kërkush nuk e ka besu që kjo ka me u jetësu dhe në momentin kur më 1 shkurt i ka gjet pak a shumë të befasum edhe akterët, një pjesë të caktuar të akterëve, e kanë pësu më së keqi barnatoret në këtë rast edhe qytetarët. Sepse edhe në momentin kur ti si distributor nuk i ke deklaru çmimet, nuk ke pas të drejtë më 1 shkurt me i shit produktet, sepse nuk i ke pas çmimet e deklaruara dhe ka ardhur deri te ky problem”, tha Mehaj.
Ajo shtoi se Ministria e Shëndetësisë e ka lënë të hapur afatin për deklarimin e çmimeve, duke i dhënë distributorëve mundësinë për t’i deklaruar çmimet në mënyrë që t’i shesin produketet e tyre.
Kurse, nënkyretari i Odës Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha tha se mungesa e barnave përbën një cenim të sigurisë kombëtare shëndetësore.
“Mungesa e barnave konsiderohet si cenim i sigurisë kombëtare. Pra, ne vazhdimisht kemi pasur ankesa në institucionet tona për mungesën e barnave, duke filluar nga farmacistët, profesionistët tjerë shëndetësorë”, tha Haxhijaha.
Sipas tij, ka pasur ankesa edhe për mosfurnizim nga depot farmaceutike. Ai tha se përkundër ankesës së tyre për reflektim të ministrit të Shëndetësisë për vendimin e unifikimit të çmimeve të barnave, i cili mund të çojë në mungesë të barnave, Ministria ka vendosur njëanshëm pa u konsultuar me akterët kryesorë./BetimipërDrejtësi