TEMPUS

Humolli: Si shtet s’kemi vizion të qartë se si duhet të luftohet korrupsioni

Albesa Humolli ne "Tempus"

Albesa Humolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në emisionin “Tempus” në KTV, ka numëruar sfidat kryesore që e pengojnë luftimin efektiv të korrupsionit në Kosovë. Sipas saj, mungesa e një vizioni të qartë dhe strategjie konkrete për këtë fenomen, mbetet ndër problemet më serioze.

“Korrupsioni vazhdon të mbetet ndër problemet kryesore në Kosovë, dhe kjo është arsyeja pse besimi i qytetarëve në institucione është shumë i ulët. Kemi një reformë që është nisur për luftimin e korrupsionit dhe institucione të mandatuara për këtë qëllim, por këto institucione nuk kanë kapacitete të mjaftueshme as financiare dhe as humane për ta luftuar korrupsionin”, theksoi Humolli.

Ajo kritikoi Qeverinë aktuale për mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit, duke theksuar se kjo qasje tregon se si shtet nuk ka një plan të qartë për t’iu qasur këtij fenomeni.

“Për herë të parë kemi një Qeveri që përfundon mandatin pa pasur një Strategji për luftimin e korrupsionit. Përveç kësaj, sistemi gjyqësor vuan nga mungesa e hetimeve të mirëfillta, ndjekja e pamjaftueshme e rasteve të korrupsionit dhe aktakuzat e dobëta nga Prokuroria. Edhe kur aktakuzat janë cilësore, vonesat në procedura çojnë në parashkrimin e dënimeve”, shtoi ajo.

Sipas Humollit, këto probleme kanë rezultuar në zbehjen e mëtejshme të besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore dhe në mungesën e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit.

“Zvarritjet dhe dështimi për të dhënë dënime efektive vetëm sa e përkeqësojnë situatën”, tha ajo, duke kërkuar masa të menjëhershme dhe një qasje të qartë për trajtimin e korrupsionit.


Humolli: Ligji për sinjalizuesit i mirë në letër, por sfidues në praktikë

Albesa Humolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka ndarë gjetjet e monitorimeve lidhur me zbatimin e Ligjit për Sinjalizuesit në institucionet publike në Kosovë. Sipas saj, derisa Ligji ofron një bazë të mirë teorike, zbatimi i tij në praktikë është larg të qenit efektiv dhe nuk përputhet me realitetin kulturor të vendit.

“Ky është viti i tretë që monitorojmë zbatimin e Ligjit për Sinjalizuesit në institucionet publike. Perceptimi i përgjithshëm është se kemi një kornizë ligjore të mirë, por ligji po del të jetë më shumë i mirë në letër sesa në praktikë”, tha Humolli në “Tempus“ të KTV-së.

Ajo theksoi se shumë institucione publike nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për të caktuar një zyrtar përgjegjës për sinjalizim. Edhe në rastet kur është caktuar një zyrtar i tillë, shpesh kjo është bërë vetëm si formalitet, pa u marrë parasysh kualifikimet apo aftësitë e nevojshme.

“Vetë ligji nuk përcakton kritere të qarta për kualifikimet e zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim. Në disa raste, personat që punojnë në IT janë caktuar si zyrtarë përgjegjës, të cilët e kanë konsideruar shumë sfiduese trajtimin e raportimeve në përputhje me ligjin dhe ofrimin e zgjidhjeve për sinjalizuesit”, shtoi ajo.

Një tjetër mangësi e identifikuar nga KDI është mosnjoftimi i stafit institucional kur caktohet një zyrtar përgjegjës për sinjalizim, gjë që kufizon më tej efektivitetin e sistemit të sinjalizimit.

“Në vitin 2024, kemi pasur disa raste të sinjalizimeve publike, por numri mbetet shumë i ulët krahasuar me parregullsitë që raportohen në media. Sinjalizimi, që duhet të ishte një armë kryesore në luftën kundër korrupsionit, nuk po përdoret nga sinjalizuesit, pasi ata nuk ndihen të mbrojtur në praktikë”, theksoi Humolli. 

Lexo përditësimet tjera
IKD

Cilat aktivitete do të shënojnë Javën Kundër Korrupsion 2024 nga shoqëria civile?

Përfaqësuesit e shoqërisë civile treguan të hënën në “Tempus” se cilat aktivitete do të shënojnë Javën...