TEMPUS

Maliqi: Zgjerimi i sanksioneve të SHBA-së, mesazh për disiplinim të aktorëve në rajon

Agon Maliqi

Analisti politik Agon Maliqi, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se zgjerimi i sanksioneve të SHBA-së përçon një mesazh të qartë për aktorët në rajon: ata që shkelin vijat e kuqe të politikave të sigurisë mund të përballen me pasoja.

“Besoj që mesazhi kryesor politik është se ne akoma po ju vëzhgojmë, njëfarë forme po e shohim se çka po bëni, është ritheksim i urgjencës, domethënë njëfarë lloj përpjekje me tregu që ne kemi investu. Gjithë kjo infrastrukturë e sigurisë është produkt i joni”, tha Maliqi.

Ai theksoi se ky veprim synon disiplinimin e aktorëve rajonalë, ndërsa ata që përfundojnë në listën e sanksioneve për korrupsion shpesh kanë lidhje që ndikojnë negativisht në politikat e sigurisë.

“Pra, një zyrtar i korruptum bëhet njëfarë forme i brishtë ndaj ndikimeve të fuqive të tjera për shkak se futet në rrjete të caktuara.
Pra, bëhet problem përtej korrupsionit, bëhet problem i sigurisë së atij vendi por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi Maliqi.

Ai tha gjithashtu se SHBA po jep një sinjal për Ballkanin, një rajon që tashmë shihet si periferik por ende i rëndësishëm.

“Dhe duan thonë që njëfar forme janë në fund të durimit me problemet e pazgjidhura të Ballkanit. Prandaj edhe s’kanë më durim për lojtar dhe aktorë që e zgjasin këtë lloj agonie të zgjidhjeve të cilat dihet cilat do të jenë”, theksoi ai.

Maliqi përmendi faktin se këto masa vijnë në fund të mandatit të administratës Biden, duke përfshirë ndryshime në urdhrat ekzekutivë që zgjeruan bazën e veprave të sanksionueshme.

“Ky urdhër ka ekzistu prej vitit 2001, ka pësu evoluime të ndryshme dhe vjen tani në fund të mandatit të administratës Biden, duke e zgjeru pra rrjetën e asaj se çka mund të konsiderohet vepër e sanksionueshme. Pra, duke e përfshi përpjekjen për tu angazhuar jo vetëm angazhuar”, tha Maliqi.

Ai shtoi se sanksionet më të mëdha ndaj Rusisë u vendosën gjithashtu në javët e fundit të mandatit të Biden, duke theksuar se kjo nuk është e rastësishme.

“Dyshimi im të paktën, është që kjo nuk është e rastësishme, që bëhet në këtë javë edhe sanksonet e mëdha ndaj Rusisë, më të mëdhat më të ndëshkueshme u bënë tani në javët e fundit të administratës Biden”, tha tutje Maliqi.

Sipas tij, disa aktorë rajonalë kanë penguar qëllimet strategjike të SHBA-së në mënyrë të vazhdueshme./BetimipërDrejtësi