Shemsedin Dreshaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se rritja e pensioneve është një lëmoshë e re për pensionistët në prag të fushatës zgjedhore.
“Një pension nënkupton një vlerësim meritor të kontributit tuaj që në momentin kur nuk jeni të aftë të kontribuoni të mos jeni barrë e shtetit. Realisht është bërë ajo që e përmendi deputeti Bekimi (Haxhiu) që në filim të pandemisë i është dhënë pensionerit 20 euro për mbijetesë gjatë pandemisë dhe tash e njëjta i është kthyer pas një inflacioni katastrofik që e ka pas vendi”, tha Dreshaj.
Dreshaj tha se kjo Qeveri me një program të majtë, me një legjislaturë të propozuar në agjendën legjislative të majtë, nuk solli asnjë ligj bazik që do ta përmirësonte situatën në shoqëri, por ligje sektoriale të segmenteve të caktuara që nesër duhet të harmonizohen me ligjin bazik nëse ai bëhet.
“Më i vogli çka ka qenë, ka qenë Ligji për skemat pensionale që ne kemi pas për pensionistët kontributdhënës, në të cilin vërtetë kemi punuar pozitë e opozitë kemi punuar, por në fund ‘gjarpri i tregoi dhëmbët’, pasi i rregulluam e përfunduan krejt, erdhëm në dakordim, në mbledhjen e fundit nuk ekzistonte dëshira që të implementohet”, tha Dreshaj.
Deputeti Dreshaj duke folur për pensionin kontributdhënës, tha se ai Ligj është joekzistent.
“S’ka ligj, që të dilni në pension kontributpagues, ju duhet të jeni të punësuar 30 dhjetor të viti 1983, është 15-vjetëshi i famshëm… Kosova nga qershori i vitit 1999 e deri në shtator të vitit 2002, qytetari i punësuar nuk ka pasur ku të kontribuoj, s’ke pas as vend ku me kontribu, për me i nda kontributet për sigurimet tuaja shëndetësore”, tha Dreshaj. /BetimipërDrejtësi
