Banjska

Fazliu: Publikimi i shumë provave dëmton hetimet, të pandehurit mund të ndërtojnë mbrojtjen

Shqipdon Fazliu

Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Shqipdon Fazliu, derisa ka folur për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ka theksuar se publikimi i shumë provave mund të dëmtojë hetimet.

Fazliu ka deklaruar se ka shumë raste të cilat depërtojnë në medie dhe pastaj jepen gjykime se si duhet të jetë epilogu përfundimtar i tyre.

“Do të thosha se nuk është vetëm ky rast. Për fat të keq, në Kosovë shumë raste depërtojnë në media, ndoshta ndonjëherë dëmtohen edhe hetimet. Ky është një rast më specifik, por në përgjithësi po them se nuk është vetëm ky rast. Ka shumë raste të cilat depërtojnë në media të cilat diskutohen, mandej dhe shpesh jepen gjykime në opinion se si duhet të përfundojë rasti. Mirëpo, do të ishte mirë që gradualisht me kalimin e kohës të vetëdijesohemi të gjithë duke përfshirë edhe institucionet e drejtësisë, por edhe mediat edhe të tjerët që të publikohet ajo që nuk i dëmton hetimet”, ka theksuar Fazliu në emisionin “Tempus” në KTV.

Po ashtu, prokurori Fazliu ka thënë se publikimi i rasteve mund të shfrytëzohet nga të pandehurit që pastaj ata të ndërtojnë mbrojtjen e tyre.

“Po besoj që interes parësor i të gjithëve duke përfshirë mediat edhe qytetarët është megjithatë që një rast të hetohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të jepet një aktgjykim përfundimtar dhe meritor në bazë të provave që janë grumbulluara e më pastaj rasti i tillë mund t’i nënshtrohet një analizë që mund të bëhet nga mediat, mirëpo jo të ndërhyhet në fazën fillestare të publikohen detaje të cilat ndonjëherë mund t’i shkojnë… gjithmonë sigurisht pa dashje bëhen këto që t’i shfrytëzojnë të pandehurit dhe ta ndërtojnë edhe mbrojtjen e tyre”, është shprehur ai.


Fazliu tregon ku ndodhen hetimet dhe pse s’ka ende aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë

Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Shqipdon Fazliu, ka folur për fazën në të cilën gjendet hetimet për sulmin terrorist në Banjskë dhe për atë se pse ende nuk është ngritur aktakuzë.

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Fazliu ka thënë se rasti trajtohet nga Prokurori i Shtetit dhe se janë ndërmarrë veprime të panumërta hetimore.

“Janë urdhëruar analiza, ekspertiza të shumta, të cilat kërkojnë kohë për t’u shtjelluar dhe për t’u pranuar. Prokurori i rastit është plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e rastit, jo vetëm të këtij por të secilit rast, është fat që sidomos në sferën e konfiskimit e kemi prokurorin që po e trajton rastin në fjalë”, është shprehur prokurori Fazliu.

Sipas tij, nëse shikohen statistikat në pesë vitet paraprake para vitit 2023, ishin rreth 3 milionë euro të pasurisë së paligjshme të konfiskuar, kurse vetëm në vitin 2023 kemi 23.5 milionë euro pasuri të konfiskuar përfundimisht.

“Shumica dërmuese e rastit ka të bëjë pikërisht me këtë rast. Ajo që është jashtëzakonisht e madhe dhe e rëndësishme për t’u theksuar në këtë rast është se për herë të parë në përmasa të tilla është përdorur neni 276 i Kodit të Procedurës Penale, që përndryshe flet për konfiskimin automatik”, ka theksuar Fazliu.

Prokurori ka thënë se janë konfiskuar dy automjete të blinduara, 26 automjete tjera, motorë ushtarakë, ekskavatorë si dhe para rreth 10 mijë euro.

Ai ka theksuar se të pandehurit dyshohen për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, vepra penale terroriste dhe të tjera.

Prokurori Fazliu ka deklaruar se sa i përket ngritjes së aktakuzës, duhet të kuptohet se ka shumë të pandehur, bëhet fjalë për raporte të shumta, analiza dhe ekspertiza të ndryshme, ndërsa shtoi se është rast i komplikuar dhe merr kohë për të ecur sipas hapave që kërkon Kodi i Procedurës Penale.


Fazliu: Sekuestrimi u bë nga prokurori me vendim të gjykatësit, Policia me merita të jashtëzakonshme

Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka thënë se sekuestrimi i pasurisë në rastin e Banjskës u bë nga prokurori me vendim të gjykatës.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Fazliu ka deklaruar se Policia ka merita të jashtëzakonshme në këtë rast, ndërsa theksoi se derisa rasti ka të bëjë me konfiskim kaq të madh të pasurisë, është deri diku e kuptueshme që secili të tentojë të marrë merita.

“Një pjesë e këtyre pajisjeve tashmë i kanë shkuar Policisë së Kosovës, një pjesë do t’i shkojë Forcës së Sigurisë së Kosovës, kurse një pjesë që janë të papërdorshme ose jofunksionale do t’i jepen Muzeut të Kosovës”, ka theksuar ai, duke folur për pajisjet e sekuestruara.

Sipas tij, reagimi i Policisë dhe mbledhja e provave është meritë e të gjitha institucioneve të drejtësisë.

“Mendoj që kanë merita të gjithë, duke filluar nga Policia e Kosovës. Sekuestrimin natyrisht që e ka bërë prokurori në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, vendimin e ka marrë gjykatësi”, ka theksuar Fazliu.


Fazliu: Rasti “Burdushi” dhe një tjetër i shpëlarjes së parave, ndër rastet më të suksesshme të konfiskimit më 2023

Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se rasti i Hysri Peqanit i njohur si Burdushi dhe një tjetër i shpëlarjes së parave, janë dy rastet më të suksesshme të konfiskimit të pasurisë në vitin 2023.

Prokurori ka përsëritur faktin se në vitin 2023, Kosova ka arritur rekord të shifrave të konfiskimeve.

Sipas tij, krahas rasti të Banjskës, rast tjetër i konfiskimit të pasurisë është ai i Burdushit, i cili është dënuar dhe i është konfiskuar pasuria.

“Duke filluar nga ngastra kadastrale, shtëpi, lokale afariste si dhe shtatë vetura secila më luksoze se tjetra”, është shprehur Fazliu.

Kurse, për periudhën 2022-2023 ka përmendur si sukses një rast të të shpëlarjes së parave, ku shuma prej 1 milion eurove është derdhur në buxhetin e Republikës së Kosovës.

“Ky rast ka qenë i punuar në një mënyrë të tillë që ka bërë jehonë ndërkombëtare”, ka theksuar prokurori, duke shtuar se ishte radhitur si rasti i pestë më i mirë në botë në periudhën prej 6 viteve.