TEMPUS

Kërkohet ngritje e kritereve nga Kuvendi për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së

Reforma në drejtësi

Duke diskutuar për kalimin e plotësim/ndryshimit të Ligjjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga Gjykata Kushtetuese, në “Tempus” u tha se duhet ngritje e kritereve nga Kuvendi për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se në këtë rast, më profesionale do të ishte të përjashtohet politika.

“Më profesionale do të ishte me e përjashtu politikën krejt dhe me thanë 7 anëtarë- të shtatët i zgjedh KPK. Dikush që nuk i njeh rrethanat se qysh funksionon sistemi i drejtësisë, sistemi prokurorial, këto probleme që kur konstaton Gjykata Kushtetuese se t’u ka shkelë e drejta në jetë, sistemi ta ulë pagën për një periudhë të caktume, por nuk të largon. Në praktikë nuk ka funksionu. Nuk ka zgjidhje tjetër, përpos se me tentu me i vendos disa kritere, disa mekanizma, mirëpo asnjëherë nuk bën me harru se brenda Kuvendit je brenda Kuvendit”, tha Shala.

Shala përmendi rastin e Komisionit të Pavarur të Mediave, ku tha se Qeveria ka pasur tendencë të hapur t’i kapë mediet përmes KPM-së.

Në anën tjetër, avokati Faton Fetahu tha se personat që do të jenë në komisionin e Kuvendit për zgjedhjen e tre anëtarëve që parashihet nga Kuvendi, do të jenë njerëz nga politika.

“Natyrisht që Kuvendi e ka përgjegjësinë e tij kushtetuese në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillave, por edhe në rastin konkret të Këshillit Prokurorial. Mirëpo, çështja është tek vendosja e kritereve”, tha Fetahu.

Kurse, avokati Ardian Bajraktari ka përmendur edhe standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese sa i përket ndikimit të politikës.

“Për ndikimin e politikës, mendoj se Gjykata Kushtetuese ka vendos standard të mirë”, tha Bajraktari.

Avokati shtoi se vlerëson se në rrethana normale ky proces do të duhet të rezultojë me kandidat me integritet. Tha se procesi do të jetë i monitoruar nga mekanizma të jashtëm, duke shtuar shoqërinë civile, dhe ky proces do të përfundojë me një Këshill shumë më transparent se nga ai që kemi parë deri më tani. /BetimipërDrejtësi


 

Cilat ishin pretendimet e PDK-së kur e dërgoi për herë të dytë në Kushtetuese Ligjin për KPK-në?

Avokati Faton Fetahu, njëherësh përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjykatë Kushtetuese, tregoi se mbi cilat pretendime e kishin dërguar për herë të dytë në Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Fetahu tha se procesi i reformës në KPK ndër të tjera ka paraparë rishikimin e anëtarëve në këtë Këshill pasi janë të mbipërfaqësuar nga anëtarët prokurorë. Andaj, qëllimi ishte të balancohen anëtarët prokurorë dhe joprokurorë, si dhe të vendosen edhe kritere të larta sa i përket pjesëmarrjes së anëtarëve, dhe aspekte të tjera që ndërlidheshin me transparencën dhe të tjera kompetenca.

Më 2021, ai thotë se u iniciua ndryshimi i këtij ligji dhe kishte kritika dhe vërejtje nga shoqëria civile, mediat dhe profesionistët e fushës, e të cilat vërejtje nuk ishin adresuar. Këto, sipas tij, u bënë edhe shkak për dërgimin e Ligjit në Komisionin e Venecias.

Më pas, ai thotë se u rishkrua Ligji dhe tentativa për ta miratuar u ndërpre, ku kryetari i Kuvendit e kishte referuar sërish Ligjin në Venecia.

“Në opnionin e dytë, Venecia e adresoi edhe atë nevojën për ta pasur një ligj nga njëra anë, por edhe u sigurua që vërejtjet e tij përkitazi me standardet ndërkombëtare po zbatohen”, tha Fetahu.

Ai shtoi se Ligji u miratua për herë të parë më 2022, ku më pas ishte dërguar në Kushtetuese, e që kjo e fundit e shpalli në tërësi jokushtetuese.

Sipas tij, grupi parlamentar i PDK-së kishin ngritur katër çështje të rëndësishme të këtij ligji- respektivisht 4 nene, por Ligji u anulua në tërësi.

Ky anulim, kishte çuar në një proces të ri të shkrimit të këtij ligji, i cili sapo ka kaluar nga Kushtetuesja.

“Gjetjet e Gjykatës Kushtetuese u adresuan në masë të madhe, por në pikëpamjen tonë jo në mënyrën e duhur dhe jo në vëllimin që kërkohej të adresohej”, tha Fetahu.

Kur u miratua Ligji më 2024, Fetahu tha se e dërguan Ligjin prapë në Kushtetuese me disa pretendime lidhur me pesë nene të Ligjit, duke kërkuar që Ligji të anulohej pjesërisht.

Ai tha se ndër tjera, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi amendamentin sa i përket integritetit personal, duke vlerësuar se është qartazi në shpërputhje me Kushtetutën për nevojat të ndërtimit të reformës së Vettingut, e cila përfshinte krerët e sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Ai kriter, tha se kishin konsideruar se nuk mund të aplikohej edhe për krieret që duhet t’i plotësojë një anëtar.

Kriteri i integritetit- ai thotë se ishte një pretendim i parë. Kurse, sipas gjetjeve të Kushtetueses, thuhet se një kriter i tillë nuk mund të jetë i matshëm- për rrjedhojë s’mund të jetë kriter për një kandidat për një pozitë prokuroriale.

Çështje tjetër ai thotë se ishte ajo e mospasjes së një aktakuze për qëllime të aplikimit në Këshill Prokurorial. Tha se nuk është kontestuar përbërja e re e Këshillit, saktësisht zbritja e numrit të anëtarëve, por kontestuese për ta ishte kriter skualifikues fakti nëse ka aktakuzë një kandidat që pretendon të jetë anëtar i Këshillit.

Kjo sipas tij binte ndesh edhe me parimin e prezumimit të pafajësisë, i cili është parim themelor në drejtësi.

Më tej, tha se as kuorumi i pjesëmarrjes dhe ai i vendimmarrjes i propozuar në Ligjin e kontestuar, nuk ndryshonte nga Ligji i parë të cilin Kushtetuesja e kishte rrëzuar.

Sipas tij, e mira është që procesi është filtruar në mënyrën e duhur, pavarësisht se nuk janë aprovuar të gjitha çështjet që i kanë kontestuar. /BetimipërDrejtësi


 

Bajraktari: Pres reflektim nga KPK, e papranueshme të mbetet kaq gjatë me u.d Kryeprokuror të Shtetit

Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Tempus” në KTV, vlerësoi se është e papranueshme që pozita e Kryeprokurorit të Shtetit të mbetet për një kohë kaq të gjatë e udhëhequr nga një ushtrues detyre.

“Tash e sa kohë kemi ushtrues detyre si Kryeprokuror i Shtetit, dhe një pozitë kaq e rëndësishme me mbet kaq gjatë me ushtrues detyre është e papranueshme. Kjo është përgjegjësi e Këshillit Prokurorial dhe gjithashtu përgjegjësi e Presidentit”, tha Bajraktari.

Ai tha se pret që nga viti i ardhshëm të ketë reflektim nga ana e KPK-së për të kryer detyrat e saj kushtetuese, dhe që efektet e reformës të fillojnë të ndihen gradualisht.

“Në bindjen time, kjo është një nismë jashtëzakonisht e mirë dhe mund të presim me shpresë një sistem dhe Këshill me më shumë integritet, por rezultatet e plota mund të llogariten nga viti 2026 e tutje”, theksoi Bajraktari. /BetimipërDrejtësi


Shala: Nëse merren parasysh komentet e partnerëve dhe shoqërisë civile, ligjet kalojnë në Kushtetuese

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), kritikoi qasjen e Qeverisë në procesin e reformimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke e cilësuar si shembull të mungesës së planifikimit dhe të konsultimeve të duhura.

Shala tha se, fillimisht pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, IKD kishte propozuar një model për ripërtëritjen e përshkallëzuar të KPK-së, mirëpo Ministria e Drejtësisë kishte zgjedhur rrugën e emërimit të 19 anëtarëve të rinj, rrugë nga e cila më pas ishte tërhequr.

“Mënyra se si në fund janë sjellë në raport me adresimin e komenteve për Projektligjin, tregon se sikur të kishte pasur një konsultim të mirëfilltë në fazat fillestare, ky ligj do të ishte kaluar shumë më lehtë”, tha Shala në “Tempus“.

Ai shtoi se është e pazakontë që ndërkohë që një ligj ende nuk ka hyrë në fuqi, të iniciohen menjëherë ndryshime dhe plotësime të reja për të njëjtin ligj.

“Prej praktikës nuk kemi parë raste të tilla, kur për një ligj të veçantë krijohen dy procese të ligjbërjes njëkohësisht. Kjo tregon për mungesën e planifikimit që ka pasur kjo Qeveri”, theksoi Shala.

Ai tha gjithashtu se ka pasur situata kur ligjet janë ndryshuar pa ndonjë nevojë të domosdoshme, dhe se ndryshimi i legjislacionit ka qenë shpesh pjesë e agjendës edhe të partive të tjera politike.

“Unë besoj që do të marrin mësim nga Ligji për KPK-në që nese merren parasyshë komentet e partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile, ligjet kalojnë në Gjykatë Kushtetuese”, përfundoi Shala. /BetimipërDrejtësi


Fetahu: Çdo nismë e dërguar në Kushtetuese nga opozita, i ka bërë më mirë Qeverisë

Avokati Faton Fetahu, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se pavarësisht akuzave politike, çdo nismë e dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita i ka bërë shërbimin më të mirë shtetit dhe Qeverisë.

“Çdo nismë e dërguar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese i ka bërë shërbim të madh shtetit, Qeverisë dhe përmirësimit të standardeve kushtetuese dhe të shkrimit ligjor në vend. Kjo ka qenë veprimtaria më e vlefshme e opozitës gjatë kësaj legjislature”, tha Fetahu.

Fetahu, i cili njëherësh është përfaqësues i PDK-së në Kushtetuese, theksoi se personalisht ka pasur rastin të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese 29 nisma dhe vendime të shumicës parlamentare, ku secila prej tyre ka pasur peshën dhe rëndësinë e vet.

Sipas tij, mosdërgimi i këtyre nismave në Kushtetuese do të nënkuptonte mbylljen e syve para tendencave për kapjen e shtetit dhe institucioneve të pavarura.

“Rastet si ai i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, dhe Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, janë shembuj konkretë ku ndërhyrja ka qenë e domosdoshme për të ndalur kapjen e institucioneve”, tha Fetahu.

Ai shtoi se një nga angazhimet më të mëdha të opozitës në mandatin e kaluar ishte përballja në Gjykatën Kushtetuese me një shumicë që, sipas tij, kishte numrat, por jo as idenë e ndarjes së pushteteve e as vullnetin për avancimin e sistemit demokratik./BetimipërDrejtësi


Shala: KPK ka mungesë të theksuar të llogaridhënies

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mungesë të llogaridhënies.

Shala tha në “Tempus” se përbërja aktuale e KPK-së është me 13 anëtarë, e cila përbërje është korporatiste.

Sipas tij, 10 prej anëtarëve janë prokurorë dhe vetëm tre të jashtëm. Prej 10 anëtarëve prokurorë, ai tha se shtatë vijnë nga Prokurortë Themelore, e një nga Prokuroria Speciale, një nga Apeli dhe Kryeprokurori i Shtetit sipas detyres zyrtare.

Shala theksoi se kur e kemi këtë përbërje ku shumica absolute janë prokurorë, do të thotë se nuk ka mekanizëm të jashtëm kontrollues. Tha se thelbi i reformës së KPK-së është ulja e numrit të anëtarëve dhe këtij disproporcioni me anëtarët e jashtëm.

“Thelbi i reformës është ulja e numrit të anëtarëve dhe ulja e këtij disproporcioni të anëtarëve. Thjesht kjo pjesa e anëtarëve të jashtëm me qenë pak më e përfillshme për shkak se nuk ka mekanizëm tjetër”, tha Shala.

Po ashtu, hulumtuesi tha se tani kemi një situatë kur Këshilli Prokurorial do të ketë 7 anëtarë- katër nga prokurorët dhe tre do të zgjidhen nga Kuvendi, ku prapë përfaqësuesit e sistemit prokurorial e kanë shumicën brenda KPK-së, mirëpo këta anëtarët e jashtëm janë më të përfillshëm për shkak të balancit më të madh. /BetimipërDrejtësi


Reforma në drejtësi vlerësohet e domosdoshme, por e vonuar

Në emisionin “Tempus”, panelistët diskutuan për reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), duke theksuar se edhe pse ndryshimet janë të domosdoshme, ato mbeten të vonuara dhe nuk adresojnë të gjitha problemet ekzistuese.

Avokati Faton Fetahu tha se pavarësisht nëse kualifikohen gjendjet si të rënda ose jo, domosdoshmëria për ngritjen e standardeve të KPK-së është evidente. Sipas tij, fenomenet si riciklimi i kuadrove, nepotizmi dhe problemet e tjera nuk mund të adresohen tërësisht me këtë Ligj aktual.

“Ky Ligj nuk sjell një reformë të madhe në substancë, por është një hap i parë drejt hapjes së rrugës për një reformë të thellë”, tha Fetahu.

Në anën tjetër, avokati Ardian Bajraktari vlerësoi se reforma në KPK ka qenë dhe mbetet e domosdoshme, por theksoi se është shumë e vonuar. Ai ia atribuoi këtë vonesë mungesës së vullnetit politik për sponsorizimin e reformave të nevojshme, duke sjellë si krahasim procesin më të shpejtë të Vettingut dhe reformës zgjedhore.

“Gjykata Kushtetuese ka vendosur disa standarde të rëndësishme, veçanërisht për çështjet e integritetit dhe aktakuzës, duke e konsideruar të domosdoshme kalimin e një filtri shtesë për KPK-në, për të shmangur konfliktin e interesit dhe për të rritur besimin e publikut në sistemin prokurorial”, tha Bajraktari.

Ai shtoi se Ligji i ri parasheh kufizime për anëtarët aktualë të KPK-së, duke ndaluar emërimin, riemërimin ose avancimin e tyre në pozita të krijuara gjatë kohës sa janë anëtarë të Këshillit, një standard që e cilësoi si një version të zbutur të parimeve për shmangien e konfliktit të interesit.

Bajraktari theksoi se në të ardhmen anëtarët e KPK-së nuk duhet ta shohin veten si përfaqësues sindikalë, por si persona të përgjegjshëm për disiplinën dhe rritjen e performancës në sistemin prokurorial./BetimipërDrejtësi


Cilat ishin pretendimet e PDK-së kur e dërgoi për herë të dytë në Kushtetuese Ligjin për KPK-në?

Avokati Faton Fetahu, njëherësh përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjykatë Kushtetuese, tregoi se mbi cilat pretendime e kishin dërguar për herë të dytë në Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Fetahu tha se procesi i reformës në KPK ndër të tjera ka paraparë rishikimin e anëtarëve në këtë Këshill pasi janë të mbipërfaqësuar nga anëtarët prokurorë. Andaj, qëllimi ishte të balancohen anëtarët prokurorë dhe joprokurorë, si dhe të vendosen edhe kritere të larta sa i përket pjesëmarrjes së anëtarëve, dhe aspekte të tjera që ndërlidheshin me transparencën dhe të tjera kompetenca.

Më 2021, ai thotë se u iniciua ndryshimi i këtij ligji dhe kishte kritika dhe vërejtje nga shoqëria civile, mediat dhe profesionistët e fushës, e të cilat vërejtje nuk ishin adresuar. Këto, sipas tij, u bënë edhe shkak për dërgimin e Ligjit në Komisionin e Venecias.

Më pas, ai thotë se u rishkrua Ligji dhe tentativa për ta miratuar u ndërpre, ku kryetari i Kuvendit e kishte referuar sërish Ligjin në Venecia.

“Në opnionin e dytë, Venecia e adresoi edhe atë nevojën për ta pasur një ligj nga njëra anë, por edhe u sigurua që vërejtjet e tij përkitazi me standardet ndërkombëtare po zbatohen”, tha Fetahu.

Ai shtoi se Ligji u miratua për herë të parë më 2022, ku më pas ishte dërguar në Kushtetuese, e që kjo e fundit e shpalli në tërësi jokushtetuese.

Sipas tij, grupi parlamentar i PDK-së kishin ngritur katër çështje të rëndësishme të këtij ligji- respektivisht 4 nene, por Ligji u anulua në tërësi.

Ky anulim, kishte çuar në një proces të ri të shkrimit të këtij ligji, i cili sapo ka kaluar nga Kushtetuesja.