Analisti politik Agon Maliqi ka deklaruar se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë një ndikim të madh në frenimin e sjelljeve të liderëve, duke i dhënë një efekt të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë diskutimit në emisionin “Tempus” në KTV, Maliqi theksoi se këto sanksione janë një lloj dëmi në reputacionin e individëve, duke i vënë ata nën një presion të rëndë.
Sipas Maliqit, përveç ndikimit në imazhin publik, sanksionet kanë gjithashtu efekte politike, sidomos kur bëhet fjalë për raste të korrupsionit.
Ai shtoi se mitet që përhapin disa liderë dhe diplomatë lidhur me rezistencën ndaj sanksioneve, keqinterpretimin dhe shtrëmbërimin e tyre, duhet të zhbëhen në opinionin publik.
Maliqi shpjegoi se procesi i sanksionimit është një procedurë e gjatë dhe sistematike, ku përfshihen shumë agjenci të ndryshme që vlerësojnë informacionet për një individ.
Ai theksoi se futja e një personi në listën e zezë të SHBA-së është një vendim që vërtetohet nga shumë faktorë dhe nuk është një veprim arbitrar.
“Sepse kur sanksionohet një person, duhet me pasë parasysh që ai është një proces shumë i gjatë sistematik, ku të gjitha agjencitë e ndryshme janë në tavolinë dhe japin vlerësimin e tyre, pra nuk mundet veç njëra prej agjencive me thënë ne mendojmë se ky problem është shumë problematikë, pa e verifiku të gjitha hallkat e zingjirit dhe pa pas ajo agjenci që e ngirtë këtë çështje ndonjë fakt shumë të qartë… Fakti që ti ke mbërri me futë në atë listë, aty janë bind shumë njerëz dhe nuk është diçka arbitrare e një personi, lideri apo diplomati amerikan”, ka shtuar ai.