Anton Nrecaj, drejtor ekzekutiv i Organizatës CLARD, tha se nuk ka vullnet as nga Qeveria e as nga Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial për reformë në drejtësi.
Nrecaj tha që dihet se si janë tendencat që të kapen institucionet e pavarura - Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe sipas tij kjo është një strategji që Qeveria po e bën.
Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk po punon në aspektin e rregullimit, por në atë të çrregullimit dhe se kjo sipas tij kjo Qeveri po tenton t’i hartojë dhe të zbatojë legjislacionin, duke i injoruar të gjitha standardet, doktrinat dhe obligimet që rrjedhin, përfshirë edhe Konventën e Kombeve të Bashkuara.
Tutje, ai deklaroi se ekziston një luftë verbale mes Qeverisë dhe Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial.
“Gjithçka që luftohet, sot kur flasim për Vetting, luftohet nëpër medie, zyre të Qeverisë. Është luftë verbale nga zyrat e Qeverisë, zyrat e KGJK dhe zyrat e KPK, dhe kjo luftë realisht po ndodhë që secila palë po tregon t’i tregojë ‘dhëmbët’ në njërën anë vullnetin e Qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe për të sjellë rendin dhe ligjin, e nga ana tjetër kemi dy institucione të drejtësisë KPK dhe KGJK, luftën për të ruajtur komoditetin që e kanë pasur deri tash”, tha Nrecaj në “Tempus“.
Ai gjithashtu ka deklaruar se nuk ka vullnet për ta luftuar korrupsionin.
“Domethënë nuk ka vullnet aspak qoftë nga njëra anë qoftë nga tjetra, duke pasur parasysh faktin që dëmi më i madh që është duke iu shkaktuar këtij vendi është korrupsioni pasi që niveli i korrupsionit jo vetëm që na dëmton neve si qytetarë, por edhe aspektin e integrimit të këtij vendi, ecjen përpara të Kosovës, natyrisht edhe stagnon në pjesën e bashkëpunimeve ndërkombëtar”, tha Nrecaj.
Në fund, Nrecaj tha që kemi raste kur ndaj njerëzve të lartë të qeverisë, nuk iu iniciohet asnjë proces i hetimit për luftën kundër korrupsionit, përkundrazi këta akterë promovohen dhe mbrohen nga politika.
