Prokurorja Mehreme Hoxha, ka thënë se rastet e dhunës në familje nuk duhet të trajtohen me komoditet dhe se secili duhet të jep llogari për trajtimin e këtyre rasteve.
“Në trajtimin e këtyre rasteve si prokurorë asnjëherë nuk guxojmë të jemi komod, trajtimin e rasteve bëjmë ashtu në harmoni me ligjet të cilat i kemi në fuqi, po ashtu dhe me Konventën e Stambollit, e cila është e inkorporuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kështu që për punën tonë ne do të japim llogari, patjetër që do japim, qoftë unë, qoftë prokurorët të cilët trajtojnë këto raste të dhunës në familje që janë raste aq të ndjeshme që ndodhin përbrenda një kulmi të shtëpisë, përbrenda një marrëdhënie familjare, përbrenda një viktime të ndjeshme e cila shpeshherë të shumtën e rasteve mund të jetë fëmijë që s’mund ta raportojë rastin, mund të jetë i moshuar që s’mund ta raportojë rastin”, ka deklaruar Hoxha në emisionin “Tempus” në KTV.
Ajo ka deklaruar se shpeshherë dalin si prokurorë të promovojnë punën e tyre nëpër shkolla, nëpër emisione të ndryshme.
Prokurorja ka thënë që raportimet e rasteve të dhunës në familje tani janë më të lakmueshme sesa më parë dhe se nga viti 2017 e tutje rastet trajtohen me përpikëri
“Ndodh që ka raste do të thotë që janë të izoluara dhe mund të dështojnë, po ndoshta s’mund të jetë fajtor një prokuror, ndoshta diku tjetër ka dështuar një hallkë tjetër që siç përmenda personat me çrregullim mendor dhe personat që janë të varur nga mjetet dehëse nuk trajtohen ashtu siç duhet, s’kemi institucione të posaçme ku këta persona trajtoheshin që rasti ka qenë”, ka deklaruar ajo.
Prokurorja Hoxha ka përmendur se para 3-4 vjetësh në Prizren një person me çrregullime mendore nga mos trajtimi i saktë nëpër spitale, neuropskiatri, forenzikë, ka ardhur deri tek një viktimë.
“Ai person do të thotë ka eskalu në familje dhe ka ndodhur një viktimë, kështu që nuk bën të mbetet faji vetëm te Prokuroria po duhet të jetë gjithëpërfshirës, shiqohet ku ka ngec ajo hallkë që nuk është punuar, thash që ne patjetër që do të jemi llogaridhënës në punën tonë”, ka deklaruar Hoxha.
Hoxha: Rastet e dhunës në familje trajtohen me prioritet, nëse një hallkë këputet rasti dështon
Prokurorja Mehreme Hoxha, ka theksuar se rastet e dhunës në familje trajtohen me prioritet dhe se secila prokurori në Republikën e Kosovës ka koordinator të dhunës së familjes.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e vet të mbajtur në maj të vitit 2017 bazuar në procedura standarde të veprimit, ka rekomanduar të gjithë kryeprokurorët të prokurorive të Republikës së Kosovës të caktojnë koordinator të rasteve të dhunës në familje dhe zëvendëskoordinator për këto raste, për trajtimin e këtyre rasteve”, ka deklaruar Hoxha në emisionin “Tempus” në KTV.
Ajo ka thënë se në Prokurorinë Themelore të Prizrenit qysh në qershor të viti 2017 kryeprokurori i ka caktuar koordinatorin për raste të dhunës në familje, që është ajo dhe zëvendëskoordinatorin për trajtimin e këtyre rasteve.
“Me të marrë punën ne i dimë detyrat dhe punët tona se si të trajtohen këto raste, jemi specializuar, kemi marrë trajnime të shumta, kështu që këto raste nëpër gjitha prokuroritë po edhe në Prokurorinë Themelore të Prizrenit trajtohen me prioritet, me urgjencë. E mira e këtyre lëndëve është se të gjitha këto lëndë, të gjitha këto raste për t’u vërtetuar gjendja faktike sa më mirë dëgjohen viktimat, dëgjohen dëshmitarët, dëgjohen të pandehurit që janë kryerës të këtyre veprave penale, shumica prej tyre recidivistë, shumica prej tyre persona me çrregullime mendore përbrenda marrëdhënies familjare”, ka deklaruar Hoxha.
Ajo ka theksuar se koordinator të rasteve të dhunës në familje, kanë obligim që çdo 3 muaj të mbajnë takime me gjithë mekanizimin e dhunës në familje për të luftuar këtë dukuri.
“Në ato takime marrim pjesë duke filluar nga zyrtarët policorë, të cilët po ashtu janë të specializuar enkas për rastet e dhunës në familje, secili stacion ka të trajtuar 2-3 varësisht prej nevojës për t’u trajtuar këto raste, kështu që mblidhemi marrin pjesë Policia, Prokuroria, Gjykata, Qendrat për Punë Sociale, mbrojtësit e viktimave, Shërbimi Sprovues, qendrat e shëndetit mendor, emergjencat e spitaleve rajonale, drejtorët e qendrave rajonale të shëndetësisë, nga Ministria e Arsimit, Avokati i Popullit, do të thotë gjithë këto hallka të cilët luftojnë këtë dukuri të shëmtuar”, ka shtuar ajo.
Prokurorja ka deklaruar se aty përmenden të gjitha sfidat, të arriturat, por që nuk janë komod në këto raste sepse janë të gjitha të ndjeshme që ndërlidhen gjithherë me thënien me nocionin dhunë në familje, që ndërlidhet me viktimën e ndjeshme dhe marrëdhënien familjare.
Sipas saj, të gjithë akterët e lartcekur merren me rastet e dhunës në familje dhe nëse njëra hallkë të këputet, dështon rasti.
Prokurorja Hoxha: Gratë prokurore, pak të përfaqësuara në pozita udhëheqëse
Prokurorja Mehreme Hoxha, ka thënë se gratë prokurore janë pak të përfaqësuara në pozita udhëheqëse.
“Nga numri i përgjithshëm prej 183 prokurorë aktualë, prej tyre janë 75 gra. Ndërsa, sa i përket pozitave menaxheriale në asnjë prokurori të Republikës së Kosovës nuk ka ndonjë grua që udhëheqë me prokuroritë, kryeprokurorë - prokurorive bazë, përveç asaj që në Prokurorinë Themelore të Prishtinës kemi një zëvendëse grua, po ashtu edhe në Prokurorinë Themelore të Prizrenit kemi një zëvendëse të prokurorisë”, ka deklaruar prokurorja, në emisionin “Tempus” në KTV.
Ajo ka theksuar se kanë edhe disa statistika të tjera sa i përket përfaqësimit të grave prokurore, që promovohet barazia gjinore.
“Që është një zëvendësuese-kryesuese e Këshillit Prokurorial të Kosovës njëherit edhe anëtare e komisionit për rekrutimin e prokurorëve dhe anëtarëve e komisionit për transferim dhe avancim të prokurorëve të shtetit, një anëtare të KPK-së dhe kryetare të komisionit për buxhet dhe financa, një anëtare tjetër e komisionit për administrimin e prokurorive, një anëtare e komisionit për buxhet dhe financa, dy zëvendëskryeprokurore, dy anëtare të KPK-së, përkundër faktit deri në mars të këtij viti kanë qenë tri gra prokurore në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas saj, krahas 11 anëtarëve që i ka tani KPK-ja pritet që edhe një anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës t’i bashkohet Këshillit Prokurorial, duke shpresuar të jetë grua.
Hoxha ka theksuar se sistemi prokurorial dëshmon zhvillime të shumta pozitive.
“Kur bëhet fjalë për sistemin prokurorial i cili dëshmon zhvillime të shumta pozitive për barazinë gjinore, përfshirjen, diversitetin dhe përfaqësimin e barabartë në KPK, që ka ndërmarrë hapa pozitiv në këtë drejtim sidomos në adresimin më të mirë të dhunës në bazë gjinore duke emëruar prokurorë të specializuar për të luftuar dhunën në familje dhe trajtimin e këtyre rasteve, duke u bazuar në Ligjin për barazi gjinore dhe Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi i gjitha formave”, është shprehur Hoxha.
Kurse në administratën e sistemit prokurorial, ajo ka deklaruar se janë të punësuara 380 gra, e në pozita udhëheqëse 20 gra.