Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i të drejtës për informim rrit besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Publikimi i të gjitha vendimeve gjyqësore është obligim ligjor i gjykatave i cili rregullohet në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo gjykatë thekson se karakteri publik i mbron palët ndërgjyqëse kundër administrimit të drejtësisë në mënyrë të fshehur pa shqyrtim publik dhe gjithashtu është një nga mënyrat me anë të së cilës mund të mbahet besimi në gjykata. Populli, në emër të së cilit nxjerrën vendimet, duhet të dijë për vendimet e gjyqësorit.

Organizata joqeveritare, Lëvizja FOL bën monitorimin e publikimit të aktgjykimeve nga të gjitha Gjykatat.

Albana Hasani nga FOL thotë se përmes rekomandimeve që rrjedhin nga raportet e tyre të monitorimit, synohet rritja e dinamikës dhe cilësisë së këtyre publikimeve.

“Lëvizja Fol, gjithmonë në fund të vitit publikon raportet e monitorimit të aktgjykimeve si dhe shpallë gjykatën më transparente sa i përket publikimit të aktgjykimeve, si dhe jep një listë rekomandimesh për institucionet që të avancojnë dinamikën dhe cilësinë e publikimit të aktgjykimeve”, tha Hasani.

Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, deri më tani janë publikuar rreth 152 mijë vendime. Ky trend i publikimit, synohet të rritet vazhdimisht deri në arritjen e publikimit në kohë reale.

Në raportin vjetor të KGJK-së thuhet se, gjatë periudhës janar-dhjetor 2023, në faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë publikuar mbi 47 mijë vendime. Gjatë të njëjtës periudhë, janë zgjidhur mbi 149 mijë lëndë, që nënkupton se janë publikuar rreth 31% e lëndëve të zgjidhura. Ndërsa, vetëm në tremujorin e parë të vitit 2024, janë publikuar mbi 13 mijë e 500 vendime gjyqësore.

Ky nivel i publikimit dëshmon rritje të publikimit të aktgjykimeve në krahasim me vitin 2022, ku në faqen e KGjK-së ishin publikuar gjithsej 34 mijë e 700 vendime.

“Publikimi i aktgjykimeve është një vendim i Këshillit Gjyqësor për rritjen e transparencës dhe po ashtu për rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin gjyqësor  Niveli i publikimit të aktgjykimeve është i kënaqshëm duke qenë se shkalla e publikimit është në rritje dhe se ky proces është nën monitorimin e vazhdueshëm. Trendi i publikimit të aktgjykimeve synohet që të rritet vazhdimisht deri në arritjen e publikimit në kohë reale. Pavarësisht sfidave, Këshilli ka bërë një progres tejet të madh sa i përket publikimit të aktgjykimeve në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës. Andaj deri më tani në faqen e Këshillit Gjyqësor janë publikuar gjithsej mbi 150 mijë aktgjykime.”, tha Valentina Shabani nga KGJK.

Kurse, Mirlinda Gashi, zyrtare për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se në këtë gjykatë, deri tani janë publikuar 23 mijë e 846  aktgjykime.

“Deri më tani, në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë të publikuara 24 mijë e 846 në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjatë vitit 2023 janë të publikuara gjithsej 3 mijë e 787 aktgjykime. Mirëpo, këtë vit kemi një ngritje të publikimeve të numrit të vendimeve gjyqësore, pasi vetëm nga muaji janar deri më sot janë të publikuara 1 mijë e 796 vendime gjyqësore”, tha Gashi.

Krahas rritjes së numrit të aktgjykimeve të publikuara në gjuhën shqipe në nivel vendi, synohet të rritet edhe numri i aktgjykimeve në gjuhën serbe.

Për këtë qëllim, Instituti i Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor, dhe në mbështetje të Fondeve Programatike të Kombeve të Bashkuara, vitin e kaluar ka nisur zbatimin e projektit përmes të cilit u angazhuan katër zyrtarë ligjorë në përgatitjen e aktgjykimeve për publikim dhe publikimin e tyre në gjuhën serbe.

Që nga fillimi i projektit e deri më tani janë anonimizuar dhe publikuar mbi 4 mijë e 500 vendime gjyqësore.

“Duke qenë se qëllimi i këtij projekti nga fillimi ishte që qytetarët të informohen lidhur me transparencën e gjykatës dhe punën e gjyqtarëve kur bëhet fjalë për vendimmarrje, mënyrën e vendimmarrjes e të ngjashme, besoj se ky synim është arritur duke marrë për bazë që nga fillimi i këtij projekti vetëm unë kam publikuar rreth 1 mijë e 800 aktgjykime që lidhen me vendime që prekin shqiptarët dhe serbët ndaj mendoj se qëllimi i njohjes nga ana e qytetarëve lidhur me punën e gjykatave dhe e gjyqtarëve tanimë është mjaft e gjerë. Kur bëhet fjalë për vendimet gjyqësore të publikuara, nuk i referohet vetëm aktgjykimeve të marra në kuadër të këtij viti apo të një viti më parë, tashmë bëhet fjalë për gjykime të një periudhë edhe më të hershme, prandaj pikërisht për këtë besoj se synimi i këtij projekti është përmbushur dhe besoj se qytetarët janë më të informuar për transparencën e gjyqësorit”, tha zyrtarja ligjore Ema Stanojeviq.

Sipas zyrtarëve të gjyqësorit, projekti i IKD-së ka pasur një efekt pozitiv në rritjen e publikimeve të vendimeve gjyqësore në gjuhën serbe.

“Një efekt pozitiv në këtë aspekt e ka pasur edhe mbështetja e IKD-së në anonimizimin dhe publikimin e aktgjykimeve në gjuhën serbe. Andaj, në kohët e fundit apo të themi në muajt e fundit kemi një rritje të numrit të publikimeve të këtyre aktgjykimeve”, tha Shabani.

Gashi nga Gjykata Themelore në Prishtinë tha se dy zyrtarët ligjorë të sjellë nga IKD, kanë bërë punë të shkëlqyeshme.

“Me lejoni të falënderoj edhe projektin nga IKD të cilët në këto gjashtë muajt e fundit kanë ndihmuar Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me publikimin e vendimeve gjyqësore sidomos në publikimin e aktgjykimeve në gjuhën serbe e që dy zyrtarë ligjorë të cilët kanë ardhur nga IKD kanë bërë një punë të shkëlqyeshme në publikimin e vendimeve, edhe një pjesë të gjuhës shqipe, mirëpo edhe në rritjen e vendimeve gjyqësore në gjuhën serbe”, tha Gashi.

Bunjaku thotë se disa gjyqtarë qëllimisht nuk e përditësojnë orarin e seancave

11 muaj më parë / 22 pri 2024 21:10
Viona Bunjaku

Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, tha se disa gjyqtarë qëllimisht nuk e përditësojmë orarin e seancave.

Bunjaku ka thënë se tanimë është edhe mënyra digjitale brenda hapësirave të gjykatës, ku orari i seancave duhet të përditësohet në ueb-faqe të Këshillit, por që kjo tha se nuk mund të arrihet për shkak të ngarkesës së madhe që e kanë vetë gjyqtarët por edhe zyrtarët që punojnë bashkërisht me gjyqtarin.

“Normalisht që kjo krijon një lloj konfuziteti edhe tek monitoruesit, të cilët shkojnë të monitorojnë seancat gjyqësore dhe kur e shohin që nuk është duke u mbajtur një seancë e tillë dhe është duke u mbajtur një seancë tjetër dhe orari i saj nuk është në përputhje me atë se çfarë është publikuar në ueb-faqen e Këshillit apo në televizorin që gjendet brenda gjykatave, normalisht që është diçka jo e mirë për monitoruesit dhe normalisht dhe jo në një mënyrë e mirë për neve vetë si qytetarë, që të dimë se kur është duke u mbajtur kjo seancë”, tha Bunjaku “Tempus”.

Ajo tha se tashmë ka edhe gjyqtarë që me qëllim nuk i ndërrojnë oraret dhe këtë e bëjnë për shkak se e ka një seancë të një rasti të madh, presioni publik është shumë i madh dhe ka medie shumë të mëdha që e përcjellin.

“Tashmë fatmirësisht numri është shumë i madh i monitoruesve dhe ndoshta nuk është në pozitën e tij që të publikojë orarin dhe nuk i konvenon ndoshta kjo, mirëpo nuk mund të themi që lidhet vetëm me vullnetin e gjyqtarit, normalisht ka edhe probleme të tjera teknike që duhet të zgjidhen njëherë edhe në ueb-faqe të Këshillit edhe brenda gjykatave që të rregullohet normalisht edhe kjo çështje”, tha Bunjaku.

Shala: Disa gjyqtarë mbyllin seancat publike pa arsyetim, fatmirësisht nuk është fenomen si dikur

11 muaj më parë / 22 pri 2024 21:01
Gëzim Shala - IKD

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se disa gjyqtarë mbyllin seancat publike pa arsyetim.

“Fatmirësisht nuk është fenomen dhe dikur ka qenë edhe fenomen, domethënë ka qenë shumë problem për gjyqtarët me i pa monitoruesit që shkojnë në gjykatë me një seancë që edhe shabllon konstatohet në secilin rast që seanca është e hapur, publike, plotësohen kushtet dhe seanca mbahet, mirëpo tash fatmirësisht nuk është një mentalitet i tillë dhe që gjyqtarët e dinë që seancat janë publike dhe që nuk kanë në parim telashe monitoruesit, gazetarët, e të tjerë”, ka thënë Shala.

Megjithatë, sipas tij tani dalin disa gjyqtarë me disa ide pak të çuditshme lidhur me mundësinë e monitorimit të seancave gjyqësore nga ana e medieve, OJQ, qytetarëve, e të tjerë.

“Për shembull, ka pas po e kujtoj tash një rast, ‘pse po i përzini dallimet, ju jeni monitorues, ju nuk jeni gazetarë dhe ju nuk keni të drejtë të raportoni për këto seanca’, domethënë është diçka që fatmirësisht nuk është fenomen dhe nuk e dëgjojmë tek shumica e gjyqtarëve, por që fatkeqësisht ka gjyqtarë të cilët e thonë këtë”, ka thënë Shala.

Në anën tjetër, ai tha se ka një qartësi të madhe me ligjet dhe me Kodin e Procedurës Penale lidhur me publicitetin e seancave për shkak se ka mundësi edhe për mbylljen e seancës dhe se IKD është pro asaj që në momentin kur rrezikohet një rast i caktuar, një gjykim i caktuar, nuk duhet që t’iu drejtohet gjyqtari apo prokurori medieve apo monitoruesve me “raportoni këtë apo mos e raportoni këtë”, e as të ankohet për raportimet e tyre.

Shala tha se prokurori i cili tenton ta bind gjykatën për aktakuzën e vet se ajo qëndron dhe se i pandehuri sipas aktakuzës është fajtor, ai duhet të kujdeset edhe nëse publiciteti i një gjykimi e rrezikon atë gjykim, sepse parimi është hapja, transparenca dhe gjykimi i hapur.

Sipas tij, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë që parimi i publicitetit i mbron palët ndërgjyqëse nga drejtësia e fshehtë dhe nëse një prokuror i caktuar e vlerëson se një rast i caktuar mbahet në mënyrë publike dhe raportohet për atë rast dhe raportohet dëshmia dhe kjo do ta cenonte një gjykim.

“Thjesht bën kërkesë dhe gjykata me aktvendim e mbyllë seancën dhe padyshim që mediet dhe publiku nuk kanë qasje në atë seancë dhe madje nëse shohim se cila është rëndësia që i jep edhe Kodi i Procedurës Penale kësaj çështje, e shohim për shkak se mbyllja e kundërligjshme e një seance hyn tek shkeljet absolute që rasti mund të kthehet në rigjykim vetëm për këtë çështje”, tha tutje Shala.

Ai tha se ua rikujton gjyqtarëve dhe prokurorëve se në secilin rast ku ka një rrezik konkret e real nga publiciteti thjesht merret një aktvendim i arsyetuar dhe mbyllet seanca.

“Po e ritheksoj se sporadikisht ka qëndrime të cilat edhe neve na habisin kur i dëgjojmë nga gjyqtarët, prokurorët e caktuar por që fatmirësisht në raport me të kaluarën, tanimë nuk është një fenomen dhe gjyqtarët e dinë këtë që thjesht tani më seancat janë publike dhe të njëjtat monitorohen nga mediet, shoqëria civile dhe qytetarët”, tha Shala.

Ai tha se ata kanë pasur një projekt që kanë dashur të dërgojnë një mesazh mbi rëndësinë që ka që qytetarët të monitorojnë sistemin e drejtësisë, pra jo vetëm mediet e shoqëria civile, mirëpo të ndërtohet njëfarë kulture që edhe qytetarët të monitorojnë, gjyqësorin e gjyqtarët për mënyrën se si po vendosin.

Maksimoviq: Vendimet duhet të publikohen në gjuhën serbe për të rritur transparencën

11 muaj më parë / 22 pri 2024 20:57
Neshko Maksimoviq

Neshko Maksimoviq, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se vendimet duhet të publikohen në gjuhën serbe, për të rritur transparencën dhe se me rritjen e transparencës rritet besimi i publikut në gjyqësor.

“Sigurisht që vendimet duhet të publikohen në gjuhën serbe për të rritur transparencën dhe me rritjen e transparencës do të vijë besimi i publikut në sistemin gjyqësor. Është vërtetuar se rritja e transparencës çon në rritjen e qasjes së publikut në sistemin gjyqësor dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që vendimet të publikohen në gjuhën serbe në mënyrë që njerëzit të kenë besim në sistemin gjyqësor”, tha Maksimoviq.

Maksimoviq po ashtu përmendi problemin e mungesës së stafit, që ndikon drejtpërdrejt në publikimin e aktgjykimeve.

“Publikimi i aktgjykimeve obligim ligjor, s’është përkrah me staf”

11 muaj më parë / 22 pri 2024 20:55
Tempus

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se publikimi i aktgjykimeve është obligim ligjor.

“Fillimisht, kur është parapa si obligim ligjor, publikimi i të gjitha aktgjykimeve, do të thotë kjo dispozitë është fut sikurse futen shumë dispozita të tjera ligjore nëpër ligjet tona pa ndonjë analizë të kostos financiare. Duket diçka shumë e thjeshtë me propozu që të gjitha aktgjykimet publikohen dhe ne e kemi parasysh se si zhvillohen diskutimet në Kuvend, nuk është askush që thotë mos i publikoni, do të thotë është e çmendur me dalë me një ide të tillë”, ka thënë Shala në “Tempus“.

Sipas tij, kur futet një obligim i tillë, duhet të merret parasysh se cili është reflektimi në sistem. Shala tha se po themi se është sukses publikimi i 35% të aktgjykimeve dhe se sipas tij kjo çështje është dashur të reflektohet edhe në buxhet në mënyrë që të ketë zyrtarë të cilët kanë mundësi të merren me këtë çështje.

Mirëpo, tha se në anën tjetër duhet parë edhe zgjidhje që janë më praktike, pasi që anonimizimi i një aktgjykimi në disa raste është konsideruar shumë i vështirë pasi që të dhënat personale mund të ketë edhe në dëshmitë e dëshmitarëve.

“Që i bie se duhet të lexohet tërësia e aktgjykimit, por njëra prej alternativave që e kemi diskutu edhe bashkërisht është që për shembull të dhënat personale standard, mos të përfshihen fare në aktgjykimet e nxjerra mirëpo të jetë një dokument, listë që i bashkëngjitet aktgjykimit ku aty janë të dhënat personale dhe në momentin e publikimit, ai dokument të mos publikohet fare mirëpo të publikohet vetëm aktgjykimi”, ka thënë Shala.

Sipas tij, ngritja e resurseve në këtë drejtim është diçka e domosdoshme dhe që realisht edhe KGJK-së mund t’i kërkohet llogaridhënie në bazë të resurseve që kanë.

“Tash definitivisht përballë gjithë këtij numri të aktgjykimeve të nxjerra ne po e konsiderojmë si proces, mirëpo po themi që është e qartë se prapë se prapë jemi 60% larg përmbushjes së obligimit ligjor, publikimit të të gjitha aktgjykimeve”, ka thënë Shala.

Kur u përmend numri i vogël i aktgjykimeve të publikuara në gjuhën serbe, Fahret Vellija nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se problem mbetet mungesa e stafit.

“Por, në fillim është menduar që ato vendime që merren në gjuhën serbe të jenë edhe të përkthyera, ose së paku të jenë të publikuara edhe nuk është punuar shumë që vendimet që merren në gjuhën shqipe të përkthehen në gjuhën serbe. Por, kohën e fundit edhe falë IKD-së dhe projekteve tjera që po zhvillohen kjo qasje po ndryshon, por besoni që ka shumë pak staf”, tha Vellija.

Vellija: Rreth 30% e vendimeve publikohen, duhet të sigurohet staf që merret ekskluzivisht me publikim

11 muaj më parë / 22 pri 2024 20:52
Fehrat Vellija

Fahret Vellija, gjykatës dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se duhet të sigurohet staf që merren ekskluzivisht me publikimin e vendimeve gjyqësore.

I ftuar në emisionin “Tempus”, Vellija ka thënë se nuk ka persona të caktuar të cilët e kryejnë punën e anonimizimit dhe publikimit të vendimeve dhe se këtë e kryejnë referentët dhe bashkëpunëtorët profesional.

“Domethënë a kemi persona të caktuar të cilët edhe me vendim e kanë vendin e punës ose janë të caktuar ekskluzivisht me u marrë vetëm me këtë punë? Jo, nuk ka. Pse? Se është e pamundur. Ne i angazhojmë bashkëpunëtorët profesional, i angazhojmë referentët,  ose i angazhojmë edhe zyrtarët për media, zëdhënësit e gjykatave për me kry këtë pjesë”, ka thënë Vellija.

Ai tha se nëse krahasohet numri i vendimeve që është publikuar, pra mbi 150 mijë, i bie që ky numër është vetëm 30% i vendimeve që merren.

“Që në fakt patjetër na duhet dikush që ka m’u marrë ekskluzivisht veç me këtë punë, se është e pamundur mbulimi i të gjitha vendimeve, publikimi i gjitha vendimeve”, ka thënë tutje Vellija në “Tempus”.   

Sipas tij, nga zyrtarët ligjorë të cilët ekskluzivisht merren me këtë punë, më shumë se 5 vendime janë publikuar në gjuhën serbe.

“Pra, ku është rezultati? Për me pas rezultat duhet me pas njerëz, në momentin që është angazhu një projekt domethënë kemi rritjen e publikimit të vendimit ma shumë se 5 vendime janë publiku, domethënë nëse na e kemi stafin, na sigurohet stafi edhe për këtë pjesë, besoj që edhe rezultati është i pamohueshëm”, tha Vellija.

Shala: Kur aktgjykimi publikohet, gjyqtari e ka parasysh t’i drejtohet edhe publikut

11 muaj më parë / 22 pri 2024 20:49
Gzim Shala

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se kur aktgjykimi publikohet, gjyqtari e ka parasysh që përtej palëve ndërgjyqëse, i drejtohet edhe publikut.

“Nëse e krahasojmë me periudhat ma herët, definitivisht se është parë një angazhim dhe përkushtim i Këshillit Gjyqësor për transparencë, në kuptimin që është marrë me këtë çështje dhe e ka trajtuar si çështje dhe kjo më pastaj ka rezultu në disa fusha që është konsideru që ka pasur edhe progres”, tha Shala në “Tempus”.

Sipas tij, përkundër faktit që të gjitha seancat janë publike, jo të gjitha monitorohen nga publiku, andaj është i rëndësishëm publikimi i aktgjykimeve.

“Publikimi i aktgjykimeve ia mundëson fillimisht publikut që të ketë qasje në secilin vendim që nxjerret dhe në njëfarë forme kur gjyqtari e di që aktgjykimi i tij publikohet, gjyqtari e ka parasysh që përtej palëve ndërgjyqëse po i drejtohet edhe publikut dhe kjo është edhe rëndësia e publikimit të aktgjykimeve”, tha Shala.

Ai thotë se aspekt tjetër është edhe aspekti i hulumtimeve të ndryshme. Por sipas tij, problematike mbetet publikimi i aktgjykimeve në gjuhën serbe.

Aspekt tjetër tha se është edhe kuptimi i mbrojtjes efektive, në mënyrë që kur të shohin praktikën e gjykatave të përgatisin mbrojtjen në mënyrën më të mirë të duhur.

Në anën tjetër, lidhur me aktgjykimet në gjuhën serbe, Viona Bunjaku nga Lëvizja fol se në vitin 2022 janë publikuar 5% e aktgjykimeve, kurse më 2023 vetëm 2%.

Maksimoviq thotë se IKD me projektin e financuar nga UNMIK-u, synon rritjen e aktgjykimeve të publikuara

11 muaj më parë / 22 pri 2024 20:47
Neshko Maksimoviq

Neshko Maksimoviq, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se projekti i IKD-së i financuar nga UNMIK-u, synon rritjen e numrit të aktgjykimeve të publikuara.

Në emisionin “Tempus” në KTV, ai tha se ligji parasheh që çdo aktgjykim duhet të publikohet, por gjykatat e Kosovës ende ngecin në këtë drejtim, pasi nuk publikohen të gjitha aktgjykimet që janë nxjerrë.

“Organizata jonë ka mbështetur një projekt të financuar nga UNMIK-u dhe është duke punuar drejt rritjes së këtij numri sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë që të marrim një numër prej 100% të vendimeve gjyqësore të publikuara. Megjithatë, është shumë larg dhe shpresojmë të arrijmë atje”, tha Maksimoviq.

Paraprakisht, ai tha se Ligji për Gjykatat dhe udhëzimi administrativ i nxjerrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës parasheh që çdo aktgjykim të publikohet.

“Sa i përket projektit të mbështetur nga organizata jonë Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili financohet nga UNMIK-u, katër zyrtarë ligjorë janë punësuar për të punuar në Gjykatat në Prishtinë dhe Mitrovicë për anonimizimin dhe publikimin e vendimeve gjyqësore”, tha ai.

Sipas Maksimoviq, deri më tani, prej tyre janë publikuar mbi 4 mijë e 500 aktgjykime.

“Dhe ajo që dua të them gjithashtu është se transparenca është shumë e rëndësishme sepse rrit besimin e publikut në sistemin gjyqësor, nëse marrim statistikat e vitit 2018 mund të shohim se gjatë vitit 2018 janë publikuar vetëm 450 gjykime në muaj, pastaj më 2019 do të ketë një rritje të numrit të gjykimeve të publikuara me 1 mijë dhe aty shohim një rritje prej 120%”, shtoi Maksimoviq.

Bunjaku: Më 2023 u publikuan rreth 45 mijë aktgjykime, niveli është i kënaqshëm

11 muaj më parë / 22 pri 2024 20:43
Viona Bunjaku

Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në vitin 2023 u publikuan rreth 45 mijë aktgjykime, që i bie se krahasuar me vitet tjera, niveli është i kënaqshëm.
Bunjaku tha se KGJK përmes politikave të saj, ka arritur që ta rritë transparencën gradualisht.

Ajo shtoi se nga viti 2019, Lëvizja FOL bën monitorimin sistematik të të gjitha gjykatave sa i përket publikimit të aktgjykimeve dhe aktvendimeve sipas Ligjit për Gjykatat, e që vitet e fundit kanë vërejtur rritje të madhe.

“Ne kemi arritur të shohim që këto vite kemi një rritje jashtëzakonisht të theksuar të publikimit të aktgjykimeve”, tha Bunjaku.

Sipas saj, në vitin 2019 kur kanë filluar të publikohen aktgjykimet ishin vetëm 10 mijë aktgjykime të publikuara (rreth 250 aktgjykime për muaj).

“Ndërsa, aktualisht në vitin që jemi, të dhënat për vitin 2023 të cilat do t’i publikojmë së shpejti në raportin tonë që është i detajuar, që tregon se sa ka publikuar dhe ku ka ngecur me udhëzimin administrativ që është në fuqi, kemi një shifër shumë të madhe në krahasim me vitet e kaluara. Tashmë numërojmë diku rreth 45 mijë aktgjykime të publikuara vetëm për vitin 2023”, tha Bunjaku.

Ajo tha se nuk janë zbatuar në përpikëri të gjitha kushtet ligjore të parapara me udhëzim administrativ, por që publikimi i aktgjykimeve ka arritur në një nivel të kënaqshëm.

Vellija thotë se Këshilli Gjyqësor e ka avancuar transparencën

11 muaj më parë / 22 pri 2024 20:37
Fahret Vellija

Fahret Vellija, gjykatës dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se kohën e fundit, Këshilli e ka avancuar transparencën.

“Kohëve të fundit jemi edhe dëshmitarë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka avancu transparencën, duke filluar fillimisht nga ajo që edhe çdo mbledhje e Këshillit është online dhe gjithkush që është i interesuar mund ta përcjellë mbledhjen e Këshillit përmes platformave në rrjete sociale pa asnjë problem. Besoj që kjo është një hap i duhur nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe një veprim i duhur i cili dëshmon se Këshilli Gjyqësor i Kosovës është i hapur ndaj publikut”, tha Vellija.

Në emisionin “Tempus” në KTV, ai theksoi se të gjitha vendimet e KGJK-së dhe të gjitha vendimet disiplinore janë publike, ku secila palë mund t’i shoh ato.

Vellija shtoi se ndër vendimet më të rëndësishme është se edhe çdo refuzim i kërkesave për inicim të procedurës disiplinore nga ana e Autoritetit Kompetent është publike.

Po ashtu, anëtari i KGJK-së tha se është lajm i mirë që më shumë se 150 mijë vendime tashmë janë publike prej të gjitha lëmenjve, duke shtuar se janë në rrugën e duhur por se i pret edhe shumë punë për të bërë.