Viona Bunjaku, nga Lëvizja FOL, ka theksuar në emisionin “Tempus” të KTV-së se drafti i strategjisë kundër korrupsionit ka mangësi të mëdha në strukturën pasi nuk ka një lidhje të qartë mes dokumenteve strategjik dhe Planit të Veprimit.
“Strategia nuk ka një strukturë të qartë se si duhet të hartohet një Strategji. Nuk parasheh parandalimin, ndërgjegjësimin, nuk parashihen objektivat. Nuk janë në përputhje aspak me Planin e Veprimit në atë se çfarë shkruan në Strategji dhe me atë që se çfarë është paraqitur në Plan të Veprimit, nuk ka një përputhje në mes të këtyre dy dokumenteve. Pra, nuk ka një qëllim, i cili do të identifikonte edhe Strategjinë bashkë me Planin e Veprimit”, ka deklaruar Bunjaku.
Ajo ka vlerësuar se strategjia nuk përmban elementet e nevojshme parandaluese dhe ndërgjegjësuese që janë thelbësore për luftën kundër korrupsionit.
Sipas Bunjakut, strategjia është e paqartë dhe nuk ka objektiva të qarta që do të lidhin strategjinë me planin e veprimit.
Ajo theksoi se raportet e cituara në dokumente janë të vjetra dhe nuk pasqyrojnë gjendjen aktuale të korrupsionit, duke treguar një mungesë të thellë informacioni nga ata që e kanë hartuar strategjinë.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se digjitalizimi, i cili është shpallur si prioritet, nuk ka asnjë shpjegim të qartë se si do të implementohet në institucione të pavarura.
Për më tepër, Bunjaku ka kritikuar përdorimin e raporteve të vjetra, të cilat, sipas saj, janë përdorur për të fshehur dështimet e viteve të fundit.
“Këto raporte që janë të cituara nuk tregojnë gjendjen reale të korrupsionit pasi që janë raporte të vjetra. Kjo tregon që ka mungesë të thellë të informacioneve tek ata që e kanë hartuar Strategjinë”, ka deklaruar ajo./BetimipërDrejtësi