TEMPUS

“Po m’i kërkon vëllai- daja, paske pare”, Atashi tregon “pasojat” e deklarimit të pasurisë

Afrim Atashi

Afrim Atashi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), thotë se kanë pranuar disa ankesa nga zyrtarët lidhur me deklarimin e pasurisë, saktësisht për privatësi.

I ftuar në “Tempus”, ai foli rreth “pasojave” që zyrtarët mund t’i kenë pas deklarimit të pasurisë në APK.

Atashi theksoi se zyrtarët janë ankuar se me deklarimin e parave të gatshme, familjarët e deklaruesit kanë kërkuar para me arsyetimin se e kanë parë deklarimin e pasurisë në Agjenci.

“Te çështja e privatësisë gjithmonë kemi pas ankesa për shkak të privatësisë sepse pasuria bëhet publike, mirëpo ne gjithmonë kemi bashkëpunu edhe me Agjencinë për Privatësi dhe Informim dhe ato çështje që kanë kosideru që janë private dhe nuk duhet me kanë publike apo personale janë eleminuar dhe tash në këtë ligj eleminohen. Një çështje që është pezull dhe atakohemi ne si Agjenci është veç të hyrat që janë para të gatshme është një rubrikë e caktune që janë publike edhe aty nuk kemi pasur ndonjë rast që dikush për shkak të Agjencisë, nuk po them që ndoshta një hajn i caktuar mundet me thanë i kam parë të Agjencia dhe për këtë po hy po i marrë, nuk kemi pas ndonjë rast që për shkak të Agjencisë është bërë publike me pas ndonjë hajni ose ndonjë vjedhje në këtë aspektë më tepër kemi pas aspekta se ‘po m’i lypë vëllau paret, daja paret, paske pare t’i lypa’, por këto nuk janë që kanë ndodh”, sqaroi ai.

Atashi thotë se kanë tentuar që mos ta bëjnë publike pasurinë e zyrtarëve, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga organizatat joqeveritare dhe shoqëria. Sipas tij, shumë shtete të tjera janë drejt procesit të bërjes publike të pasurisë.

“U tentu edhe një herë që me u bë jopublike pasuria, por u ngritën edhe organizatat joqeveritare dhe shoqëria e krejt u blloku për shkak se disa shtete nuk e kanë publike, mirëpo në këtë aspekt janë duke lëvizur me i bë publike krejt edhe u pa si regres edhe në Kosovë për mos me u bë publike”, tha Atashi. /BetimipërDrejtësi


 

Miftaraj: Shumë ministra në mëngjes shkojnë në gjykatë, pasdite në punë

Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se kemi numër të madh të ministrave, deputetëve e zyrtarëve tjerë të lartë, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë ose kanë bërë deklarim të rremë. Ai tha se ka shumë ministra me aktakuza, të cilët në mëngjes shkojnë në gjykatë e pasdite në punë.

Sipas tij, kur është hartuar Kodi Penal është përcaktuar në mënyrë të qartë se rastet e deklarimit të rremë, i pandehuri dënohet me gjobë dhe me burg.

“Do të thotë, në rastet kur me Kod, Kuvendi dëshiron t’i japë diskrecion gjykatës nëse dëshiron ta dënojë me burgim ose me gjobë, e shkruan: me gjobë ose me burg. Në rastet kur shkruhet me gjobë dhe me burg, nuk ka më diskrecion, do të thotë dyjat. Pjesa tjetër është që gjyqësori do të duhej të ushtronte mandatin e tij ia jep Kushtetuta dhe Ligji në balancën e pushteteve. Nëse e marrim për bazë vetëm në tri vitet e fundit, ne kemi pasur numër të madh të ministrave, të deputetëve, të zyrtarëve të lartë, të cilët ose nuk e kanë deklaruar pasurinë ose kanë bërë deklarim të rremë. Kjo në radhë të parë tregon mosrespekt jashtëzakonisht të madh të këtyre zyrtarëve të lartë publik ndaj pozitës që e mbajnë”, tha Miftaraj në “Tempus“.

Ai thotë se në vendimin për emërimin e një ministri, theksohet se duhet deklaruar pasuria.

“Në kohën kur kryeministri e emëron një ministër, e lëshon një vendim dhe ai vendim i ka katër rreshta dhe është pika.1. Filan fisteku emërohet ministër në këtë ministri. Ministri e merr mandatin nga kjo datë deri këtu dhe pika e tretë thuhet që ministri x-ministri e ka për obligim të deklarojë pasurinë brenda afatit ligjor dhe vendimit në fuqi. Do të thotë, secili ministër që e merr pozitën e ka këtë vendim”, tha Miftaraj.

Sipas tij, kur ta beson Qeveria këtë detyrë, duhet ta respektojë atë vendim. Por, përkundrazi kemi shumë ministra që nuk e kanë deklaruar pasurinë.

“Përkundrazi, kemi shumë ministra që nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe ne sot ballafaqohemi pothuajse në baza ditore nëpër gjykata. Këta ministra, në mëngjes shkojnë në gjykatë, pasdite në vendet e tyre të punës. Çka është më e keqe është se kjo e dëshmon edhe brishtësinë e sistemit gjyqësor, sepse ndryshe po trajtohen ministrat nga ana e gjyqtarëve, ndryshe qytetarët”, tha Miftaraj.

Ai tha se ka raste kur një ministër e merr këshilltarin e kabinetit në seancë gjyqësore apo asistentin, e shkojnë me vetura zyrtare. Këto veprime thotë se e ulin besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Drejtori i IKD-së tha se nëse do të kishim një gjyqësor efikas, ministrat, deputetët e zyrtarët e tjerë publikë, do të mendoheshin 10 herë para se ta deklaronin pasurinë, mos ta deklaronin apo të harronin ta deklaronin atë.

“Nëse një ministër harron se ka pasur një biznes, atëherë unë nuk e di ai ministër a duhet të jetë ministër sepse ka probleme shumë serioze me demencën apo me ndonjë sëmundje të alzheimerit. Si mund të harrosh se ke një biznes i cili gjeneron dhjetëra-mijëra euro në vit”, tha Miftaraj. /BetimipërDrejtësi


Miftaraj: Prokuroria selektive në rastet e mosdeklarimit të pasurisë, gjykatat e trajtuan si kundërvajtje

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se praktika ka dëshmuar se gjykatat e kanë trajtuar pothuajse gjithmonë mosdeklarimin e pasurisë si kundërvajtje. Në anën tjetër, tha se nga monitorimi i tyre del që prokuroria ka qenë në shumë raste selektive.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Miftaraj tha se vepra penale e mosdeklarimit apo deklarimit të rremë të pasurisë më 2013 ishte kriminalizuar për herë të parë si vepër penale, ndërsa tani më 2024 me ndryshimet në Ligjin e ri është kthyer pothuajse në kundërvajtje.

“Sepse nuk kemi asnjë rast në vitin 2024 nga viti 2013 kur ka hyrë në fuqi nëse s’gaboj as edhe një rast të vetëm nuk e kemi kur dikush është dënu me burgim efektiv për mosdeklarim të pasurisë. Në anën tjetër, prej monitorimit tonë që e bëjmë kemi parë që gjyqtarët e shfrytëzojnë do të thotë si strategji që këto raste t’i dënojnë gjithmonë me gjobë dhe jo me dënim me kusht apo me dënime tjera, me të vetmen arsye që këtyre personave të mos iu shkaktohen pasoja juridike”, tha Miftaraj.

Kjo sipas tij do të thotë që në rast se një zyrtar dënohet me gjobë, nesër mund ta vazhdojë pa problem punën dhe të mos i bëhet pengesë në karrierën e tij.

Në rast se shqiptohet dënim me kusht, ai thotë se mund të ketë pasoja juridike pasi personi në fjalë nuk mund të kandidojë në ndonjë pozitë të lartë publike.

Miftaraj përmendi rastin e rektores së Universitetit të Mitrovicës, Nurtene Deva, e cila edhe pse u dënu nga gjykata për mosdeklarim të pasurisë me gjobë e njëjta u zgjodh rektore e Universitetit të Mitrovicës.

“…edhe përkundër asaj se ishte përmes një konkursi të kurdisur ose një konkursi që nuk i plotësonte kushtet”, tha Miftaraj.

Edhe nëse Agjencia e ka kryer punën si duhet dhe kur prokuroria ka ngritur aktakuza profesionale, ai thotë se gjykatat kanë qenë ato që në njëfarë mënyre e kanë bërë ligjin e pavlefshëm.

“Sepse nëse zyrtarët publikë e kuptojnë që për mosdeklarim të pasurisë mund të dënohen 500 euro, 1 mijë euro, s’e kanë problem edhe me deklaru rrejshëm ose mos me deklaru fare, sepse do të thotë është pasojë jashtëzakonisht e ultë. Në anën tjetër, prej monitorimit tonë por edhe në bazë të takimeve, në bazë të asaj që kemi pa që ka dërgu Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kemi parë që prokuroria nuk është që ka pasur një qasje të njëjtë në të gjitha rastet. Varësisht se kush ka qenë subjekt në njëfarë mënyre ka pasur një qasje selektive”, tha Miftaraj.

Sipas tij, në rastet kur kanë qenë prokurorët ata që kanë deklaruar rrejshëm apo me vonesë pasurinë, ka pasur prokuror që ‘me shpejtësinë e erës’ e ka mbyllur lëndën.

Raste të tilla, ai thotë se e ulin besimin në punën e prokurorisë dhe atë nëse ligjet janë të vlefshme dhe e arrijnë qëllimin për të cilin janë miratuar nga Kuvendi. /BetimipërDrejtësi


Atashi: 98 zyrtarë s’e kanë deklaruar pasurinë sivjet, gjobat shkojnë deri në 500 euro

Afrim Atashi

Afrim Atashi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, tha se sivjet janë diku 98 zyrtarë që nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë.

“Numri i zyrtarëve për sivjet sepse e kemi bë publike edhe pse raportin e bëjmë në fund, ka qenë diku 98. Zakonisht janë këto kategoritë e reja që s’e kanë deklaru, qoftë inspektorët, policët”, tha ai në “Tempus“.

Atashi theksoi se janë në përgatitje të gjobave dhe se një pjesë të tyre e kanë shqiptuar. Por, theksoi se është duke u bërë verifikimi i listave, ngase tani gjobat shkojnë edhe përmes sistemit.

“Jemi duke i verifikuar listat sepse ashtu kërkohet edhe me ligj, dhe me bë shqiptimin e gjobave”, tha ai.

Atashi bëri të ditur se gjobat shkojnë deri në 500 euro për shkak se kështu e ka paraparë Ligji për Kundërvajtje.

“Ligji jonë ka parapa 30% të gjobës të pagës primare që e merr neto, mirëpo nëse për shembull mundet me ndodh që ka zyrtarë publikë ose subjekte deklaruese që kanë paga shumë më të larta, ai 30% bën vaki mundet me kalu edhe 7-800 euro. Mirëpo, ligji thotë nëse tejkalohet nuk mundesh ma shumë se 500 euro me shqiptu”, thotë Atashi.

Kurse, lidhur me deklarimin e rremë, ai tha se 70% e kallëzimeve penale që janë bërë vitin e kaluar, ishin për deklarim të rremë të pasurisë.

“Mundem me ju folë për vitin e kalum, për shkak se aty i kemi bë raportet, janë diku 59 kallëzime penale nëse s’gaboj me statistika diku 60-70% e tyre janë për deklarim të rremë të pasurisë”, tha ai.

Sipas tij, ka pasur raste kur për raste të njëjta është vendosur ndryshe.

“Ka pas këso raste sepse na i kemi thanë edhe nëpërmes raportit, nuk mundem me shtu diçka ma shumë. Analizën që e kemi bë në raste të caktume që për raste të njëjta ndoshta kanë vendos ndryshe për shkak se thash nashti kanë mujt edhe me dhanë arsyetime të ndryshme palët ose përfaqësuesit e tyre sepse ka raste që zyrtarët ose subjektet deklaruese në rast të mosdeklarimit të pasurisë ose deklarimit të rremë angazhojnë edhe avokatë të tyre. Ka raste edhe kur nuk angazhojnë avokatë. Por, ka raste kur kanë vendosur ndryshe”, tha Atashi.

I njëjti theksoi se sivjet janë paraparë disa ndryshime ligjore, tani kanë vetëm 6 plus një muaj që të bëjnë verifikimin. Sipas tij, problemi gjithmonë ka qenë tek deklarimi i rremë dhe jo mosdeklarmi.

Tash me ligjin e ri, mosdeklarimi i pasurisë në afatin ligjor nuk është vepër penale por është vepër administrative, ku ne japim gjoba. Kjo ka ndodhur shumë mirë, për shkak se është cilësu si shumë e rëndë për shkak se dikush u vonu një ditë ose dy edhe tash i bëjmë shqiptimin e gjobave”, tha Atashi.

Ai shtoi se edhe nëse pas shqiptimit të gjobës subjekti deklarues vonohet edhe një afat më shumë, bëjnë kallëzime penale. /BetimipërDrejtësi


Miftaraj thotë se shtimi i kompetencave për APK-në pa buxhet, çon në dështim të institucionit

Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se mënyra më e mirë për ta dështuar një institucion, në këtë rast Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit është t’ia miratosh dy ligje dhe t’i ofrosh kompetenca shtesë, por duke mos ia rritur buxhet.

“Unë e kisha nda në dy pjesë. E para, planifikim shumë i dobët, por edhe mungesë e vullnetit. Nuk duhet harruar faktin që në këtë studio pas miratimit të ligjeve repektive ne e kishim organizuar një emision dhe kishim bërë thirrje ose ngritje të vetëdijes Qeverisë, Kuvendit të Kosovës që me miratimin e ligjeve, po ashtu në Ligjin për buxhetin, të ndahet buxhet i mjaftueshëm në mënyrë që Agjencia të jetë në gjendje më pastaj të operojë me resurset e nevojshme. Mënyra më e mirë për t’i dështuar institucionet si në këtë rast Agjencinë, është kur miraton dy ligje të reja, iu ofron kompetenca shtesë dhe pastaj nuk i ofron buxhet për me përmbush mandatin e saj”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha në “Tempus” se kjo lidhet me mungesën e vullnetit politik, pasi bëhet fjalë për një shumë që mund të shkonte deri në 600 mijë euro në vit dhe jo për miliona.

“Agjencia e ka një buxhet shumë shumë modest”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria aktuale ka ardhë në pushtet me kartën e luftimit të korrupsionit. Ai tha se APK-ja tani nuk është mekanizëm që e lufton korrupsionin, por është mekanizëm efikas në parandalimin e korrupsionit dhe formave të konfliktit të interesit, deklarimit të pasurisë dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.

Ai thotë se vullneti politik do të ishte i fuqishëm sikur të ndahej buxhet i mjaftueshëm për APK-në. Ndërsa, shtoi se rekrutimi i stafit të ri merr kohë. /BetimipërDrejtësi


Mbi 11 mijë zyrtarë publikë obligohen të deklarojnë pasurinë, sfidë mungesa e resurseve njerëzore

Afrim Atashi

Afrim Atashi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, tha se me ndryshimet ligjore është dyfishuar numri i zyrtarëve publikë apo subjekteve deklaruese. Ky numër shkon në mbi 11 mijë subjekte deklaruese.

“Është e vërtetë që duke filluar nga viti i kaluar kemi pas ndryshime ligjore, ka ndryshuar edhe Ligji për Agjencinë për Parandalim të Korrupsionit, por edhe Ligji për deklarim të pasurisë, siç e thatë edhe ju e ka dyfishu numrin e zyrtarëve apo në këtë rast subjekteve deklaruese, sepse ka bë një ndryshim të zyrtarëve që deklarojnë pasurinë, ku një pjesë janë zyrtarë të lartë publikë, ndërsa një pjesë janë subjekte deklaruese. Por, gjithsesi ky numër është dyfishuar pothuajse sepse i kemi pas më pak se 5 mijë deri më tani dhe kur ka ndodh ky ndryshim është rritur numri-dyfishuar diku 11 mijë e diçka zyrtarë apo subjekte deklaruese”, tha Atashi.

Në emisionin “Tempus” në KTV, ai tha se sfidat janë të shumta, derisa së pari përmendi numrin e madh të subjekteve deklaruese, ndryshimet ligjore dhe riorganizimin për shkak të kërkesave ligjore për ndryshime.

“Kemi fillu procedurën e kontrollit të deklarimit të pasurisë, po ashtu vitin e kaluar e kemi shti në funksion edhe sistemin elektronik me deklaru pasurinë, i cili ka rezultu i suksesshëm përkundër shumë vendeve të botës të cilat me vite të tëra nuk kanë mundur me fut në sistem. Mirëpo, kemi probleme tjera sa i përket mbikëqyrjes, kontrollit, verifikimit, në këta”, tha Atashi.

Atashi nga APK-ja përmendi edhe ndryshimet që ka paraparë ligji sa i përket kontrollit, pasi tani është rritur numri i kontrolleve që duhet bërë, e kjo për Agjencinë është sfidë pasi ka mungesë të resurseve. Ai tha që kontrollin e vitit të kaluar nuk kanë mundur ta përfundojnë ende këtë vit, për shkak të numrit të madh të rasteve.

Atashi shtoi se me ndryshime buxhetore nuk është paraparë dyfishimi i stafit, pasi është paraparë që sistemi elektronik do t’i lehtësojë procedurat.

“Mendojmë që vitin e ardhshëm do të na lejohet një numër i caktum i pozitave përkitazi me fushën e deklarimit të pasurisë, por sivjet e kemi vetëm një ndryshim shumë të vogël. Vitin e ardhshëm parashihet me u ndryshu për shkak se e thash është shumë e nevojshme në këtë aspekt me bë sepse nga deklarimi i pasurisë rrjedhin edhe shumë aspekte tjera parandaluese dhe identifikuese të korrupsionit nëse është i suksesshëm deklarimi mujn me rrjedhë edhe shumë sfera tjera që të luftohet”, tha Atashi./Betimipërdrejtësi