Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), tha në “Tempus” se nuk janë të kënaqur se si institucionet e kanë trajtuar konfliktin e interesit gjatë vitit 2024.
“Këtë vit, me thanë të vërtetën ne si Agjenci nuk jemi shumë të kënaqur se si institucionet po i trajtojnë konfliktet e interesit brenda tyre, jemi më të kënaqur me sinjalizim. Për shkak se kemi pas goxha shumë raste të cilat janë shumë të qarta, të cilat janë përcjellë tek ne, disa nga stafi thonë për mungesë është guximi që të marrim vendim brenda dhe t’i ndalohet dikujt ushtrimi i një funksioni shtesë, e bartja te ne, disi e bartë përgjegjësinë te ne”, tha Buleshkaj.
Sipas tij, mund të ketë keqkuptime tek moslejimi i detyrave shtesë të cilat janë ndalesa ligjore dhe jo që ndalohen nga zyrtarët.
“Shumë herë po shohim rastet të cilat janë mjaft të thjeshta të cilat barten Agjencia vetëm për një vendimmarrje formale nga ne. Po besoj që kjo është një detyrë shtesë që vitin e ardhshëm të tentojmë t’i ngrisim këto kapacitete, ka plot institucione të cilat edhe kanë harru që kanë zyrtar të tillë”, tha Buleshkaj.
Kjo sipas tij ndodh për shkak se vendimmarrja ka mundur të ndodhë para shumë vitesh, se udhëheqësia ka ndërruar dhe nuk është rifreskuar bartja e informatave tek zyrtarët e lartë.
Mekanizmi i raportimit të korrupsionit dhe keqpërdorimeve, ai tha se jep mundësinë e përcjelljes së rastit. Tha se secili dyshim për korrupsion mund të raportohet në APK, kurse ata që e dinë se është vepër penale e dinë se duhet shkuar në prokurori.
Buleshkaj tha se rastet sikurse janë ato për ryshfet që përcjellen tek Agjencia, referohen tek prokuroria. Kurse, shtoi se ka pasur raste kur për konflikt të interesit, prokuroria i ka referuar tek ata.
“Ne kemi pas për shembull një rast prej një komune kur një biznes është ofru tek zyrtari për sinjalizim i Agjencisë dhe ka dashtë me raportu një rast ku ka pretendu që një zyrtar komunal i ka kërku një ryshfet. Zyrtari jonë sipas mandatit që ka e ka informu se pretendimi i tillë është vepër penale, ne mund të zhvillojmë çfarëdo procesi por prapë se prapë rasti duhet ta dërgojë në prokurori. Kështu që i kemi rekomandu që të shkojë në prokurori dhe ta paraqesë rastin”, tha Buleshkaj.
Pronari i biznesit, sipas tij, ka refuzuar ta përcjellë rastin në prokurori. Shtoi se në prokurori personi që paraqet rastin duhet ta tregojë identitetin.
Buleshkaj tha se mundohen që personat që paraqesin rastet t’i udhëzojnë sa munden brenda mandatit të tyre, e në disa raste duke kryer punën e ndërmjetësimit, sikurse tek sinjalizimi.