Avokati Ardian Bajraktari tha që Akademia e Drejtësisë po përballet me mungesën e resurseve, duke pamundësuar përcjelljen e dinamikës së ndryshimeve legjislative.
I ftuar në “Tempus“, Bajraktari tha që ndryshimet legjislative janë dinamike dhe kërkohet angazhim.
“Ndryshimet legjislative janë dinamike dhe kërkohet nevojë edhe domosdoshmëri që të ketë edhe më tepër angazhime, por kjo natyrisht që Akedemia e Drejtësisë vlerësoj se sikurse edhe pjesa tjetër e institucioneve të drejtësisë vuajnë nga shumë mangësi dhe pengesa në këtë drejtim”, tha Bajraktari.
Ai po ashtu theksoi që edhe mungesa e resurseve të Akademisë së Drejtësisë, paraqet sfidë në vete.
“Natyrisht që mungesa e resursve të mjaftueshme qoftë në përzgjedhjen e trajnerëve dhe të stafit tjetër, ndonjëherë është rrethanë determinuese që pamundëson me përcjellë dinamikën e ndryshimeve legjislative. Për shembull, disa prej aktivietetve që janë të domosdoshme, ne mbi baza të përditshme theksojmë nevojën për organizimin e trajnimeve edhe të gjyqtarëve që aktualisht ushtrojnë detyrë dhe përgjegjësi në drejtim të rishikimit të politikave ndëshkimore për kategori të caktuara të veprave penale që ndonjëherë janë të shpërfaqura në masë të konsiderueshme që nënkupton që nuk arrihet efekti i mjaftueshëm”, tha Bajraktari.
Avokati tha se Qeveria ka pasur prioritet fushën e drejtësisë dhe ky prioritet duhet të nënkuptohet në dy drejtime: ligjet e mira dhe mbështetja buxhetore shtesë.
Por, sipas tij jo vetëm tek Akademia e Drejtësisë, por edhe tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk është materializuar, kështu duke ju pamundësuar që të kryhen detyrat dhe përgjegjësitë që janë të mandatuara me Kushtetutë dhe me Ligj.
Bajraktari: Buxheti i njëjtë i Akademisë së Drejtësisë për vite të tëra, tregon se s’ka vullnet për ta mbështetur këtë institucion
Avokati Ardian Bajraktari, tha se buxheti i njëjtë për vite të tëra që ndahet për Akademinë e Drejtësisë, nënkupton se nuk ka vullnet për ta mbështetur këtë institucion.
“Aspekti financiar është para së gjithash dhe në radhë të parë refleksion i vullnetit politik të çdo Qeverie që ka në raport me gjyqësorin. E kur jemi te Akademia e Drejtësisë, fakti që për vite të tëra ka buxhet të njëjtë, atëherë bazuar në kërkesat në rritje nënkuptojmë që s’ka vullnet e gatishmëri për ta mbështetur këtë institucion”, tha Bajraktari në “Tempus“.
Fillimisht, avokati tha ligji parasheh se profesionet e lira mund të mbajnë trajnime në Akademi, të bëjnë kërkesë dhe t’i dorëzojnë planifikimet, e që për këto trajnime do të paguanin.
“Ligji për menaxhim të financave publike dhe përgjegjësive përcakton se mjetet duhet me u derdh në buxhetin e Kosovës, mirëpo neni 26 i Ligjit aktual, paragrafi 2, përcakton që me rastin e projeksioneve buxhetore, të hyrat që gjeneron Akademia prej këtyre aktiviteteve, të merren në konsideratë me rastin e ndarjes së mjeteve buxhetore nga ana e ministrisë përgjegjëse”, tha Bajraktari.
Rexhepi: Jemi duke punuar në llogaridhënie, i zhgënjyer për zbatimin e udhëzuesit për praktikë ndëshkimore
Fejzullah Rexhepi, kryetar i Gjykatës Supreme, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është i zhgënjyer me zbatimin e udhëzuesit për praktikë ndëshkimore.
Rexhepi tha se janë duke punuar në llogaridhënie, ngase kjo e rrit vëmendjen, edhe në trajnime edhe në përcjelljen e praktikave të Supremes. Tha se presin që në të ardhmen të ketë rezultate konkrete.
“Realisht, nuk e them për herë të parë, personalisht jam i zhgënjyer me zbatimin e udhëzuesit për politikën ndëshkimore, kjo ka qenë edhe arsyeja pse ne i kemi hy rishikimit të udhëzuesit, tash jemi në fazën finale ku pritet ta kalojmë atë në seancën e përgjithshme, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në lehtësimin e aplikimit të udhëzuesit, kemi thjeshtësu aplikimin e tij dhe secili gjyqtar e ka qasjen më të lehtë në aplikim në raport me udhëzuesin e rishikuar”, tha Rexhepi.
Kryetari i Supremes tha se pret që të ketë zbatim udhëzuesi në fjalë, ngase është me interes të gjyqtarëve që të ndjek atë praktikë.
“Unë pres që të ketë zbatim, udhëzuesi është jo-obligues në kuptimin e dispozitave ligjore, por derisa është praktikë e unifikuar e Gjykatës Supreme besoj që është interes i secilit gjyqtar që të ndjek atë praktikë sepse udhëzuesi nuk është diçka e shpikur, por është shpjegim i dispozitave ligjore dhe është lehtësim për gjyqtarët”, shtoi ai.
Para tij, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se po kalojnë vite pa e kuptuar mandatin e Akademisë së Drejtësisë. Tha se çështja e dhënies së buxhetit është problematikë në shumë fusha, ku përmendi obligimin që secili gjyqtar të ketë bashkëpunëtor profesional, e që ky obligim nuk është realizuar.
“Nëse ka pas buxhet për gjithë këto pozita të gjyqtarëve të rinj, normalisht është dashtë me analizu se cilat kanë qenë efektet, efektet shtrihen edhe tek Akademia e Drejtësisë, efektet eventualisht shtrihen edhe në zyra të gjyqtarëve edhe nevojën për rritje të stafit mbështetës e jo thjesht të bëjë veprime të izoluara dhe të mos e sheh se cili është ndikimi tyre në praktikë”, tha Shala.
Shala tha se për shkak të buxhetit, Akademia nuk mund të zhvillojë një plan, një vizion strategjik se ku e sheh veten.
Shala numëron sfidat të cilat ndikojnë që Akademia e Drejtësisë të mos japë rezultat të mirë në praktikë
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka numëruar problemet që ndikojnë që Akademia e Drejtësisë të mos japë rezultatet e pritura në praktikë.
Shala ka listuar në “Tempus” sfidat që sipas tij ndikojnë në punën e Akademisë së Drejtësisë. Aspekti i parë sipas tij, është dinamika e ndryshimeve legjislative.
“Deri më 2013 e kemi pas një Kod Penal, ky më 2013 ka hy në fuqi Kodi tjetër Penal, dhe më pas ka hy në fuqi edhe ky Kodi i fundit Penal, i cili po ashtu është ndryshu. Njëjtë e kemi edhe me aspektin e Kodit të Procedurës Penale, ku edhe këtu janë tri Kode dhe ideja është që është jashtëzakonisht problematike me u përcjellë kjo dinamika e ndryshimeve të ligjeve, ku ndonjëherë bëhet nga nevoja, ndonjëherë për shkak të keqplanifikimit legjislativ dhe ndonjëherë për arsye politike”, tha Shala.
Problemi i dytë, sipas tij, është mendësia e një grupi të caktuar të gjyqtarëve dhe prokurorëve që është shumë vështirë të dalin prej praktikës së vet të punës.
Një çështje tjetër e cila përbën problem sipas hulumtuesit të lartë të IKD-së, është vetë problemi që e ka Akademia e Drejtësisë, duke ju referuar Strategjisë së Sundimit të Ligjit, ku sipas tij janë listuar aktivitete të cilat do duhej të kryhen nga Akademia e Drejtësisë dhe se kësaj të fundit nuk i jepet buxhet për përfundimin e aktivitetive.
Problemi tjetër, që sipas Shalës duhet të diskutohet është edhe cilësia e trajnimeve që mbahen, pasi që në disa raste ka edhe mungesa në trajnime.
Shala tha se shumë herë shihet një disbalancë mes aktiviteteve dhe trajnimeve që mbahen nga Akademia e Drejtësisë dhe problemeve që përsëriten vit pas viti, e ndonjëherë ndoshta edhe rriten.
Fejzullahu: Përgatitja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, objektivë kryesore e Akademisë se Drejtësisë
Enver Fejzullahu, drejtor i Akademisë së Drejtësisë, në emisionin “Tempus” tha se përgatitja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, përmes trajnimeve të organizuara, mbetet objektiva kryesore e Akademisë së Drejtësisë.
Fejzullahu theksoi që viteve të fundit është bërë një punë e madhe, ku në vitin 2020 dhe 2021 janë trajnuar pesë gjenerata në kuadër të trajnimit fillestar.
Ai tha se në trajnimin fillestar për katër vitet e fundit janë trajnuar 180 gjyqtarë dhe prokurorë të rinj.
“Nëse marrim në tërësi vetëm në trajnimin fillestar për katër vitet e fundit janë trajnu diku rreth 180 gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që janë rekrutu prej KGJK dhe KPK, që është një përqindje e shkallës së parë të Gjykatave Themelore, diku rreth 50% i gjithë gjyqtarëve. Pjesa tjetër kuptohet është trajnimi i vazhdueshëm, që është për gjyqtarët me mandat të përhershëm, po edhe për prokurorë me mandat të përhershëm, po edhe stafi tjetër nga shërbimi civil”, tha Fejzullahu.
Drejtori i Akademisë së Drejtësisë tha që për tri vitet e fundit janë realizuar 565 aktivitete trajnuese, njëditore dhe dyditore, me pjesëmarrje prej 12 mijë e 60 persona, përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe bashkëpunëtorët profesional.
Po ashtu, ai tha që kohën e fundit ekziston edhe programi i posaçëm për bashkëpunëtorët dhe zyrtarët ligjorë, me qëllim që t’iu ofrohet një trajnim bazik, që sipas tij, secili bashkëpunëtor që rekrutohet të ketë mundësinë të ndjek trajnim që do t’i aftësonte ata.
Gjithashtu, Fejzullahu bëri të ditur se pjesë e këtij programi është edhe trajnimi për stafin administrativ.
Fejzullahu: Rreth 80% e trajnimeve të organizuara nga Akademia e Drejtësisë financohen nga donatorët
Enver Fejzullahu, drejtor i Akademisë së Drejtësisë,tha se pjesa më e madhe e trajnimeve të Akademisë së Drejtësisë (rreth 80-90%) financohen nga donatorët.
“565 aktivitete trajnuese, ndoshta kanë qenë njëditor-dyditor, ka edhe pak treditor, 12 mijë e 60 vetë. 80 deri 90% e këtyre aktiviteteve financohen nga donatorët, jo nga buxheti jonë”, tha Fejzullahu.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, drejtori i Akademisë së Drejtësisë tha se buxheti është i mjaftueshëm për të realizuar programin e trajnimit, por që nuk janë të kënaqur me programet e trajnimit.
“A mund të bëj Akademia diçka më shumë? Po. A kemi mundësi? Jo”, u shpreh Fejzullahu.
“Ne kemi buxhet që faktikisht është prej viteve paraprake qoftë prej vitit 2019, është i njëjtë. Baza e buxhetit është e njëjtë. Si buxhet i tillë neve nuk na jep mundësi që të bëjmë planifikim zhvillimor më afatgjatë”, tha Fejzullahu.
Kjo sipas tij në kuptim të ngritjes profesionale, teksa theksoi nevojën e asaj që të shihet se si zbatohet legjislacioni në vendet tjera.
“Trajnimet më të suksesshme, më kualitative janë kur gjyqtarët mësojnë prej gjyqtarëve. Ne kemi shumë risi legjislative në legjislacionin tonë, mirëpo në aspektin e zbatimit të saj, ne duhet pak a shumë të kemi një mundësi të shohim si zbatohen në vendet tjera”, tha ai.
Sipas tij, duhet realizuar një vizitë studimi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për Gjykatën Supreme, por për shkak të mungesës së buxhetit nuk kanë mundur ta realizojnë.
Më 2024, Fejzullahu tha se kërkesa e tyre ishte që të kenë 1 milion e 400 mijë euro buxhet për Akademinë e Drejtësisë. Prej tyre, tha se kanë marrë 800 mijë euro buxhet, ku pjesa tjetër është mbuluar nga donatorët.
Sipas tij, vetëm këtë vit kostoja për trajnimin fillestar ishte 518 mijë euro, pra trajnim i cili është 12 mujor.
Ai tha e mundohen ta përshtatin programin trajnues me nevojën që i përshtatet pjesëmarrësit, kurse theksoi se adresojnë çështje ligjore që identifikohen.
“Kemi diku 12 mekanizma të ndryshëm që ne i marrim. I marrim informatat, të dhënat, i analizojmë përmes grupeve punuese apo përmes tryezave me KGJK dhe KPK dhe i identifikojmë cilat janë prioritetet. Nevojat janë të mëdhaja, mundësitë janë të vogla me ofru dhe i përmbush të gjitha nevojat që paraqiten”, tha Fejzullahu.
Në anën tjetër, Fejzullah Rexhepi, kryetar i Gjykatës Supreme, tha se po mundohen që programin e trajnimit për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj ta bëjnë sa më praktik, në mënyrë që pastaj të jenë të aftë t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre.
“Realisht, programi i Akademisë së Drejtësisë sa i përket programit fillestar edhe për gjyqtarët edhe për prokurorët e rinj, bëhen në koordinim me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial. Ne po mundohemi në vazhdimësi që të përfshijmë gjithë ato tema të cilat janë me interes për gjyqtarët dhe prokurorët në punën e tyre të përditshme. Po mundohemi që programin ta bëjmë sa më praktik në mënyrë që kur të dalin ata në punën e tyre të jenë të aftë që t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, tha Rexhepi.
Ai tha se ka pasur evoluim vazhdimisht programi edhe për gjyqtarë edhe për prokurorë fillestarë.
“Ne po mundohemi të fusim risi vazhdimisht. Gjatë programit për gjyqtar këtë vit e kemi futur si risi, pothuajse në çdo modul është simulimi i aktgjykimeve, i gjykimeve në salla të gjykimit, ku gjyqtarët kanë me u përballë me role të ndryshme, me të cilat do të përballen vazhdimisht në seanca gjyqësore”, tha Rexhepi.
Fejzullahu: Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Akademinë e Drejtësisë ka pasur progres prej qasjes që kishte në fillim
Enver Fejzullahu, drejtor i Akademisë së Drejtësisë, tha se plotësim-ndryshimi i Ligjit për Akademinë e Drejtësisë ka pasur progres prej qasjes që ka pasur në fillim.
“Nuk e di cili është versioni i fundit, por di që ka pas progres në takimin e fundit të grupit punues prej komenteve të mëhershme që kanë qenë apo prej qasjes që ka qenë. Do të thotë ne e kemi ruajt përbërjen e Këshillit Drejtues, kjo është shumë e rëndësishme. Vija llogaridhënëse është sikurse u përmend këtu çështja se Akademia ndaj kujt është llogaridhënës. Ne e kemi dhënë edhe si reagim edhe si koment në qoftëse ky Këshill Drejtues që përbëhet prej anëtarëve më eminent të sistemit të drejtësisë. Mirëpo, ajo që jemi munduar ta ruajmë është anëtarët ex-officio që janë parapa në bord. Kjo e forcon Këshillin Drejtues, Akademinë e Drejtësisë”, tha Fejzullahu.
Mirëpo, theksoi se ka pasur progres prej fillimeve të grupeve punuese që kanë qenë, me grupin e fundit.
“Po shpresojmë prapë do të jetë një zgjidhje, një plotësim/ndryshim që i adreson kërkesat dhe nevojat tona”, tha ai.
Drejtori i Akademisë së Drejtësisë tha në “Tempus” se është ndryshuar metodologjia e trajnimit, kryesisht të gjitha modulet trajnuese tha se trajtohen, zhvillohen, organizohen në formën e tryezave.
“Nuk kemi më module apo trajnime klasike qysh janë mbajtur më parë, tash kemi kryesisht debat profesional që zhvillohet”, tha tutje Fejzullahu.
Ai tha se plotësim-ndryshimi i ligjit të jetë sa më i mirë në kuptimin e mundësisë që i jep Akademisë të zhvillohet si institucion profesional.
“Nuk është një institucion apo agjenci ekzekutive, nëse kjo reflekton edhe te buxheti, buxheti kur planifikohet dhe ndahet Akademisë është sikur një agjenci ekzekutive. Akademia e Drejtësisë është puro institucion profesional, do të thotë kjo është ajo që është shumë e rëndësishme, edhe plotësim-ndryshimi i ligjit duhet të shkojnë në atë vizion, në atë vijë”, u shpreh Fejzullahu.
Ndërsa, Gzim Shala nga IKD tha se drafti i parë i këtij ligji tentonte ta politizonte skajshmërisht Akademinë. Tha se kanë dhënë komentet e tyre për këtë draft, por që draftin aktual nuk e kanë parë ende.