Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se në vitin 2023 Policisë i janë shtuar rreth 160 zyrtarë policorë nga komunitetet, shumica e të cilëve serbë.
“Ne kemi shpallur gjatë vitit 2023 dy konkurse të veçanta për minoritarë të cilët kanë shprehur interesim të punojnë në Policinë e Kosovës në pjesën veriore të vendit. Nga konkursi i parë janë pranuar diku 79 zyrtarë policorë të cilët janë caktuar për të punuar në atë pjesë, jo të gjithë pjesëtarë të komunitetit serb, ka edhe boshnjakë, ashkalinjë, e të tjerë, por që shumica prej tyre e flasin gjuhën serbe dhe janë më lehtë të pranueshëm dhe po ashtu mund t’i shërbejnë dhe besimi do të jetë më i madh në Policinë e Kosovë, po shumica kanë qenë serbë”, ka theksuar Hoxha në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka thënë se tashmë në Akademinë Policore të Kosovës, atje ku kryen trajnimet themelore, është një grup.
“Grupin e dytë rreth 80 zyrtarë, shumica janë serbë, pastaj edhe tjerë, edhe boshnjakë, ashkalinjë, ku me datën 18 do të bëhet edhe diplomimi dhe do të caktohen në pjesën veriore dhe do të trajnojmë deri në arritjen e numri t të plotë që është diku 300”, tha Hoxha.
