TEMPUS

“Parandalimi i përdorimit të armëve kompetencë e organeve tjera, mungon komunikimi ndërinstitucional”

Fahret Velija

Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fahret Velija, thotë se sistemi gjyqësor mund të bëjë punë më të mirë sesa ka bërë deri tash në aspektin e politikës ndëshkimore. Por, sipas tij, parandalimi i përdorimit të armëve është kompetencë e organeve tjera.

“Kur e përmenda te çështja e parë te organet tjera, e thash në këtë kuptim se nëse përmendet që në sistem në shtetin e Kosovës janë diku 200 mijë armë përafërsisht apo sado që janë, do të thotë se vetëm 700 janë përcjellë në Gjykatë”, tha Velija.

Ai thotë se qëllimi i dënimit është t’i jepet një mesazh qytetarëve që nëse mban armë pa leje, dënohesh. E për këtë pjesë, Velija thotë se në kuptim të përgjithshëm sistemi gjyqësor mund të bëjë punë më të mirë në aspektin e politikës ndëshkimore

“Parandalimin që në start të përdorimit të armëve ose pajisjen e personave me armë e çështje tjera, besoj që janë kompetet organet tjera jo sistemi gjyqësor, përveç atij mesazhi që sistemi gjyqësor definitivisht duhet ta luajë rolin e dërgimit të mesazhit”, tha Velija.

Gjatë punës së tij si gjyqtar, ai tha se e shohin që mes organeve shtetërore ose organeve kompetente për çështje të caktuara mungon komunikimi i mirëfilltë, e që kjo ka edhe pasoja jo vetëm në rastet e armëmbajtjes, por edhe në çështje tjera.

Ai shtoi se ka rritje të lajmërimit të rasteve të përdorimit të armëve në ahengje, më pak përdorim të armëve në ahengje. Tha se nëse të gjitha institucionet gjegjëse të bëhen bashkë suksesi është i sigurt./BetimipërDrejtësi


Shala për raportin e IKD-së: Të dhënat për dënimet janë praktikisht “leje” për armëmbajtje pa leje

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se dënimet e shqiptuara nga gjykatat sa i përket armëmbajtjes pa leje, nuk po i frikësojnë qytetarët të bien ndesh me ligjin.

Nga rastet e monitoruara në vazhdimësi dhe raporti i fundit i IKD-së me titull “Dënimet me gjobë- “leje” për amëmbajtje“, Shala tha se të dhënat tregojnë se dënimet e shqiptuara nga ana e gjykatës janë praktikisht leje për qytetarët që mbajnë armë pa leje.

“Fillimisht, e përmendi edhe gjyqtari që dënimet në rastin konkret po janë të ligjshme, ligjvënësi e ka përcaktuar që dënimi në rastin konkret është me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro që i bie me minimum të përgjithshëm nga 100 deri në 7 mijë e 500 euro, apo dënim me burgim deri në 5 vite, që i bie 30 ditë nga 5 vite”, tha Shala.

Sipas tij, ka një diferencë apo diskrecion të konsiderueshëm të gjyqtarëve në këtë fushë.

Shala tha se gjetjet tregojnë se në 128 raste gjykatat kanë shqiptuar dënim me gjobë, në 18 raste kanë shqiptuar dënim me kusht dhe vetëm në një rast ka shqiptuar dënim me burgim.

Hulumtuesi theksoi se edhe mesatarja e shqiptimit të gjobave është e ulët, ku për 3 vite në asnjërin vit nuk e kalon shumën e dënimit prej 900 euro.

“Në dy vite është 600 e diçka euro, në njërin vit është pak me mbi 800 euro, mesatarja e gjobave të shqiptuara. Kur i shohim këto gjoba të shqiptuara dhe këtë politikë ndëshkimore haptazi qytetarët kanë me e konsideru si leje një dënim të tillë”, tha Shala.

Sipas tij, ky nuk është një dënim adekuat që do t’i frikësonte qytetarët që mos të bien ndesh me ligjin përkitazi me këtë çështje.

Lidhur me çështjen e recidivizmit, Shala tha se meqenëse specifikat e rasteve dhe të kryerësve dallojnë, mund të krijonin një dallueshmëri edhe në dënim. Por, shtoi se kur sheh dënime vetëm me gjobë, kjo flet për një injorim të gjykatave në raport me të që e ka cilësuar ligjvënësi.

“Ligjvënësi ka thënë kaq është minimumi, kaq është maksimumi dhe brenda minimumit dhe maksimumit operohet në bazë të qëllimit të dënimit, parimit të dënimit dhe rrethanave lehtësuese e rënduese të përcaktuara me Kodin Penal. Mirëpo, në rastin konkret nuk duket se bëhet fjalë për këtë situatë, bëhet fjalë për një shabllon të krijuar në rastin e dënimeve me burgim, që ngjajnë me dënime kundërvajtëse”, tha Shala. /BetimipërDrejtësi


Shala thotë se përgjegjësia për dënimet e ulëta për armëmbajtje pa leje u takon Themelores dhe Apelit

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se kur Gjykata e Apelit e pranon një politikë ndëshkimore, të njëjtën do ta ndjekin edhe Gjykatat Themelore. Andaj, përgjegjësia iu takon të dy shkallëve.

“Përgjegjësia ju takon të dy shkallëve, si Gjykatave Themelore si Gjykatës së Apelit, mirëpo më shumë i takon Gjykatës së Apelit, për çfarë arsye, se Gjykata e Apelit duhet me shërby si unifikues i praktikës gjqyësore edhe në raport me dënimet e shqiptuara”, tha Shala.

Hulumtuesi tha se nga analiza e tyre rezulton se në rastet kur prokurori i shtetit ka parashtruar ankesë ndaj aktgjykimeve të Gjykatave Themelore, Gjykata e Apelit ka pasur raste kur e ka ashpërsuar dënimin brenda gjobës, por nuk e ka ashpërsuar atë në kuptim të ndryshimit të dënimit nga ai me gjobë në dënim me burgim.

“Kur edhe Gjykata e Apelit e akcepton këtë politikë ndëshkimore, më pastaj të njëjtën do ta ndjekin edhe Gjykatat Themelore, e më pastaj kalojmë në një situatë të tillë ku krijohet praktikisht një shabllon i këtyre dënimeve, injorohet ajo se çka është përcaktuar me ligj dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese për ta përcaktuar se ku duhet të pozicionohet një rast i caktuar”, tha Shala.

Shala thotë se përgjegjësia kryesore i takon kryesisht Gjykatës së Apelit që ta ndryshojë këtë praktikë që ta përcaktojë dhe të japë një mesazh që në rastin konkret nuk duhet të ketë dënime të tilla.

Ai përmendi se udhëzuesi i Gjykatës Supreme është një udhërrëfyes i mirë se si gjykata duhet ta shqiptojë një dënim, pavarësisht se nuk po shihen reflektime në aktgjykimet e gjykatave. /BetimipërDrejtësi


Kadriu nga MPB: Gjuajtja me armë në festa shumë më e lartë se në rajon

Burim Kadriu nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), tha se gjuajtja me armë në Kosovë është më e lartë sesa në rajon. Ai thotë se nga fushata “Festo me zemër, jo me armë”, qytetarët kanë shpeshtuar raportimin e rasteve që kanë të bëjnë me gjuajtje në festa.

“Festo me zemër, jo me armë, është slogan i viteve më parë, mund të them rreth 20 vite nuk është se e kemi zbulu kohëve të fundit, ndonëse kemi tentu me ndryshu si slogan, megjithatë unë besoj që e kemi ndryshuar kualitetitin e fushatës sepse viteve të fundit Ministria e Punëve të Brendshme dhe jo vetëm siç e tha edhe gjyqtari, janë edhe zyrtarët e tjerë të cilët janë pjesë e institucioneve të ndryshme, rreth 15 institucioneve, duke përfshirë shoqërinë civile të cilët kontribuojnë në këtë fushatë”, tha Kadriu.

Sipas tij, raporti është në draftim e sipër dhe shumë shpejt do të jetë edhe publik.

Sa i përket fushatës “Festo me zemër, jo me armë”, ai thotë se viteve të fundit ka rritje të raportimit nga ana e qytetarëve në rastet të cilat kanë të bëjnë me gjuajtje festive.

“Pra, qytetarët kanë një vetëdije më të lartë për sa i përket këtij fenomeni”, tha Kadriu.

Sipas tij, bazuar në analiza të ndryshme, në Kosovë gjuajtja me armë nëpër ahengje është shumë më e lartë sesa në shtetet e tjera. Tha se Shqipëria këtë dukuri e ka shumë të ulët, kurse dënueshmërinë shumë të lartë.
“Te ata një posedim i armës pa leje automatikisht e parasheh burgimin prej 5 viteve”, tha Kadriu.

Aktivitete të fushatës “Festo me zemër, jo me armë”, ai tha se ka pasur edhe nëpër shkolla, tek kompanitë që merren me çështjen e armëve (si poligone, qendrat e trajnimit apo edhe nëpër dyqane të shitjes së armëve), të cilët thotë se janë munduar që t’i vetëdijesojnë për moskeqpërdorim të armëve.

Ai beson që raporti dhe fushata në vitin 2024, ka qenë më e mirë dhe më efikase.

Kurse, lidhur me pajisjen me leje për posedim të armës, Kadriu tha se në bazë të Ligjit për armët, parashihen edhe kriteret të cilat duhet t’i plotësojë një person për blerjen/posedimin e armës, si dhe arsyet pse mund ta posedojë një armë.

“Arsye mund të jetë gjuetia, shenjëtaria, armë të kategorisë D për të cilat është më lehtë të pajisen me armë dhe janë armë jovdekjeprurëse pra janë armë pneumatike, gjithashtu është edhe për personat juridik arsye e theksuar, të cilët kryejnë aktivitetin e trajnimit dhe kanë poligone të qitjes”, tha Kadriu.

Si kritere për t’u pajisur me tha se janë: personi në fjalë të jetë mbi 21 vjeç, përfundimi i një trajnimi që ka të bëjë me përdorimin e armës, të jetë i pastër nga ana e ligjit (të posedojë vërtetimin për të kaluarën kriminale), një dokument nga Qendra për Punë Sociale ku theksohet nëse personit nuk i është hequr e drejta e veprimit ligjor dhe certifikata mjekësore.

Posedimi i armës gjatë gjithë kohës me vete, tha se ka kushte specifike. Ndër to, sipas Kadriut është kur vlerësohet se është i rrezikuar dhe ka kërcënime. Por, shtoi se ka kohëve të fundit janë rritur rastet e keqpërdorimit të lejeve për armëmbajtje.
 


Velija nga KGJK: Shqetësuese që recidivistët e armëmbajtjeve pa leje dënohen njëjtë

Fahret Velija, gjyqtar dhe anëtar i Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është shqetësuese që recidivistët e armëmbajteve pa leje dënohen njëjtë.

Fillimisht, Velija foli për rëndësinë e një koordinimi të mirë nga Policia, Prokuroria, e deri tek Gjykata në raste të tilla.

Ai tha se beson që mund të jenë dënime më të ashpra brenda hapësirës që e ka lejuar ligjvënësi. Mirëpo sipas tij,  dënime më të ashpra mund të jenë gjithmonë varësisht nga rasti konkret të cilin gjyqtari e ka para vetes.

Megjithatë, shtoi se shqetësuese janë rastet e paraqitura në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, ku recividistëve u janë shqiptuar dënime të njëjta.

“I kemi gjithmonë specifikat e rastit konkret, ajo çka për mua ke shqetësuese në rastin konkret është që recidivizimi nëse e analizojmë, disa raste të paraqitura nga ana e juaj, janë disa raste që janë paraqitur si recidivizëm, ndërsa nëse e shohim në aspektin e dënueshmërisë, atëherë i kemi dënimet përafërsisht të njëjta”, tha Velija.

Sipas tij, kjo paraqet tani një sfidë ose problematikë me të cilën sistemi gjyqësor duhet të ballafaqohet. Tha se rolin e vet mund ta luajë edhe ligjvënësi.

“Rolin e vet në rastin konkret mundet me luajt shumë mirë edhe ligjvënësi. Meqenëse në raste të tilla po shohim se kemi një rritje të rasteve të tilla në Republikën e Kosovës në vitet e fundit, atëherë ndoshta edhe ligjvënësi duhet të reflektojë përveç edhe ndryshimeve të shpeshta të Kodit të cilat i kemi, shpesh kanihere edhe të pamenduara, pa analizë të mirëfilltë në praktikë, paraqet tani problem edhe për vetë sistemin gjyqësor, për shkak se kemi ndryshime të shpeshta të ligjeve në Kosovë”, shtoi Velija.

Anëtari i KGJK-së tha se barrën e paguajnë institucionet të cilat e zbatojnë ligjin, kurse shtoi se edhe ligjvënësi në rastin konkret mund të parasheh edhe dënime më të ashpra. /BetimipërDrejtësi


Velija: Gjyqësori hallka e fundit e cila merret me pasojat e armëmbajtjeve pa leje, dënimet e ulëta

Fahret Velija, gjyqtar dhe anëtar i Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), tha se gjyqësori është hallka e fundit që merret me pasojat e armëmbajtjeve pa leje, por pranoi se dënueshmëria e kësaj vepre penale nga ana e gjykatave mund të konsiderohet si shumë e ulët.

Megjithatë, Velija në “Tempus” tha se këto dënime nuk janë jashtëligjore, por janë dënime të parapara me ligj. Tha se më të shpeshta janë dënimet me gjobë.

“Vetë ligjvënësi nuk e ka parapa minimumin e dënimit tek këto raste. Por, është një dënim me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro, dhe është tani edhe dënim me burgim”, shtoi ai.

Sipas tij, politika ndëshkimore për këto vepra penale dhe të tjera, është një problem me të cilin ballafaqohet sistemi gjyqësor. Andaj, ai tha se për shkak të kësaj, Gjykata Supreme ka ripërditësuar udhëzuesin në vitin 2024.

Lidhur me këtë udhëzim, Velija tha se sistemit gjyqësor i mbetet që të shohë nëse ka ndonjë bazë ligjore, që zbatimin e këtij udhëzimi në praktikë, ta bëjë obligativ.

Në këtë udhëzim, Velija tha se i është dhënë një vëmendje e jashtëzakonshme pjesës së armëmbajtjes pa leje.

“Gjë e cila në vitet e fundit po flitet shumë, nëse e analizojmë pra edhe konform këtij udhëzimi, kemi një kapitull të veçantë i cili flet për vepra penale të armëmbajtjes, i është kushtu një vëmendje të jashtëzakonshme edhe kësaj pjese”, shtoi Velija.

Sipasj tij, përdorimi i armës në festa paraqet problem praktik, me të cilin ballafaqohen çdo ditë e më shumë.

“Meqenëse po ballafaqohemi me probleme në praktikë ku gati asnjë festë nuk mund ta çojmë që kështu ose asnjë festë familjare nuk mund të kalojë pa shkrepje me armë, pa përdorimin e armës. Kështu që ky është një problem me të cilin ballafaqohemi çdo ditë e më shumë”, tha Velija. /BetimipërDrejtësi


Kadriu: Numri më i madh i armëve ilegale mbetje nga lufta, ka rritje të atyre nga Turqia

Burim Kadriu nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se një numër i madh i armëve në Kosovë janë të mbetura nga lufta, ndërsa ka rritje të atyre që vijnë nga Turqia.

Një gjë të tillë, Kadriu e tha derisa po tregonte rreth asaj se pas përfundimit luftës më 1999, nga po hyjnë armët në Kosovë.

“Numri më i madh i armëve ilegale janë ato që kanë mbetur nga luftërat. Ndërkohë që kemi rritje të le te themi ardhjes së armëve me prodhues, ose nga prodhimet turke, pra nga Turqia, është numri më i madh i armëve të cilat konfiskohen nga ana e Policisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, rrugët më të përdorura për sjelljen e këtyre armëve, janë ato tokësore.

“Rrugët tokësore besoj se janë ato më të përdorurat në këtë rast, qoftë përmes kufirit me Maqedoninë, me Serbinë besoj se ka një numër më të madh. Kurse, me anë tjera kemi një konfiskim më të vogël”, shtoi tutje Kadriu. /BetimipërDrejtësi


Kadriu: Politikat ligjore të MPB-së kanë ndikuar në uljen e armëve ilegale në Kosovë pasluftës

Burim Kadriu nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), tha se politikat e hartuara nga MPB kanë ndikuar në uljen e armëve ilegale në Kosovë pas luftës.

“Besoj që politikat ligjore edhe ato strategjike të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë ndikuar në uiljen e këtij numri”, tha Kadriu.

I ftuar në “Tempus“, Kadriu fillimisht foli rreth një hulumtimi të opinionit publik të vitit 2014.

“Atëherë në qoftë se i referohemi hulumtimit të opinionit publik, bazuar në vitin 2014, pra është një vit para se me hy në fuqi Ligji aktual për armë. Këto statistika silleshin rreth 240 mijë armë pa leje”, tha Kadriu.

Ky hulumtim, ai tha se ka qenë ndihmesë për hartimin e ligjit të ri, i cili është i bazur edhe në direktivat e Bashkimit Evropian.

Kurse, për ligjin aktual, Kadriu tha se është në plotësim/ndryshim, bazuar edhe në analizat që bëhen herë pas here në lidhje me numrin e armëve ilegale dhe keqpërdorimit të armëve me leje.

Po ashtu, tha se ai hulumtim i ka ndihmuar ata edhe në hartimin e strategjisë për armë të vogla dhe të lehta, i cili është hartuar në vitin 2014 deri në vitin 2018.

Andaj, sipas tij, janë hartuar disa politika që kanë ndihmuar në uljen e numrit të armëve ilegale në Kosovë.

“Pra, neve kemi hartuar disa politika të cilat besoj që kanë ndihmuar në uljen e numrit të armëve ilegale në Kosovë, sepse hulumtimi paraprak që ka qenë në vitin 2004, në mos gaboj, ka cilësuar ose ka vlerësuar një numër prej më shumë se 400 mijë armë ilegale”, tha Kadriu.

Mirëpo, ai shtoi se duhet të merret parasysh edhe situata në të cilën ka kaluar Kosova pas luftërave.

“Natyrisht, që duhet të kemi parasysh edhe situatën të cilën ka kaluar kosova pas luftërave, edhe jo vetëm Kosova, sepse vitet e ’90–ta, ose me shpërbërjen e Jugosllavisë neve kemi pasur në qarkullim armë të ndryshme të vogla edhe ai numër normalisht, ato armë, kanë ndikuar edhe në numrin ilegal të tyre”, shtoi ai. /BetimipërDrejtësi