TEMPUS

Pozitat e rëndësishme udhëheqëse në sistemin e drejtësisë nuk ushtrohen nga gratë

Gratë - sistemi i drejtësisë

Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Gjykata Supreme, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Oda e Avokatëve, të gjitha këto udhëhiqen nga burrat.

Por, a do të thotë kjo që Kosova s’ka gra të afta për të udhëhequr në sistemin e drejtësisë?

Absolutisht jo.

Nga 419 gjyqtarë sa ka sistemi gjyqësor, vetëm 35 për qind e tyre janë gra. Nga dhjetë gjykata në vend, aktualisht vetëm dy prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Në anën tjetër, sistemi prokurorial qëndron pak më mirë se gjyqësori. Nga 189 prokurorë, 41% e tyre janë gra.

Por, asnjë prokurori në vend nuk udhëhiqet nga ndonjë grua. Sistemi prokurorial i ka shtatë prokurori themelore, Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Nga 10 zyrat e prokurorive, të gjitha udhëhiqen nga burrat. E njëjta vlen për Këshillin Prokurorial, i cili udhëhiqet nga një burrë.

Edhe pse ligjet në Kosovë janë reformuar duke promovuar barazinë gjinore, kjo përpjekje mbetet vetëm gjysmake pa përfshirjen e grave në vendimmarrje.

Në përditshmëri, gratë vazhdimisht hasin në pengesa dhe vështirësi për adresimin e të drejtave të tyre. Trajtimi jo i barabartë në vendimmarrje, por edhe mos-ofrimi i kushteve të barabarta për të ushtruar përgjegjësi, ndikon që roli dhe zëri i gruas në Kosovë mos të marrë vëmendjen dhe rëndësinë e duhur.

Një qasje e tillë manifestohet edhe në kufizimin e gruas për të realizuar të drejtat e saj në praktikë edhe për shkak se niveli i punësimit të grave në Kosovë ende mbetet sfidues dhe rrjedhimisht varshmëria e tyre nga partnerët apo anëtarët e tjerë të familjes, krijon për të njëjtat vështirësi socio-ekonomike, duke kufizuar kështu qasjen e tyre në drejtësi.

Kjo pastaj dukshëm kufizon edhe ngritjen e zërit për të sfiduar praktikat diskriminuese në vend.

Prandaj, është e rëndësishme që të sfidohen stereotipet gjinore, për ndryshimin e këtij mentaliteti dhe kësaj praktike, për të ndikuar po ashtu edhe në frymëzimin e gjeneratave të reja. Sepse sa më shumë përfshirje të grave dhe në veçanti sa më shumë gra që mbajnë pozita udhëheqëse përbrenda sistemit të drejtësisë, aq më shumë inkurajohen brezat e rinj në aspiratat e tyre dhe kjo çon në krijimin e një fuqie punëtore më të balancuar në një periudhë të ardhme, jo aq të largët.

Njëkohësisht krijon një shoqëri ku mundësitë janë të barabarta për të gjithë, ku barrierat janë të padukshme dhe krijohet kështu një kulturë e barazisë shoqërore.

Kjo barazi, e cila arrihet përmes një sistemi të drejtësisë gjithëpërfshirës, automatikisht bën që sistemi të perceptohet si më i besueshëm, gjë që nxit ndjesitë që është sistem i drejtë dhe i paanshëm. Një drejtësi e kësaj forme, padyshim që rrit kërkesën për adresimin e të drejtave të qytetarëve, në veçanti grupeve të margjinalizuara.

Ofrimi i drejtësisë së barabartë për të gjithë, mbetet gurëthemel i çdo shoqërie demokratike. Prandaj, në mënyrë që lehtësimi i qasjes në drejtësi për gratë të japë rezultatet e veta, qëndrimet diskriminuese dhe normat patriarkale brenda sistemit të drejtësisë duhen luftuar.

Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë udhëhiqet nga një grua. Gjykata Kushtetuese gjithashtu udhëhiqet nga një grua.

Pse këto dy pozita nuk i përmendëm në fazën e statistikave?

Sepse ministria e Drejtësisë është degë e ekzekutivit, e pavarur nga gjyqësori.

Ndërsa, Gjykata Kushtetuese në bazë të Kushtetutës nuk është pjesë e sistemit gjyqësor të rregullt dhe nuk hyn në kuadër të kapitullit të sistemit të drejtësisë.