Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, tha se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit duhet t’i fuqizojë mekanizmat sa i përket sinjalizimit të brendshëm.
“Ka pas përmirësime dukshëm nga viti i kalum. A është e mjaftueshme, definitivisht se nuk është e mjaftueshme dhe drejtori e tha që për dallim ndoshta kjo pjesa e sinjalizimit të jashtëm këtë vit ka pasur më shumë raste të sinjalizimit të jashtëm sesa vitin paraprak. Na tregon se sinjalizimi në nivel të brendshëm ndaj institucioneve nuk është duke funksionu. Këtu do të doja që ndoshta një rol pak më të madh me pas Agjencia, me fuqizu mekanizmin e sinjalizimit të brendshëm fillimisht”, tha Demolli-Nimani në “Tempus”.
Ajo tha se nga monitorimi që i kanë bërë tash e sa vite këtij Ligji, kanë parë që nuk po zbatohet në kuadër të institucioneve.
“Thjesht, një zyrtar publik nuk e ka besimin e duhur që ndonjë keqpërdorim ta raportojë në kuadër të institucionit ku punon sepse do të përballet me pasoja dhe si rrjedhojë ose do të dalë në medie ose do të shkojë tek Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Prandaj, do të doja të ketë një rol më aktiv, pak më shumë punë ndoshta në këtë drejtim sa i përket fuqizimit të mekanizmit të sinjalizimit të brendshëm nga ana e Agjencisë”, tha Demolli-Nimani.
Drejtoresha e Lëvizjes FOL tha se sa i përket deklarimit të pasurisë, ekziston një platformë e re, mirëpo e vjetra nuk është aktive dhe se në platformën aktuale figurojnë vetëm dy vitet e fundit.