Rishikimi Funksional i Strategjisë për Sundimin e Ligjit është njëra prej iniciativave më të mëdha për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Kjo u konstatua edhe në Raportin e Progresit për vitin 2020, ku Rishikimi u konsiderua si bazë e shëndoshë për reformim të sistemit gjyqësor.
Procesi rezultoi me një strategji dhe plan të veprimit për sundimin e ligjit, dokumente të cilat u miratuan nga Qeveria e Kosovës, më 11 gusht të vitit 2021. Në këto dokumente u listuan objektivat dhe aktivitetet që duhej të zbatoheshin nga institucionet përkatëse.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, me mbështetjen e National Endowment for Democracy, ka monitoruar Planin e Veprimit 2021-2023, ku ka publikuar dy raporte, gjetjet e të cilave janë diskutuar në dy tryeza me të pranishëm nga Ministria e Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial dhe institucione të tjera.
Në raportin e parë, IKD gjeti se janë ndërmarrë veprime në kundërshtim me vetë qëllimet e Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe raportim të pasaktë mbi zbatueshmërinë e aktiviteteve të listuara në Planin e Veprimit.
Qeveria nuk respektoi vetë gjetjet e rishikimit funksional dhe strategjisë me rastin e miratimit të Projektligjit që ka të bëjë me reformën në KPK, si një nga reformat më të rëndësishme.
Miratimi i Strategjisë synonte të eliminonte cenimin kushtetues të së drejtës për qasje në Gjykatë ndaj vendimeve prokuroriale, një problematikë e evidentuar.
Megjithatë, gjatë miratimit të Kodit të ri të Procedurës Penale, Qeveria dhe Kuvendi zgjodhën një model ligjor që, sipas strategjisë, nuk garantonte këtë qasje, duke injoruar rekomandimet e rishikimit dhe strategjisë.
IKD gjeti edhe probleme të tjera të zbatimit të kësaj strategjie, si transferimi dhe avancimi i prokurorëve, buxheti për Akademinë e Drejtësisë, “fëmijët e adaptuar dhe prindërit adaptues” të deklaruesve të pasurisë, Task Forca kundër korrupsion, deklarimet publike të Qeverisë kundër sistemit të drejtësisë, etj.
IKD gjeti se raportimi lidhur me zbatimin e aktiviteteve në Planin e Veprimit të strategjisë shumë herë nuk kanë qenë të sakta. Kjo pasi u evidentuan raste kur aktivitetet e papërmbushura janë evidentuar si të përmbushura në Raportin mbi Zbatimin e Strategjisë.
Në raportin e dytë, IKD identifikoi probleme në raportimin mbi nivelin e zbatimit të Strategjisë për shkak të moszbatimit të aktiviteteve dhe raportimeve të pasakta lidhur me Planin e Veprimit. Problemet kanë vazhduar edhe më tej, ndërsa raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për 2023 vë në pah ritmin e ngadaltë të implementimit.
Raporti i Komitetit Drejtues mbi zbatimin e Strategjisë konstaton edhe mungesën e buxhetit si një sfidë kryesore, duke shpërfaqur mungesën e vullnetit të Qeverisë. Përkundër kësaj, qeveria që miratoi strategjisë dhe planin e veprimit ka përgjegjësinë për përgatitjen dhe miratimin e buxhetit. Ky fakt nënvizon mungesën e angazhimit të saj real për implementimin e strategjisë.
IKD evidentoi përsëritje dhe pasaktësi në raportimet për Planin e Veprimit, ku në vitin 2022, 38 aktivitete mbetën të pazbatuara dhe 71 u raportuan si pjesërisht të zbatuara, por nuk përfunduan as më 2023.
Strategjia tani është jashtë zbatimit pasi Plani i Veprimit skadoi në fund të 2023, ndërsa rishikimi i planifikuar për fillimin e 2024 nuk u realizua deri më 31 mars. Raporti i Progresit 2024 konfirmon vonesën në planin për vitet 2024-2026 dhe thekson nevojën për përmirësim në zbatimin dhe monitorimin e strategjive, duke lënë strategjinë të paimplementuar.
Kjo tregon dështimin për të miratuar një Plan të ri të Veprimit, duke lënë Strategjinë e Sundimit të Ligjit të paimplementuar.
Shala: Strategjia për Sundimin e Ligjit, e pazbatueshme
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Strategjia për Sundimin e Ligjit është e pazbatueshme.
“Praktikisht, në kohën kur ne po flasim, Strategjia për sundimin e ligjit nuk është e zbatueshme. Strategjia e miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës se Kosovës e cila siç thash edhe më parë derivon nga një proces i madh, një iniciativë jashtëzakonisht e rëndësishme në sektorin e sundimit të ligjit, siç është procesi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit për 2021-2026”, tha Shala.
Hulumtuesi shtoi se ky është një dështim sa i përket zbatimit të sundimit të ligjit pasi nuk është rishikuar me kohë Strategjia, ashtu siç është parashikuar në mënyrë që viti 2024 të na gjejë me planin e ri të veprimit.
Po ashtu, Shala theksoi se problematika më e madhe për Strategjinë është fakti se strategjia është në ajër dhe është e pazbatuar në praktikë, për shkak të mungesës se planit të veprimit.
Shala: Aktivitetet si statistikë të kënaqshme, por raportimi i tyre s’është real
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se në raportet vjetore për Zbatimin e Strategjisë për Sundimit të Ligjit janë rreth 45% të përmbushura plotësisht, por kështu sipas tij nuk qëndron e vërteta.
“Nëse i shohim si statistikë, aktivitetet e zbatuara plotësisht dhe ato që janë në proces, e që del se afërisht 90% konsiderohet që është shifër jashtëzakonisht e kënaqshme. Megjithatë, kur kemi analizuar raportimin e bërë e kemi parë që ky raportim nuk është real pasi kjo përqindje nuk është reale”, tha Shala.
Sipas tij, arsyeja e parë është pasi veprimet që janë ndërmarrë nuk janë ndërmarrë në përputhje me Strategjinë.
“Strategjia për Sundimin e Ligjit, plani i veprimit dhe strategjia duhet të shihen si proces unik që ndërlidhen dhe derivojnë nga procesi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Pra, çështjet dhe rekomandimet në mënyrën se si janë gjetur në fillim dhe janë adresuar në strategjinë e sundimit të lidhur me strategjinë e veprimit”, tha ai.
Shala tha se nëse masa e ndërmarrë ka devijuar nga ky kuptim i përcaktuar, atëherë nuk bëhet fjalë për zbatim të strategjisë por për moszbatim dhe injorim të saj.
“Njëra prej çështjeve problematike që e ka identifikuar procesi i rishikimit funksional është mungesa e mjeteve juridike ndaj vendimeve prokuroriale dhe përkundër kësaj Qeveria prapë se prapë kur ka miratuar Kodin e Procedurës Penale nuk ka garantuar mjete juridike ndaj vendimeve prokuroriale. Megjithatë, në raportin e zbatimin e strategjisë e ka markuar si aktivitet të zbatuar”, tha Shala.
Ai shtoi se raste të tilla kanë gjetur edhe në aktivitet tjera, ku ndonëse aktiviteti ka qenë në zhvillim e sipër apo nuk është kryer fare, në raport është markuar si aktivitet i zbatuar e që sipas tij, kemi të bëjmë me një raportim të pasaktë.
“Njëfarë fryrje e numrave që nuk është as në interes të publikut dhe aq më pak në interes të sundimit të ligjit”, tha ai.
Shala: KGJK-ja pavarësisht avancimit ka ende punë në drejtim të llogaridhënies, KPK-ja vazhdon me qasje korporatiste
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës pavarësisht avancimit në llogaridhënie, ka ende punë në këtë drejtim.
“Përgjatë viteve, KGJK-ja ka marrë reforma të shumta në drejtim të transparencës, llogaridhënies, meritokracisë, e të tjera”, tha Shala.
Por sipas tij, Këshilli ka ende telashe me llogaridhënien.
“Ende brenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka punë në drejtim të llogaridhënies, megjithatë proceset që përmenda janë të pamohueshme se KGJK ka bërë një avancim në drejtim të avancimit të llogaridhënies”, tha Shala.
Shala tha se ndonëse KGJK ka përmirësuar qasjen dhe llogaridhënien, në anën tjetër KPK vazhdon me qasje korporatiste.
Ai tha se KPK ka lënë vendin pa Kryeprokuror të Shtetit, ndonëse do duhej të hapte proces të ri për këtë pozitë.
“Që nga dita kur Presidentja ka treguar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK dhe evidentuar një numër të madh të problemeve në procesin për rekrutimin Kryeprokuror të Shtetit, që atë ditë Këshilli Prokuroral është dashur të shpallë konkursin e ri dhe të garantojë ashtu siç kanë kërkuar akterët ndërkombëtar një proces meritor për Kryeprokuror të Shtetit, nuk është relevante cili është emri për Kryeprokurorin e Shtetit, por që procesi të jetë meritor dhe transparent”, tha Shala.
Ai tha se kanë monitoruar këtë proces nga fillimi dhe kanë evidentuar të gjitha problemet por që nuk kanë pasur reflektim nga KPK.
Shala: Vettingu i nevojshëm, do t’ia kthente publikut besimin në sistemit të drejtësisë
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se përkundër se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka një progres në punën e tij, Vettingu është i nevojshëm për të kthyer besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
“Fatkeqësisht, përkundër premtimeve të mëdha që kemi pasur, ky është një prej dështimeve kryesore të kësaj Qeverie që në qendër të premtimeve ka pasur zhvillimin e një procesi të Vettingut”, ka thënë Shala.
Shala tha se tani ku sipas planifikimeve procesi i Vettingut do duhej të ishte në përfundim, jemi në fazën kur nuk kemi diçka tjetër përveç disa draft-amendamenteve të cilat i ka lejuar Gjykata Kushtetuese, por që nuk janë miratuar asnjëherë.
Bajraktari: Strategjia, dokument shumë i mirë në letër
Avokati Ardian Bajraktari, tha se Strategjia për Sundimin e Ligjit vazhdon të jetë një dokument shumë i mirë në letër, pasi janë identifikuar qartë veprimet e gjithë aktereve, mirëpo që ka munguar në masë të konsiderueshme vullneti për t’i adresuar.
“Mungesa e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë tregon mungesë serioziteti për t’iu qasur problemit”, tha Bajraktari.
I ftuar në “Tempus“, avokati Bajraktari tha se jo rrallëherë ka ndodhur që veprimet e tyre kanë qenë në kundërshtim me Strategjinë.
Paraprakisht, Bajraktari pyeti nëse sot kemi sistem të drejtësisë më funksional dhe llogaridhënës të sistemit gjyqësor e prokurorial, nëse ka qasje më të lehtë të qytetarit në drejtësi, drejtësi penale më efikase, luftë kundër korrupsionit më efikase, e të tjera.
“Besoj që qytetarët secili në vete mund të arrijnë deri te një konstatim se të gjitha rezultojnë me mosarritjen e suksesshme të objektivave të cilat i ka synuar dhe i synon kjo Strategji”, u shpreh ai.
Maliqi: Objektivat e Strategjisë për Sundimin e Ligjit kanë qenë plan i punës për KGJK-në
Shkëlzen Maliqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se objektivat e Strategjisë për Sundimin e Ligjit kanë qenë të shndërruara në plan të punës për KGJK-në.
“Edhe gjatë vitit 2024 edhe tash, Këshilli është në përgatitje të planit të punës, ka vazhdu me zbatimin e aktiviteteve për shkak se Këshilli konsideroi që janë të rëndësishme për vetë gjyqësorin dhe për sistemin e drejtësisë”, tha Maliqi në emisionin “Tempus” në KTV.
Maliqi shtoi se pavarësisht se nuk ka pasur një plan nga Komiteti Drejtues për zbatimin e Strategjisë, Këshilli e ka zbatuar në përpikëri.
Ai paraprakisht theksoi se KGJK-ja ka pasur numrin më të madh të aktiviteteve për zbatimin e strategjisë.
Maliqi: Puna e KGJK-së nuk matet nga deklaratat politike, por nga institucione kredibile ndërkombëtare
Shkëlzen Maliqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha sw matja e rezultateve në sistemin gjyqësor nuk bëhet nga deklaratat politike, por nga raportet e institucioneve të pavarura ndërkombëtare.
Ai tha se Raporti i Progresit, raportet e shoqërisë civile, e raporte tjera, vlerësojnë se sistemi gjyqësor ka pasur progres të dukshëm.
“Sa i përket deklaratave politike, Këshilli Gjyqësor nuk vlerëson që duhet të merret me politikë, por atë qe e ka të siguruar me Kushtetutë dhe ligj dhe mos të lëshohet në deklarata politike”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala tha se kur evidentohet ndonjë sukses nga sistemi i drejtësisë, Qeveria tenton të marrë meritat, por kur arrestohet ndonjë i afërt i partisë, Qeveria nuk bashkëpunon, por sulmon sistemin e drejtësisë.
Sa i përket sulmeve politike ndaj sistemit të drejtësisë, ai tha se ka pasur edhe në të kaluarën por se në këtë Qeveri kanë qenë sistematike.
“Deklarata ndërhyrëse ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndaj Gjykatave, ndaj Prokurorisë nuk janë ndaluar asnjëherë”, u shpreh ai.