Sociologu Albert Mecini, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjuha e urrejtjes në komente në rrjete sociale, është tregues i një shoqërie në krizë.
“Në aspektin sociologjik, kjo dëshmon për një shoqëri në krizë, në kuptimin publik të fjalës. Por, gjeneza e saj është shumë më e hershme, lidhet me shumë faktorë të karakterit kryesisht sociologjik që dëshmojnë për gjendjen e tashme në një hapësirë ku publiku dhe pjesëtarët e tij nuk arrijnë të gjejnë veten në artikulimin, në hapësirën, në artikulimin me publikun, në artikulimin me komunikimin personal të tyre”, tha Mecini.
Sipas tij, rrjetet sociale- teknologjia na ka gjetur si shoqëri në një stad të befasishëm, ku menjëherë pas luftës shoqëria ka qenë në një fazë të edukimit/zhvillimit dhe se edhe niveli i arsimit i ka pasur problemet e veta.
“Niveli i komunikimit publik, sidomos mediatik e gjithçka tjetër ka filluar me u pa si një element i shout, i marketingut dhe gradualisht ka degradu situata”, tha Mecini.
Këto elemente, ai tha se publiku duke mos pasur mundësi t’i dallojë përmbajtjet, këtë e ka marrë edhe nga komunikimi politik. Sipas tij, transformimi ka shkuar drejt degradimit të gjuhës politike dhe komunikimit.
“Gjuha fillimisht ka filluar të degradohet nga pjesëtarët e shoqërisë të cilët kanë pasur një rend institucional, kanë qenë një thirrje, pastaj ka kaluar tek publiku”, tha sociologu Mecini, duke shtuar se më parë komentet kanë qenë të matura.
Ai tha se duhet pasur instanca ligjore që arrijnë ta rendisin përgjegjësinë e komunikimit publik, për ta përshtatur me rrethanat e reja kohore./Betimipërdrejtësi
Mecini: Komunikimi degradues në media sociale, në aspektin sociologjik është regresiv
Sociologu Albert Mecini, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se komunikimi degradues në media sociale, në aspektin sociologjik është regresiv.
“Janë shumëdimensionale për arsye që në një rend shoqëror ku njerëzit mundohen që përmes punës dhe aktivitetit të tyre të organizojnë dhe të mirëmbajnë jetën e tyre sociale, në një hapësirë ku ata fillojnë të ndiejnë pasigurinë nga komunikimi publik, atëherë bie vullneti për punë, për hapësirën, për komunikimin, për lidhjet sociale, për ambientimin, e të tjerë”, tha Mecini.
Sociologu tha se njëra prej pasojave të migrimit që nuk përmendet shpesh, krahas të ardhurave është edhe niveli i komunikimit.
“Njëra prej pasojave të migrimit, që nuk e kam pa që përmendet shpesh, është se në Kosovë nuk është se njerëzit… ndonjë sektor është që ka paga të mira, dikush ka edhe kushte të mira ekonomike. Por, edhe niveli i komunikimit dhe ai ankthi publik që është krijuar në këto vitet e fundit nganjëherë është njëfarë kulmi, një stad ku njerëzit vendosin të gjejnë një hapësirë ndryshe të përjetimit të jetës sociale”, tha Mecini.
Më tej, Mecini shtoi se kur ky lloj i komunikimit vazhdon për vite të tëra, fillon të krijojë pasiguri, stres dhe ankth, duke e çuar deri në humbjen e shpresës për një perspektivë të re.
“Ne nuk jemi në gjendje ta dallojmë ideologjinë dhe komunikimin ideologjik nga komunikimi politik i një subjekti, apo i një përfaqësuesi që në njëfarë mënyre është kreu i një subjekti politik. Nuk jemi në gjendje të dallojmë komunikimin e tij se çfarë ideologjie i përket dhe cila është intenca apo qëllimi i tij”, shtoi Mecini.
Kurse, Muhamet Hajrullahu- kryeredaktor në Telegraf, tha se ka nevojë për edukim, që dikush t’iu tregojë mediave që mund të komentojnë por ta bëjnë këtë në mënyrë normale.
Hajrullahu tha se ata që përdorin komente negative, me gjuhë seksiste apo bullizuese, duhet të kuptojnë që një koment i tillë të çon në gjykatë dhe dënohesh me gjobë e burg.
Kurse, Brikenda Rexhepi kryeredaktore në Grupin “Koha” tha se institucionet duhet të përpiqen të gjejnë një zgjidhje. /BetimipërDrejtësi
Rexhepi: Asnjë media nuk ka staf për kontrollim të komenteve
Brikenda Rexhepi, kryeredaktore në Grupin KOHA, tha se beson që asnjë media nuk ka staf për kontrollimin e komenteve.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Rexhepi tha se nuk ka media sot në Kosovë që i kanë këto resurse, sepse mediat në Kosovë janë duke u përballur me një problem të madh, atë financiar.
“Ju Betimi për Drejtësi jeni dorëzuar (për mbyllje të mundësisë së komentimit në rrjete sociale) për shkak se ju nuk vareni, do të thotë, nga të hyrat dhe rrjetet. Për shembull, ka shumë media që kanë të ardhura të konsiderueshme nga Facebook-u, dhe kur vjen dikush për të reklamuar, kërkon sa këqyresh edhe kjo puna e bllokimit mund të shihet ndryshe”, tha Rexhepi.
Sipas saj, ka media që nxisin qëllimisht komentimin, për të pasur shikueshmëri më të madhe. Për komentet, ajo tha se duhet të jetë një zgjidhje inventive- kombinim i disa mënyrave për t’i eleminuar ato komente.
Rexhepi tha se ka lexuar raportin e IKD-së “Përgjegjësia e mediave ndaj komenteve të paligjshme” dhe lidhur me fyerjet/shkeljet që identifikohen lehtë, tha se nuk konsideron që mediumi duhet të mbahet përgjegjës nëse dikush e nxjerr një informatë që nuk është e vërtetë.
“Mediumi mund të mbahet përgjegjës për fyerje, ofendime, bullizime dhe çdo gjë tjetër, por përgjegjësinë për pjesën tjetër e mban ai që e ka postuar dhe atë mundet me ndjek lirisht dikush në gjyq pse e ka postuar një të pavërtetë, mirëpo me nis subjektet dhe mediat për të bërë fact-checking për secilin koment është…” shtoi Rexhepi.
Se mediat nuk kanë resurse për të kontrolluar komentet, e theksoi edhe kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu. /BetimipërDrejtësi
Hajrullahu: S’ka model se si të kontrollohen komentet
Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor në "Telegraf", tha se nuk ka model botëror dhe as shembull që të kontrollohen komentet dhe që të tregon se si të veprojnë.
“Prapë është kjo te aspekti i “Meta’s dhe i “Tech kompanive”, sepse përcaktimet i bëjnë këta, nese i merr dhe i këqyr standardet e fundit që Meta i ka bërë për postimet në Facebook, të cilat media duhet me i respektu e që pastaj komentet edhe të njerëzve janë gjithashtu tema edhe për të cilët edhe raporti juaj (raporti i IKD-së) i ka dhe i përmend”, tha Hajrullahu.
Në “Tempus”, ai përmendi platformën “X”, ku Elon Musk kishte dalë në përkrahje të Donald Trumpit dhe se komentet e fyerjet që bëhen për kundërkandidaten e Trumpit-Kamala Harris janë jashtëzakonisht të mëdha, po të krahasohet kjo me Ballkanin ku mentaliteti dhe diskursi janë të ngurta, ku njerëzit nuk hyjnë të komentojnë përmbajtjen.
Hajrullahu tha se Facebook ka filluar t’i detektojë vetë komentet duke i alarmuar mediat pasi që të gjitha janë publike, që kanë të bëjnë me dhunën, me dezinformimin, me pornografinë, në raportimin për fëmijët e gratë. Tha se janë specifike, mirëpo nuk ka model botëror e as shembull ku thotë si duhet vepruar.
“Është tek Meta, ai e ndalë edhe e lë, kjo punë rregullohet në atë moment ose e moderon. Te mediat është shumë vështirë sepse është financiarisht problematike me bë ekip special të cilët kanë me bë atë punë veç, fatmirësisht mediat kanë ekipe për rrjete sociale për menaxhim, për distribuim”, tha Hajrullahu. /BetimipërDrejtësi
Shala: Përgjegjësia i takon secilit publikues që në postimet e tyre ka komente joligjore
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se përgjegjësia lidhur me komentet që bëhen në rrjete sociale u takon jo vetëm institucioneve, por edhe personave të ndryshëm të cilët marrin komente të paligjshme në postimet e tyre.
“Rasti i Francës që ndodh në kontekst të Facebookut, ka të bëjë me një kandidat që nuk është media fare, për dallim prej rastit të parë të Estonisë që ka të bëjë me media. Ideja në rastin konkret është janë dy arsye pse përmendet në punim media specifikisht, e para është se është një burim shumë i madh i publikimeve, do të thotë ka shumë më shumë publikime, ka shumë më shumë komente, e dyta do të thotë etika që duhet me i ndjekë mediat profesionale përcakton nevojën për me ndërmarrë veprime shtesë”, tha Shala.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se përgjegjësia u takon edhe personave të ndryshëm. Ai mori shembull një profil të një personi publik, e që në rastin konkret tha se një postim i tij tërheq pas vete shumë komente, të cilat janë haptazi të paligjshme.
Sipas tij, edhe ai person mban përgjegjësi vetë për ato komente.
“Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vërtetësia e lajmit nuk ndërlidhet me komentet, do të thotë ti mbahesh përgjegjës për atë koment, përkundër faktit që lajmi i përmban të gjitha standardet, është mirë i balancuar, është i vërtetë”, tha Shala.
Sipas tij, GJEDNJ-ja mirë e thekson se është shumë më e vështirë për një person t’i moderojë të gjitha platformat sesa një subjekt i caktuar të moderojë platformën e vet, qoftë ajo e mediave apo institucioneve, apo edhe personave të caktuar. /BetimipërDrejtësi
Rexhepi: Masat duhet të aplikohen tek të gjithë ata që i ofrojnë platformat e tyre për komentim
Brikenda Rexhepi, kryeredaktore në Grupin KOHA, tha se ligji, masat, ndëshkimet apo edhe rregullat, duhet të aplikohen tek të gjithë ata që ofrojnë platformat e tyre për komentime.
“Absolutisht mediat kanë përgjegjësi, mirëpo i përmendi sociologu për shembull në uebfaqe në Youtube të Kuvendit ka fjalë të tillë dhe shprehje të tilla në ‘accounta’ në llogari të partive politike të kryetarëve të partive, të individëve. Tash nuk është medie më i thanë medium, por veç media na që jemi media, por është çdo subjekt tjetër i cili shikohet dhe në të cilin komentohet. Edhe nëse flasim na për masa, për ligj, për ndëshkim, për rregulla, ato duhet të aplikohen te të gjithë ata të cilët ofrojnë platformat e tyre për komentime. Kjo duhet të vlejë gjithkund, nëse faqe e Kuvendit shkon seanca kemi komente poshtë, duhet atje në Kuvend me e caktu dikë me i ndalë ato”, tha Rexhepi në “Tempus“.
Ajo tha se tashmë partitë politike kanë filluar fushatën dhe vërehet tek disa parti qasja (strategja) agresive. Sipas saj, edhe mediat duhen të kenë kujdes me deklarata të tilla, ku ajo shtoi se mediat bëjnë shkelje duke i publikuar deklaratat e tyre, duke e ditur që janë gënjeshtra.
Rexhepi shtoi se është dashur të ekzistojë një lloj standardi apo etike, e cila i përfshinë të gjitha platformat ku komentohet dhe postohet diçka dhe jo vetëm mediat. /BetimipërDrejtësi
Shala: Mediat obligohen t’i heqin komentet e paligjshme
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), mediat obligohen që t’i heqin komentet të cilat pa një analizë gjuhësore apo juridike, vërehen haptazi se janë të paligjshme.
Në emisionin “Tempus” në KTV, tha se problemi i komenteve në rrjete sociale tashmë është problem global.
Ai tha se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka përcaktuar standarde që mediat duhet të jenë përgjegjëse për komentet haptazi të paligjshme dhe që të njëjtat duhet të fshihen pa vonesë nga ana e mediave.
“Vetë GJEDNJ e thekson se edhe komentet janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e debatit politik në diskursin publik dhe kjo realisht është edhe liria e shprehjes që përmes komenteve njerëzit diskutojnë, japin mendime, shprehin ide e të tjera”, tha Shala.
Ai tha se kjo nuk është absolute dhe duhet t’i ketë disa kufizime. Tha se obligimet e mediave shtrihen vetëm ndaj komenteve që GJEDNJ, i cilëson si haptazi të paligjshme.
“Mediat sipas GJEDNJ nuk janë të obliguara me verifiku vërtetësinë ose ligjshmërinë e një komenti të caktuar. Ato janë të obliguara me i heq pa vonesë vetëm rastet -komentet të cilat pa një analizë gjuhësore dhe pa një analizë juridike vërehet se janë të paligjshme”, tha Shala.
Sipas tij, këto komente janë: nxitja e urrejtjes, gjuha seksiste, sharjet, bullizmi, krahasimi me kafshë, e të tjera.
Këto komente, Shala tha se i shohim vazhdimisht dhe se janë haptazi të paligjshme e që për to nuk kërkohet kurrfarë analize.
“Komentuesi e mban përgjegjësinë juridike për atë që e ka thënë, nëse është e vërtetë ose jo, por që nuk përjashtohet edhe media. Mirëpo, niveli i asaj që duhet të kontrollojë media nuk është vërtetësia e asaj çka thuhet, ligjshmëria e asaj çfarë thuhet. Është thjesht nëse ka këso gjuhe nxitëse, urrejtëse, përçmuese, etj, të cilat duhet t’i largojë”, tha Shala.
Sipas tij, situatë tjetër është kur e kritikon për shembull performancën e një politikani, por dallon kur ka për shembull gjuhë seksiste ndaj një deputeteje.
Por, tha se ka vështirësi monitorimi i komenteve, megjithatë sipas GJEDNJ-së, më mirë i monitoron media komentet e veta sesa personi që është subjekt i atij komenti.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi, të hënën ka publikuar raportin “Përgjegjësia e mediave ndaj komenteve të paligjshme“, gjetjet e të cilit tregojnë se komentet e postuara në lajmet e publikuara në rrjete sociale janë bërë pothuajse burim kryesor i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve, linçimit publik, kërcënimeve dhe thirrjes për dhunë. /BetimipërDrejtësi
Rexhepi: Digjitalizimi i mediave e ka bërë sfidues menaxhimin e komenteve
Brikenda Rexhepi, kryeredaktore në Grupin KOHA, tha se digjitalizimi i mediave e ka bërë më sfiduese jo vetëm nga aspekti shoqëror por edhe nga ai medial, menaxhimin e situatës me komente në media.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Rexhepi tha se konsideron që kjo situatë më shumë është problem sociologjik që mund të jetë i lidhur me atë politik.
“I përmendët premtimet, i përmendët një lloj zhgënjimi, por edhe ky aspekti tash i digjitalizimit të mediave është bërë shumë më lehtë. S’ke nevojë me elaboru shumë një fjali e publikon. Ajo që të bie më së pari në mend edhe kjo e ka bërë sfiduese jo vetëm nga aspekti shoqëror, por edhe nga aspekti medial menaxhimin e kësaj situate”, tha Rexhepi.
Ajo tha se nuk mund të ndalesh t’i lexosh 1 mijë komente një nga një për një lajm, kur ato janë më të lexuara.
“Në këtë situatë më të veçantë, duhet edhe të bëhen përpjekjet më të veçanta për me u menaxhu”, tha Rexhepi.
E njëjta përmendi se teknologjia ofron disa opsione lidhur me komentet, siç është në Facebook përfshirja e disa fjalëve (për shembull atyre banale) për t’i ndalë Facebook-u, mirëpo problemet e komentuesve në drejtshkrim, bëjnë që të mos detektohen ato.
Rexhepi tha se nuk kanë një ekip të caktuar që merren me komente, mirëpo secili prej tyre merren nga pak me këtë pjesë, posaçërisht në lajmet që janë më të lexuara.
Sipas saj, është një luftë e padrejtë brenda rrjeteve sociale, andaj është e vështirë të vendoset një lloj filtri tek komentet.
“Po mendoj që një element të cilin ne ndoshta duhet ta përfshijmë tek mediat që Facebooku e ka, është raportimi. Ti ndoshta nuk e sheh një koment, por çdoherë ekziston mundësia që dikush me raportu dhe ti menjëherë me vepru me heq atë koment prej postimit tënd”, tha Rexhepi.