Besart Dreshaj, kryetar i Lidhjes së Bizneseve, thotë se gjendja ekonomike dhe ajo e mirëqenies sociale, në Raportin e Bankës Botërore, është paraqitur ajo që është edhe në realitet në Kosovë.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Dreshaj tha se Lidhja e Bizneseve ka pranuar raportin e Bankës Botërore dhe ka bërë disa analiza.

“Për fat të keq, gjendja ekonomike është paraqitur kjo që është dhe gjendja e mirëqenies sociale është kjo që është, që është raportuar në bazë të statistikave dhe Raportit të Bankës Botërore. Jemi në nivel të lartë të varfërisë në rajon duke e krahasur me shtetet e regjionit dhe kemi rritje ekonomike prej 3.8% e cila rritje ekonomike vlerësohet pozitive, por për fat të keq nëse analizojmë bazën dhe gjendjen në të cilën e kemi ekonominë, atëherë është rritje e vogël ekonomike që nuk reflekton fare në mirëqenien e qytetarëve”, tha Dreshaj.

Ai shtoi se kjo paraqet gjendjen në të cilën jemi si Kosovë dhe gjendjen e politikave ekonomike që institucionet po i ndjekin.

Dreshaj tha se Lidhja e Bizneseve ka ngritur shqetësim dhe ka nevojë të ndryshojë çështja e të bërit biznes dhe politikave ekonomike dhe fiskal, pra të ndryshojë qasja e Qeverisë ngase nuk po jep rezultat në zhvillim të ekonomisë.

Ky raport i Bankës Botërore, ai tha se është si këshillë dhe rekomandim ndaj institucioneve. /BetimipërDrejtësi

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve: Duhet të bëhet një reformë rrënjësore dhe ndryshim i politikave fiskale

5 muaj më parë / 21 tet 2024 21:36
Besart Dreshaj

Besart Dreshaj, kryetar i Lidhjes së Bizneseve, tha se duhet të bëhet një reformë rrënjësore dhe ndryshim i politikave fiskale.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Dreshaj tha se ato do të ndikonin në rritjen ekonomike dhe në mirëqenien e qytetarëve.

“Duhet të bëhet një reformë rrënjësore. Duhet të bëhen përgatitje në politikat fiskale të cilat do të ndikonin në rritjen e të punësuarve dhe direkt do të ndikonin në rritje ekonomike dhe në mirëqenien e qytetarëve”, tha Dreshaj.

Ai tha se gjendja eekonomike dhe financiare e bizneseve nuk është e mirë për të zgjeruar dhe për të rritur.

Dreshaj tha se si sektor privat, janë të gatshëm që të mbështesin edhe rritjen e numrin e të punësuarve edhe politikat e tjera biznesore. /BetimipërDrejtësi

“Qeveria ka refuzuar edhe gazin Amerikan, Kosova u ndërtua mbi besimin në këta miq”

5 muaj më parë / 21 tet 2024 21:35
Mustafë Kadriaj

Mustafë Kadriaj, profesor i Ekonomisë, tha se Qeveria e Kosovës e ka refuzuar edhe gazin amerikan.

Këtë, Kadriaje tha gjatë emisionit “Tempus” në KTV, ku shtoi se Kosova është ndërtuar mbi besimin në këta miq.

“Kjo Qeveri e ka refuzu edhe gazin amerikan se çdo gjë e sheh me dyshim. Mentaliteti i kësaj Qeveri është se edhe miq ndërkombëtarë edhe bashkëpunëtorët i sheh me një lloj dyshimi. Nuk shkohet kështu. Kosova është ndërtuar mbi bazën e besimit të këtyre miqve”,  tha Kadriaj.

Profesori Kadriaj tha se raportin e Bankës Botërore, Qeveria duhet ta shoh si shqetësim dhe të reflektojë në sjellje.

“Qeveria duhet ta lexojë shumë drejt dhe në fakt në njëfarë mënyre duhet të shqetësohet dhe të jetë shumë e qartë që jo ta atakojë këtë raport por ta sheh si diçka që s’është puna e mirë me qasjen dhe sjelljen e të qeverisurit”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se Kosova ka nevojë për bashkëpunim me vendet e rajonit pasi sipas tyre raporti i Bankës Botërore ka pasqyruar që Serbia dhe Shqipëria kanë pasur rritje ekonomike si rezultat i politikave ekonomike të tyre dhe investimeve.

Kadriaj përmendi se raporti thotë që nëse Kosova vazhdon pa investime, atëherë nuk do të jetë asgjë e sigurt. /BetimipërDrejtësi

Kadriaj: Mendimi i cilitdo ekspert për këtë Qeveri është i papranueshëm

5 muaj më parë / 21 tet 2024 21:34
Mustafë Kadriaj

Mustafë Kadriaj, profesor i Ekonomisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se mendimi i ekspertit për këtë Qeveri është i papranueshëm.

Lidhur me deklaratën e ministrit të Financave Hekuran Murati se “kush e ka lexuar një libër e kupton se papunësia në Kosovë është ulur dhe ka zhvillim ekonomik”, Kadriaj tha se i është dukur shprehje naive dhe për t’i plotësuar apetitet e militantëve.

“Një mendim i një eksperti gjithmonë për këta është i papranueshëm, sa që edhe tash në njëfarë mënyre nuk po pajtohen me një raport çfarë është ai i Bankës Botërore”, tha Kadriaj.

Gjithashtu, Kadriaj shtoi se pak më herët ka qenë raporti i Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili e ka renditur Kosovën në nivelin më të ulët të mirëqenies.

“Dhe nuk është e tepërt t’ua rikujtojmë qytetarëve dhe kujton se rritja ekonomike dhe zhvillimi ekonomik kanë dallim sepse rritje ekonomike ka edhe Kina, por zhvillim ekonomik nuk ka në raport me Japoninë dhe SHBA-në”, tha ai.

Sipas tij, rritja ekonomike mund të përfaqësojë rritjen e prodhimit dhe shitjeve, por nuk do të thotë që buxheti i krijuar përkthehet në përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, në shëndetësi apo arsim, ku dimë që një pjesë e Kinës ende jeton në kushte të vështira.

Gjithashtu, Kadriaj tha se edhe nëse kemi pasur rritje ekonomike, prapë do të kemi brishtësi si rezultat i problemeve politike të cilat i kanë ngritë ato brishtësi.

“A edhe nëse kemi pas rritje dhe jemi dy shtete në rajon që kemi rritje të lartë, atëherë prapë kemi brishtësi si rezultat i problemeve politike të cilat i kanë ngritë ato brishtësi, e sidomos ne jemi të parët të cilët e kemi këtë problem”, tha Kadriaj.

Sipas tij, gjetjet e Raportit të Bankës Botërore tregon gjendjen reale. Tha se fakt është se Kosova dhe Serbia e kanë rriten më të madhe në rajon.

Duke folur për konsumin, ai tha se pjesën më të madhe e kemi nga ana e importit, ku janë ngufatë prodhimet vendore dhe biznesi.

Kadriaj tha se inflacioni është rëndesë e shportës së konsumit.

“Banka Botërore nuk e ka përmendur në asnjë vend që kjo rritje ekonomike ka ardhur si rezultat i reformave të Qeverisë. Do të thotë, nuk përmenden në asnjë vend as investime nga ana e Qeverisë, pra edhe pse ka pasur një rritje duhet të jemi të qartë që qytetari në fakt diaspora e ka bërë këtë rritje”, tha Kadriaj.

Ai tha se nuk e di pse i duket e papranueshme kjo shifër ministrit të Financave, duke shtuar se pjesa dërmuese e të punësuarve janë në sektorin privat.

“Kjo Qeveri si duket çdo raport tenton ta kontestojë, ndash ke vendor ndash ndërkombëtar”, tha Kadriaj. /BetimipërDrejtësi

Bega: Kosova ka qenë e bllokuar nga sanksionet, Qeveria e interpreton si ulje të borxhit publik

5 muaj më parë / 21 tet 2024 20:53
Erton Bega

Erton Bega, njohës i ekonomisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kosova ka qenë e bllokuar për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj saj, të cilën gjë Qeveria e ka interpretuar si ulje të borxhit publik.

“Qeveritë njihen për këto 3-4 interpretimet e statistikave në favor të vetin. Shembull; nëse marrim këto vitet e fundit të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës, Kosovës iu është pamundësu heqja e disa ndihmave financiare duke përfshirë edhe disa kredi si Procesi i Berlinit. Domethënë ka qenë e bllokuar”, tha Bega.

Ai tha se borxhi publik është ulur për arsye që Kosova nuk ka pasur mundësi që të marrë borxh dhe jo që është synuar ulja e tij.

“Qeveria këto i interpreton si ulje të borxhit publik. Borxhi publik është ulur për arsye se s’ka mujtë me marrë borxh e jo për shkak se kanë synu me e ulë borxhin publik për shkak se Kosova e ka borxhin publik shumë të ulët për arsye se është shtet i ri dhe sillet në rreth 40 % të GDP-së”, tha Bega. /BetimipërDrejtësi

Bega: Shkalla reale tregon që kemi shumë më pak të punësuar, norma e varfërisë ka mbetur e njëjtë

5 muaj më parë / 21 tet 2024 20:52
Erton Bega

Erton Bega, njohës i ekonomisë, tha se shkalla reale tregon që kemi shumë më pak të punësuar dhe se norma e varfërisë ka mbetur e njëjtë vitet e fundit në Kosovë.

“Kosova vazhdon ta këtë normën më të ulët të punësimit në rajon, rreth 37 %, ku në vendet e rajonit është mbi 65 %. E njëjta normë mbi 70% është në vendet e Bashkimit Evropian. Pra, shkalla e punësimit real të popullatës tregon që ne kemi një numër shumë të vogël të të punësuarve në tregun e punës në Kosovë. Kjo për rrjedhojë të shumë faktorëve sociologjik se nëse për çdo 6 veta-qytetarë të Kosovës janë të painteresuar për të punuar, atëherë nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik, por mund të flasim për trend të normalizimit të vendeve të punës”, tha Bega.

Bega tha në “Tempus” se qytetarët e kanë kuptuar rëndësinë e Trustit atëherë kur u bë shpërndarja e tij si mjet për t’u përballur me inflacionin. Kjo ngase sipas tij, shumë persona e kanë paguar por nuk e kanë ditë çka është.

“Janë bërë disa faktorë bashkë që kanë ndikuar që të rritet deklarimi i punëtorëve dhe për rrjedhojë shkalla e punësimit është rritur, por nuk është ulur shkalla e papunësisë sepse nëse ulet shkalla e papunësisë, atëherë do të ulej edhe norma e varfërisë dhe në Raportin e Bankës Botërore e shohim që norma e papunësisë është ulur jashtëzakonisht shumë, por norma e varfërisë ka mbetur ajo që ka qenë në 3-4 vitet e fundit”, tha Bega.

Njohësi i ekonomisë tha se rezultatet e Bankës Botërore janë pasqyrë e bazuar në të dhënat që publikohen nga Agjencia e Statistikave dhe institucionet e tjera në Kosovë, të cilat pasqyrojnë në mënyrë reale zhvillimet e fundit në ekonominë e Kosovës.

“Për dallim prej shteteve të Evropës nga një mijë persona atje, rreth 700 janë të interesuar për të gjetur punë. Në Kosovë kjo normë është shumë e ulët dhe sillet rreth 400. Domethënë jemi rreth dyfish më poshtë se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Bashkimit Evropian sa i përket interesimit për të punuar”, tha Bega.

Ai tha se ka shumë faktorë që e kanë sjellë popullsinë e Kosovës në këtë gjendje. /BetimipërDrejtësi