TEMPUS

Avokati Zekaj thotë se mungoi vullneti politik për luftën kundër korrupsionit, kritikon mungesën e Strategjisë antikorrupsion

Ylli Zekaj

Avokati Yll Zekaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e progresit në luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar atë si një dështim të rëndësishëm të një prej kauzave kryesore që e solli në pushtet.

Duke folur në emisionin “Tempus” në KTV, Zekaj tha se qeveria nuk ka arritur të përmbushë angazhimet e saj për drejtësi, duke përmendur mungesën e një Strategjie antikorrupsion si shembull kryesor.

“Një parti që ka ardhur në pushtet me kauzën për drejtësi – për punë dhe drejtësi, sidomos drejtësi – nuk mund të arrijë këtë qëllim pa luftuar korrupsionin”, tha Zekaj.

Ai theksoi se mungesa e vullnetit politik ka penguar seriozisht përpjekjet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, duke shtuar se qeveria ka përfunduar një mandat të plotë pa miratuar strategjinë e nevojshme për ta adresuar këtë çështje.

“Nuk ka pasur një vullnet politik për ta shtyrë përpara parandalimin, përkatësisht luftimin e korrupsionit,” deklaroi ai.

Zekaj vuri në dukje se miratimi i një Strategjie antikorrupsion është një obligim ligjor sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe kritikoi qeverinë për mosveprimin e saj.

“Kjo është ndoshta hera e parë që një strategji e tillë do të aprovohej nga qeveria dhe, si e tillë, duhej të kishte qenë më e lehtë për ta shtyrë përpara frymën dhe idetë e saj për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”, shtoi ai.

Zekaj gjithashtu ngriti shqetësime për draftin e strategjisë që aktualisht është në konsultim publik, duke thënë se ai ka shumë mangësi.

“Tash jemi duke analizuar një draft që ka shumë probleme”, përfundoi ai./BetimipërDrejtësi