TEMPUS

Alija: Institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për viktimat e dhunës seksuale

Amer Alija

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka deklaruar se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për viktimat e dhunës seksuale.

I ftuar në emision “Tempus” në KTV, Alija ka theksuar se që nga përfundimi i luftës e deri më tani janë ngritur 10 aktakuza për dhunë seksuale si krime lufte.

Ai ka deklaruar se gjatë vitit të kaluar janë ngritur gjashtë aktakuza për dhunë seksuale gjatë luftës dhe se sipas informacioneve të tij, katër persona janë në paraburgim.

“Që nga përfundimi i luftës deri më tani janë ngritur diku 10 aktakuza për dhunë seksuale si krime të luftës, por vetëm në vitin e kaluar janë ngritur gjashtë aktakuza ku katër prej tyre janë sa e di ndaj personave të cilët gjenden tanimë edhe në paraburgim. Deri më tani në Kosovë është dënuar vetëm një person për krime e luftës nga gjyqësori vendor por po ashtu këto raste janë trajtuar edhe pranë Tribunalit Penal në ish-Jugosllavi ku shumë pak publiku ka informata që ky Tribunal i ka dënuar pesë eprorë serbë qoftë ushtarakë apo policorë për krimet të cilat i kanë bërë vartësit e tyre pra ato dhunimet të cilat kanë ndodhur ku sipas aktgjykimeve përmendet Prishtina, Belegu, Qerezi. Pra, në këto tre vende kanë ndodhur akte apo janë dëgjuar disa, një numër i vogël i personave të dhunuar dhe është mirë që të dihet që ky tribunal e ka dokumentuar që në luftën e Kosovës ka ndodhur persekutim seksual si krim kundër njerëzimit, pra ka qenë sistematik dhe i shpërndarë në disa qytete të Kosovës”, ka theksuar ai.

Alija, gjithashtu ka thënës se Fondi nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me viktimat e dhunës, pasi që sipas tij, Fondi iu ndihmon me trajnime të ndryshme institucioneve ligjzbatuese lidhur më këto raste.

“E dimë që Fondi nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me viktimat e dhunës seksuale për arsye se me këtë punë merren organizata e tjera të cilat sigurisht edhe i asistojnë edhe viktimat por edhe Komisionit, ne se si i ndihmojmë këtij procesi është qoftë përmes trajnimeve të ndryshme për prokurorë, gjyqtarë. Një herë kemi mbajtur trajnim edhe për hulumtimin e të dhënave të databazës për ku mund të gjenden materialet apo qoftë provat materiale të cilat mund të jenë si dëshmi mbështetëse”, ka sqaruar tutje Alija.


Alija: Hetimet të zgjerohen edhe ndaj eprorëve, viktimat jo gjithmonë mund të identifikojnë kryerësin e veprës

Alija ka deklaruar se viktimat nëse e dinë kryerësin e veprës penale, duhet ta përshkruajnë atë shumë mirë. Por, sipas tij, jo gjithmonë duhet të dihet identiteti i kryerësit por mjaftojnë elementet tjera që ndihmojnë organet e ndjekjes për të zbuluar dhunuesin.

“Shpesh mjaftojnë elementet e tjera të cilat dhunimin e kanë kryer vartësit apo ushtarët, policët në terren dhe Prokuroria përmes punës, përmes informatave për shembull se cilat njësi kanë marrë pjesë në një aksion të caktuar, në një territor të caktuar qoftë përmes uniformave, a kanë qenë uniforma policore, ushtarake, paramilitare, etj. Prokurorisë do t’i ndihmojnë këto informata që t’i ngrit aktakuza ndaj eprorëve të tyre përmes përgjegjësisë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ka theksuar ai.

Sipas tij, nëse ka qenë plani primar i ushtrisë apo policisë që ta bëjë dëbimin e një qyteti apo një territori dhe gjatë atij plani kanë devijuar ushtarët, kanë bërë dhunime dhe krime të ngjashme, atëherë Prokuroria me disa informata të cilat i pranon nga palët e dëmtuara mund të ngritë aktakuza ndaj eprorëve të tyre.

“Ashtu siç i ka dënuar edhe Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë dhe gjithmonë të insistojmë në identitetin e personave të cilët e kanë bërë veprën penale, për arsye se aktakuza të drejtpërdrejta me identitetin janë duke u trajtuar në Kosovës por unë kisha sugjeruar që të zgjerohen edhe ndaj eprorëve të cilët kanë pasur përgjegjësi qoftë komanduese në territore të caktuara dhe në aktakuzat të shkojnë në mënyrë vertikale”, është shprehur Alija.