TEMPUS

Demolli-Nimani: Duhet rishikuar edhe një herë Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, s’po funksionon si duhet në kontekstin tonë

Mexhide

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, tha se Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve duhet të rishikohet, për shkak se si i tillë, nuk po funksionon në kontekstin e Kosovës.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Demolli-Nimani tha se sinjalizuesit që nuk kanë besim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe bëjnë sinjalizim publik, nuk e gëzojnë asnjë mbrojtje.

“Sinjalizuesja (Makfirete Dibrani- sinjalizuese e MMPHI-së) që na edhe e kemi pasur në Javën Kundër Korrupsionit dhe na si organizata i kemi dhënë çmim për punën që e ka bë dhe guximin që e ka tregu, shumë ka vuajt. Ka mbërri derisa në atë nivelin tha që çdo tre muaj ma kanë formu nga një komision disiplinor, ju ka ndërru vendi i punës, pozita, domethënë fatmirësisht është një Këshill për Mbrojtjen e Shërbyesve Civilë që gjithmonë edhe i ka dhënë të drejtë dhe rastet tjera që i ka në gjykatë pritet qysh do të përfundojnë”, tha Demolli-Nimani.

Ajo shtoi se sinjalizuesja ka thënë se nuk ka kërkuar mbrojtje nga Agjencia pasi nuk ka pasur besim.

“Sipas saj, sinjalizim mund të bësh tek një institucion që është i themeluar me një ligj të caktuar edhe ajo e llogaritke që një sinjalizim e ka bë me lajmërimin në Polici dhe Prokurori direkt të rastit pavarësisht që nuk e ka vuajt idenë që ta gëzojë një status të sinjalizuesit që ka qenë shumë t’u insistu me raportu si parregullsi dhe çfarë ka ndodhur brenda institucionit të saj”, thotë tutje Demolli-Nimani.

Andaj, sipas saj, LMS-ja pavarësisht se është shumë i avancuar dhe në përputhje me direktivën evropiane të sinjalizuesve, duhet të rishikohet.

“Në aspektin tonë, në kontekstin tonë shoqëror nuk është duke funksionu shumë mirë edhe kisha dashtë shumë ndoshta me ju bë edhe një vlerësim ex-post këtij ligji dhe me u rishiku, pse jo që të shohim ndoshta një mundësi për një shpërblim për sinjalizuesit, ndoshta kjo do të ishte pak më inkurajuese për ata persona”, tha drejtoresha e FOL.

Paraprakisht, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se sinjalizuesi i rezervave shtetërore, i cili është larguar nga puna, nuk e ka kryer sinjalizimin përmes kësaj Agjencie.

“I gjithë procesi nëse nuk gaboj ka qenë në formë komunikimi në qoftëse nuk gaboj direkt të tij qoftë me zyrtarë të lartë, me ministrin, e të tjera. Do të thotë, Agjencia asnjëherë nuk ka qenë e përfshirë dhe as zyrtari asnjëherë nuk ka kërkuar asistencë nga Agjencia për mbrojtje”, tha Buleshkaj.

Po ashtu, ai tha se as zyrtarja e Ministrisë së Mjedisit nuk ka sinjalizuar përmes APK-së.