Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjatë vitit 2024 kanë shqiptuar 98 gjoba në rastet e deklarimit të pasurisë, duke i evituar kallëzimet penale.
“98 gjoba dy vite më herët kishin qenë 98 kallëzime penale tek deklarimi i pasurisë. Tashmë i kemi 100 raste më pak, të cilat ishte dashtë me u marrë një prokuror, në vend se të merret me një rast shumë më të rëndësishëm, të merret me një vonesë prej disa ditësh në deklarim të pasurisë, nuk flasim këtu për mosdeklarim apo për fshehje sepse është një rrugë tjetër e cila ndiqet e ajo vazhdon ende. Do të thotë, edhe ligji i ri na ka dhënë disa mundësi që ne të lehtësojmë prokurorinë duke trajtuar raste goxha administrative, por kjo po duket të paktën nga aspekti jonë që edhe prokuroria po punon më shpejtë dhe më mirë për rastet tona”, tha Buleshkaj.
Paraprakisht, Buleshkaj tha se ka zhvillim pozitiv sa i përket bashkëpunimit me Prokurorinë, ngase tani kanë bashkëpunim më të afërt.
“Përpara, të gjithë e dimë, edhe ju edhe ne, plot kallëzime penale të Agjencisë nuk e kemi ditë a kanë përfundu ndonjëherë, a janë mbyllë apo janë ngritë aktakuza. Tashmë në dy-tre vitet e fundit për secilën informatë dhe kallëzim penal që i kemi dërgu, kemi informata kthyese, kemi informata të menjëhershme kthyese”, tha Buleshkaj.
I pari i APK-së tha se janë disa terme tjera, për cilat s’janë të kënaqur se si është përfundimi i rasteve të tyre.
“Për shembull, kur ne e ankimojmë një mbyllje të rastit nga Prokuroria Themelore në Prokurorinë e Apelit, ndërsa Prokuroria e Apelit nuk na njeh si palë në proces, do të thotë nuk lëshohet as në meritë të ankesës sonë, po sido që të jetë, informatat dhe bashkëpunimi po besoj është më i afërt, kjo për neve është shumë e mirë, shumë më e lehtë, për të punuar”, tha Buleshkaj.