Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), tha se gjatë viteve 2021-2024 janë parandaluar 500 raste të futjes së kontrabandës në institucione korrektuese.
“Vetëm gjatë viteve 2021-2024 kemi 500 raste të parandalimit të futjes së kontrabandës dhe kemi 320 raste të gjetjes së kontrabandës brenda institucioneve korrektuese. Për dallim prej viteve paraprake në periudhën e njëjtë, kur kemi 116 raste të parandalimit dhe 600 gjetje. Natyrisht nuk është e kënaqshme, por dukshëm rezultati është më i mirë”, tha Dibrani.
Lidhur me atë nëse ka shifra sa i përket stafit korrektues që është vënë para përgjegjësisë të cilët kanë qenë të përfshirë në kontrabandë, Dibrani theksoi se janë duke shkuar në drejtim të mirë sa i përketë kësaj çështjeje.
“Jemi në rrugë të mbarë, fati i mirë është se ka raste të izoluara, ka zyrtarë, por jo si raste të mëdha që janë të përfshirë si në shtetet e tjera. Ka raste që në bashkëpunim me Prokurorinë edhe kemi arrestu, edhe ka në vuajtje të dënimit në pozita të ndryshme zyrtarë korrektues, por janë raste të izoluara, nuk janë në masë të madhe stafi i përfshirë. Natyrisht ka zyrtarë, ka mbikëqyrës ndoshta në disa raste edhe në grada të tjerë, por për të cilat jemi duke punuar ngushtë dhe jemi duke i adresuar me Policinë e Kosovës”, tha Dibrani në “Tempus“.
Ndërsa, lidhur me monitorimin nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, ai tha se janë ndërmarrë hapa për qartësim ligjor të mandatit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT) dhe institucioneve tjera monitoruese.
“Sa i përket monitorimit, ne kemi kërkuar interpretim ligjor nga Departamenti Ligjor i Shërbimit Korrektues të Kosovës. I vetmi kufizim është që këta duhet ta njoftojnë Shërbimin Korrektues të Kosovës paraprakisht për vizitë. Mekanizmi kombëtar për parandalimin e torturës ku bën pjesë edhe QKRMT-ja, e ka të drejtën ligjore si institucioni i vetëm Avokati i Popullit, që të bëjë vizita pa paralajmërim 24 orë, edhe natën dhe ditën. Pjesë e këtij mekanizmi është edhe QKRMT. Se sa është duke funksionu, unë po besoj që është duke funksionuar shumë mirë, dhe këta kanë të drejtë që përmes këtij mekanizmi ta shfrytëzojnë të drejtën e monitorimit edhe pa paralajmërim”, shtoi Dibrani.
Po ashtu, Dibrani tha se janë në përfundim të një manuali për të burgosurit, përmes të cilit kërkojnë bashkëpunim nga vetë ata në luftimin e dukurive negative brenda Shërbimit Korrektues.
“Kam kërkuar nga të burgosurit bashkëpunim për luftimin e dukurive negative. Jam në proces të përfundimit në bashkëpunim me Këshillin e Evropës edhe OSBE-në edhe me partnerë të tjerë, po besoj edhe QKRMT-ja është pjesë e hartimit të manualit, ku të burgosurit secili i burgosur do t’i kenë në dhomë në formë të një fletushke të gjitha të drejtat dhe detyrimet, natyrisht të gjitha të drejtat ligjore që ia garanton ligji që ky i burgosur mos të kërkojë rrugë të tjera, por në rast se një beneficion i takon përmes ligjit ai do ta fitojë vetë, nëse ai nuk e fiton do t’i tregohet pse nuk e fiton këtë të drejtë. Si rezultat i kësaj letre që kam përcjellë, kam marrë informata kthyese, sinjalizime dhe jemi në rrugë shumë të mbarë. Prej rastit kur e kemi dërgu këtë letër tek secili i burgosur, janë gati 10 raste për të cilat jemi duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e tjera të ndjekjes”, shtoi tutje Dibrani.
Blakaj: Politikat ndëshkuese duhet të ndikojnë te të burgosurit
Safet Blakaj, drejtor në Qendrën për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labyrinth”, në emisionin “Tempus” në KTV, foli për rëndësinë që kanë politikat ndëshkuese për rehabilitimin e të burgosurve, duke nënvizuar se mënyra si ata trajtohen ka ndikim të drejtpërdrejtë në sjelljen e tyre pas lirimit.
“Institucioni i lirimit me kusht është diçka shumë e rëndësishme, mendoj diçka për burgjet. Sepse është një çlirim, shpeshherë edhe institucioni tjetër që bën faljet e ndryshme duhet të kuptojë politikat ndëshkuese. Ato mund të ndryshohen, duhet të jenë të avancuara, duhet të jenë që ndikojnë dhe ndihmojnë të burgosurit, pasi që nëse ne i shohim si kriminelë, ata kanë me dalë si kriminelë. Disa prej tyre kanë me mbetur gjithmonë recidivistë, disa prej tyre kanë me mbetur gjithmonë në burgje”, u shpreh Blakaj.
Blakaj kritikoi idenë që vetëm Shërbimi Korrektues të mbajë përgjegjësinë për rehabilitimin e të burgosurve, duke potencuar që rol të madh mund të ketë edhe ai Sprovues.
“Orientimi që vetëm Shërbimi Korrektues të bëjë rehabilitimin e të burgosurve nuk është ide e mirë asnjëherë. Nuk i takon vetëm Shërbimit Korrektues. Mendoj që është dashur të zgjerohet që edhe Shërbimi Sprovues që çmoj se mund të bëjë një punë shumë të madhe. Pra, po flitet që Shërbimi Korrektues duhet të bëjë njeriun shumë të pastër dhe që ai mos të kthehet asnjëherë më në burg, pra kjo si ide nuk është e mirë. Këto kanë çështje tjera, tema të tjera parësore, si ajo e sigurisë, e këto ndoshta janë tretësore, duke përfshirë edhe shëndetin brenda burgjeve, e kështu me radhë, e kjo risocializimi është tretësore”, tha Blakaj.
Po ashtu, Blakaj theksoi që institucioni i lirmit me kusht i përcjellë nga Shërbimi Sprovues, është një mekanizëm shumë i rëndësishëm në rehabilitimin e të burgosurve, por që ndërlidhet më së paku me sektorin privat e që pa të, sipas tij, nuk mund të bëhet.
Për këtë, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, theksoi që është krijuar një Njësi në kuadër të SHKK-së, e cila do të krijojë marrëveshje me bizneset lidhur me mundësimin e punësimit të të burgosurve.
“Kemi themeluar Njësinë Ekonomike, që pretendohet që në të ardhmen të jetë promotor i zhvillimit ekonomik të Shërbimit Korrektues. Do të kemi mundësi në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me shumë biznese që operojnë në Kosovë, ku do t’iu mundësohet atyre edhe hapje e mini-fabrikave”, tha ai.
Dibrani tha se deri më tani nuk kanë pasur mundësi t’iu ofrojnë të gjithë të burgosurve punë.
“Pasi që ka pasë pak punëtori brenda burgjeve, ku dhe për këtë ju kemi mundësuar që të punojnë jashtë burgjeve, por pas themelimit të kësaj Njësie tash edhe në mënyrë ligjore na mundësohet të nënshkruaja marrëveshje bashkëpunimi ku do të ofrohen hapësirat tonat brenda burgjeve, kompanive”, tha Dibrani.
Blakaj, megjithatë, shprehu rezerva ndaj detyrimit që një i burgosur punojë, kur interesimi i tij nuk është risocializimi.
“Përmendët që nëse një i burgosur nuk është në proces të një aktiviteti që mund të konsiderohet rehabilitues, siç konsiderohet puna apo kurset, ai mund të humbas disa benefite – qysh bën kjo punë kështu? Për mua ky nuk është koncept. Pse duhet me e detyru një të burgosur, kur e dimë që ai e bën atë punë thjesht për një përfitim shumë të vogël nga ana jonë, kur e shohim, sepse është shumë i madh për të, pasi që ai nuk është i interesuar me e bë atë punë për me u risocializu. Pra, këtë nuk e kuptoj, i bie që po punojmë diçka joefektive”, tha Blakaj,
Por, Dibrani theksoi që një i burgosur asnjëherë nuk mund të rehabilitohet apo risocializohet nëse ai qëndron në një dhomë dhe larg njerëzve të tjerë.
“Qëllimi i dënimit, i ardhjes në Shërbimin Korrektues, është rehabilitimi dhe risocializimi. Në asnjë rrethanë nuk mundet të ketë rehabilitim e as risocializim në rast se një person qëndron i mbyllur në dhomë, i papërfshirë, i parisocializuar me persona të tjerë. Por, që sigurisht që ai do të mendojë se si nesër të përfshihet në incidente të ndryshme, në kontrabandë, në aktivitete të tjera të jashtëligjshme”, shtoi Dibrani.
Dibrani: Ka lista të pritjes që të burgosurit të përfshihen në programe të rehabilitimit, s’ka ende databaza të recidivizmit
Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), tregoi se të burgosurit që nuk janë pjesë e programeve rehabilituese, nuk kanë të drejtë të jenë shfrytëzues të vikendit dhe as të kalojnë në tipin e hapur. E drejta për shfrytëzimin e vikendit dhe kalimit në tipin e hapur, tha se kanë ndikuar që për herë të parë të ketë listë të pritjes për përfshirje në programe të rehabilitimit.
“Kjo ka ndikuar që në masë të madhe, për herë të parë të kemi lista në pritje të personave burgosur që presin për t’u përfshirë në programe rehabilituese. Ne i kemi ndërmarrë të gjitha hapat që të mos ketë listë të pritjes, por që të gjithë ata që janë të interesuar të përfshihen në programe rehabilituese të përfshihen dhe kjo vjen edhe te rezultati që të ketë numër më të vogël të incidenteve”, tha ai.
Dibrani tha në “Tempus” në KTV se duhet një vlerësim i programeve rehabilituese në vazhdimësi dhe se ky vlerësim nuk mund të bëhet brenda javës apo muajit.
“Por, duhet vite që një person i cili ka kaluar përmes vuajtjes së dënimit, që institucionet tona, përfshirë Shërbimi Sprovues dhe institucionet tjera të punojmë me këta persona për të parë se cili ka qenë impakti i këtyre programeve rehabilituese, sepse ai natyrisht do të monitorohet në vazhdimësi dhe nuk do të kthehet në vuajtje të dënimit”, tha Dibrani.
Ai theksoi se në një periudhë kishte 300 të burgosur që ishin të përfshirë në programe rehabilituese, e që edhe numri i recidivizmit ishte më i lartë. Tha se vitet e fundit këto shifra kanë ndryshuar.
Drejtori i SHKK-së tha se ky institucion tani është edhe anëtar i Rrjetit Evropian të Burgjeve. Ai tha se Kosova është pranuar në këtë Rrjet pa qenë anëtare e Këshillit të Evropës, që është një nga kriteret kryesore për t’u anëtarësuar.
Gjithashtu, ai shtoi se ende nuk databazë të recidivizmit, mirëpo që është duke u punuar në atë drejtim.
“Sepse duhet të grumbullohen të dhënat. Ju e dini në të kaluarën ka pasur dosje fizike, na jemi t’u e digjitalizuar komplet sistemin edhe jemi afër hartimit të një databaze të përbashkët me Policinë, me Gjykatë, ku kemi me pas mundësi në vazhdimësi prej momentit kur arrestohet një person, me pa na paraprakisht para se me ardhur në vuajtje të dënimit, por njëkohësisht me përcjellë edhe Policia dhe sistemi gjyqësor, dhe shpresoj që shumë shpejt kemi me pas statistikë të tillë”, tha Dibrani.
Lidhur me këtë, Metije Ademi, ish-drejtoreshë e Shërbimit Sprovues të Kosovës, tha se shpreson se krijimi i një databaze të tillë të shkojë mbarë, ashtu që të gjitha institucionet nga Policia e Kosovës, Prokuroria, Shërbimi Korrektues, Gjykatat dhe Shërbimi Sprovues të kenë një lidhshmëri.
Sipas saj, pikërisht për rastet e recidivizmit janë dënimet alternative.
“Një person që bie në kundërshtim me ligjin, herën e parë e ka shumë të vështirë që të shkojë në burg, është edhe ajo stigma ndaj vetë personit, pastaj familja, pastaj nuk e din çka e pret, me shumë vështirësi e pranon shkuarjen në burg, po shkoi herën e parë, herëve të tjera e ka më lehtë sepse mësohet me atë ambient. Për atë arsye, unë mendoj që çdo herë aty ku ka mundësi ligjore, të shqiptohen masa dhe dënime alternative, të jepet një shansë që të korrektohet e rehabilitohet edhe pa shkuar në burg”, tha Ademi.
Haliti nga QKRMT: MD-ja dhe SHKK-ja na kanë kufizuar mandatin tonë, sfidë mbetet ndalimi i kontrabandës nga stafi korrektues
Fatmire Haliti, monitoruese në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në emisionin “Tempus” në KTV, ngriti shqetësime lidhur me kufizimet e reja që Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë vendosur ndaj mandatit të monitoruesve brenda institucioneve korrektuese.
“Ne tash e mbi 18 vite kemi monitoru në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë, përkatësisht Shërbimin Korrektues. Çdo herë pas skadimit të marrëveshjes ne kemi pas sfida për lidhjen e marrëveshjes së re dhe çdo herë na është dashtë me prit dhe këtë vit ka qenë pritja më e gjatë. Kemi qenë 9 muaj jashtë institucioneve korrektuese, për shkak se marrëveshja që na është ofru prej Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues, ka qenë shumë kufizuese në aspektin e realizimit të mandatit tonë”, tha Haliti.
Pas 9 muajve, tha se e pranuan marrëveshjen e kufizuar.
Një nga kufizimet kryesore që u theksua nga Haliti ishte detyrimi për të njoftuar paraprakisht vizitat dhe vështirësitë në qasje të dokumenteve.
“Duhet njoftojmë Shërbimin Korrektues 24 orë më përpara, siç e kemi pas vitet e kaluara, si dhe për me marrë dokumente duhet me bë qasje në dokumente, e cila mundet me qenë shumë kufizuese në disa raste”, shtoi Haliti.
Ajo tha se për herë të parë është vendosur edhe një kufizim për vizitat tek të paraburgosurit, të cilët janë të një rëndësie të veçantë për monitorimin e të drejtave të njeriut.
“Po ashtu, për herë të parë na është vu një kufizim në vizitimin e të paraburgosurve, ku siç e tha edhe drejtori numri është 600 deri në 700, dhe janë persona mjaft të cenueshëm për shkelje eventuale në të drejta e njeriut. Deri më tani nuk kemi pas kufizime, por është një nen i Kodit të Procedurës Penale i cili thotë që të burgosurit vizitohen vetëm me leje të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe janë thirrë në këtë dispozitë, gjë e cila nuk ka vlejtë deri më tani pasi që ne nuk i vizitojmë në kapacitete private as individuale, në kapacitetin e monitoruesve dhe metodologjisë së standardeve të të drejtave të njeriut”, shtoi monitoruesja.
Haliti në “Tempus” theksoi edhe mungesën e qasjes në shërbimet shëndetësore në burgje.
“Po ashtu, edhe me Departamentin Shëndetësor të burgjeve, i cili është i pavarur, pasi që ajo menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë, që nga viti 2022 na është ndalu qasja, nuk është ripërtëri marrëveshja dhe nuk kemi qasje në monitorimin e këtyre shërbimeve”, tha ajo.
Ndërsa, sa i përket fenomenit të kontrabandës brenda burgjeve, monitoruesja theksoi se sfidë e vazhdueshme mbetet përfshirja e stafit korrektues në kontrabandë.
“Ka kontrabandë, e kemi përmend edhe në dy raportet e fundit që në këto tri vitet e fundit, Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka pas prioritet parandalimin e kontrabandës, e po ashtu kanë qenë edhe transparent kur i kanë raportu të gjitha rastet për parandalimin e kontrabandës, sa i përket futjes së kontrabandës nga familjarët, nga mekanizmat nga jashtë, e cila ka pasur progres në parandalim, por mbetet sfiduese është zbulimi i kontrabandës i cili bëhet nga stafi korrektues, sepse pothuajse të gjitha rastet që raportohen që është ndalu kontrabanda është ka hy qoftë prej kompanive, qoftë prej familjarëve, por numri i tyre që zihen me kontrabandë që janë staf korrektues është mjaft i ulët”, tha Haliti.
QKRMT kërkon që të respektohet mandati i tyre për monitorim të pavarur dhe që institucionet përkatëse të lehtësojnë punën e tyre në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Ademi thotë se programet rehabilituese iu ndihmojnë edhe grave të burgosura
Metije Ademi, ish-drejtoreshë e Shërbimit Sprovues të Kosovës, tha se programet rehabilituese në Shërbimin Korrektues, në veçanti ju ndihmojnë grave që të krijojnë një vetëbesim, të zhvillojnë aftësitë profesionale, të jenë të dobishme për veten, por edhe për familjet e tyre.
Ajo tha në “Tempus” në KTV se pas çdo shkelje ligjore, tek gratë, në shumicën e rasteve ekziston një histori apo faktorë që i kanë shtyrë të kryejnë vepër penale.
“Ekziston një histori e tmerrshme e jetës së tyre, një histori e dhunës fizike, një histori e dhunës psikologjike, një histori e vuajtjes, një histori e pabarazisë, një histori apo faktorë të ndryshëm- të jashtëm dhe të brendshëm, që e kanë shtyrë këtë person ta kryejë atë vepër penale. Asnjëherë nuk e justifikoj apo mbështes krimin, mirëpo duhet të kemi parasysh të kaluarën dhe duhet me këto programeve ta formojmë një lloj urë lidhëse në mes të kaluarës dhe për një ardhme më të mirë dhe të suksesshme”, ka thënë Ademi.
Sipas saj, shumë të nevojshme janë edhe programet psikologjike. Tha se Shërbimi Korrektues ka kapacitet, mirëpo programet e marra nga donatorët dhe nga organizata të ndryshme, janë të nevojshme dhe të dobishme për rehabilitimin e të burgosurve.
Ndërsa, Fatmire Haliti, monitoruese në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT), tha se për programet të cilat janë duke u zhvilluar tani, rezultatet e suksesit do të shihen më vonë.
“Ishte për keqardhje kur shihje të mitur derisa ishin në Qendra Korrektuese për të miturit dhe pas një kohe të njëjtit i shihje në Qendra të Paraburgimit, për shkak që disa prej tyre për herë të parë kanë rënë në konflikt me ligjin, por që në mungesë të programeve të tilla, ata vetëm sa janë zhvilluar në pjesën negative të kriminalitetit dhe kanë kryer vepra penale qoftë sa kanë qenë në burg apo edhe pasi kanë dalë nga burgu dhe janë bërë përsëritës të veprave penale”, tha Haliti.
Ajo tha se rritja e programeve të tilla do të ndikojë pozitivisht dhe do ta ulë edhe shkallën e recidivizmit dhe shkallën e kriminalitetit në vend dhe që këta persona kur të dalin nga burgu të jenë të dobishëm për shoqërinë.
Haliti: Duhet të ketë programe të individualizuara për secilin person që të arrihet qëllimi i dënimit
Fatmire Haliti, monitoruese në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT), tha se secili i burgosur ka karakteristika personale dhe se plani i trajtimit apo rehabilitimit duhet të jetë i veçantë dhe individual.
E ftuar në “Tempus“ në KTV, Haliti tha se nga viti 2006-2007, i kanë filluar vizitat sistematike në institucionet e privimit nga liria, teksa kanë përcjellë progresin dhe sfidat me të cilat ballafaqohen këto institucione.
Sipas saj, ka pasur progres të vazhdueshëm në avancimin e Shërbimit Korrektues dhe në avancimin e standardeve të të drejtave të njeriut, megjithatë, sipas saj, institucionet korrektuese ballafaqohen me sfida në korrektimin dhe riintegrimin e të burgosurve.
Në raportet e fundit për vitet paraprake, Haliti thotë se kanë përmendur mungesën e programeve të riedukimit dhe risocializimit të të burgosurve. Por, thotë se vitet e fundit ka progres me rritjen e programeve të tilla.
Ajo shton se edhe vitin e kaluar kanë rekmanduar programet e individualizuara për secilin person, në mënyrë që të arrihet qëllimi i dënimit.
“Institucionet korrektuese ofrojnë disa programe, por të cilat tani për tani janë më shumë të përgjithshëm për të gjithë të burgosurit, por që mungon individualizimi në bazë të karakteristikave, nevojave dhe interesave të të burgosurve. Kemi të burgosur të moshave të ndryshme, të nivelit intelektual të ndryshëm, regjioneve të ndryshme dhe duhet t’iu përshtaten ato programe, në mënyrë që kur ata të dalin nga burgu të jenë persona të dobishëm për shoqërinë, me qëllim që të mos jenë përsëritës të veprave penale”, tha Haliti.
Ndërsa, Safet Blakaj, drejtor në organizatën “Labyrinth”, tha se ekziston një pengesë apo mangësi në hallkën esenciale që ndërlidhet mes sistemit të burgjeve dhe asaj se si do të procedohen tutje personat e porsadalë nga burgu.
“Duhet të jetë një ndërlidhje mes burgjeve- përgatitja para se të dalë nga burgu dhe që t’i ofrohet menjëherë një organizatë, një trupë apo çkado tjetër që t‘i ofrojë mundësinë për aktivitetete tjera”, tha Blakaj.
Ademi: Drejtësia nuk arrihet vetëm me ndëshkim, por edhe me rehabilitim dhe riintegrim
Metije Ademi, ish-drejtoreshë e Shërbimit Sprovues të Kosovës, thotë se përveç ndëshkimit, drejtësia arrihet me rehabilitim, korrektim dhe riintergim të personave të dënuar përmes programeve rehabilituese.
“Programet e rehabilitimit dhe riintergimit të personave të dënuar në shoqëri, kanë rëndësi tepër të madhe, shpeshherë rehabilitimi i personave që janë në mbajtje të dënimit mbetet nën hije dhe kjo ka ndikim tepër të madh te ata persona vetë që kanë kryer vepër penale, por ka edhe ndikim tepër të madh në tërë shoqërinë. Unë mendoj që drejtësia nuk arrihet vetëm me ndëshkim, drejtësia arrihet me rehabilitim, me korrektim dhe me riintegrim të këtyre personave”, tha Ademi në “Tempus” në KTV.
Sipas saj, Shërbimi Korrektues është në rrugë të mbarë sa i përket programeve dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit që ka me shumë organizata të ndryshme dhe njëkohësisht edhe Shërbimi Sprovues është një shërbim shumë i rëndësishëm, i cili nuk ka ekzistuar më herët dhe nuk është kuptuar rëndësia e tij.
“Shërbimi Sprovues është i një rëndësie të veçantë, sidomos për personat që bien për herë të parë në kundërshtim me ligjin, që të korrektohen, risocializohen edhe pa shkuar në burgje”, u shpreh Ademi.
Ademi thekson se shpeshherë burgu nuk është vendi më i përshtatshëm për korrektim dhe risocializim dhe se për këtë arsye ekzistojnë dënimet alternative. Prandaj, sipas saj, është e nevojshme që aty ku ka mundësi të jepet dënim alternativ dhe jo dënim me burg.
Gjithashtu, Ademi tha se në Kosovën demokratike dhe të lirë, personat në burg nuk duhet të vuajnë, por duhet të rehabilitohen dhe korrektohen përmes programeve, si dhe të dalin si pjestarë të barabartë të shoqërisë me të gjithë personat e tjerë.