Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë probleme, pasi që ata ftohen në disa grupe punuese për hartimin e ligjeve, ndërsa në disa të tjera jo.
Demolli-Nimani tha që ligjet po bëhen të mira, mirëpo ngecja gjithherë po qëndron në praktikë dhe një gjë e tillë sipas saj po ndodhë në dy ligje: Ligjin për Konfliktin e Interesit dhe Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
Tutje, ajo theksoi se organizata FOL është marrë shumë me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve që nga miratimi i tij qoftë në sektorin privat dhe publik dhe është e dhimbshme se sa pak zbatohet ky ligj, që sipas tyre ka qenë një nga mekanizmat kyç në luftimin e korrupsionit.
Ajo gjithashtu diskutoi çështjen e Ligjit për Byronë, për të cilin theksoi Gjykata Kushtetuese e ktheu nga fillimi.
“Nuk di nëse ndonjë prej organizatave ka qenë pjesë e grupeve punues për ligjin e ri që sipas ministres veç është bërë drafti i parë, edhe këtu kemi pak probleme sa i përket kësaj qasje, pasi që në disa ligje ftohesh në grupe punuese e në disa tjera jo”, tha ajo.
Demolli-Nimani gjithashtu tha që pjesa e konsultimeve publike sipas saj po bëhet sa për sy e faqe.
“Pjesa e konsultimeve publike konsideroj që po bëhet veç sa për sy e faqe dhe jo që po merren imputet që gjithmonë janë dhënë prej shoqërisë civile”, tha ajo.
