YouTube po ndryshon politikat për videot me armë zjarri në përpjekje për të mbrojtur përdoruesit e rinj nga përmbajtjet e rrezikshme.
Platforma e shpërndarjes së videove ka thënë se do të ndalojë çdo video që demonstron armët e zjarrit.
Ndryshimi ka ardhur pasi vazhdimisht ishte bërë thirrje që platforma të bënte më shumë për t’u siguruar se videot e tilla nuk do të arrinin te përdoruesit e rinj, potencialisht t’i traumatizonin fëmijët ose t’i çonin në drejtim të dhunës a ekstremizmit, raportoi AP.
Muajin e kaluar, prokurori i qarkut të Manhattanit, Alvin Bragg, i bëri thirrje Youtubet që t’i ndalojë videot e lidhura me armët dhe që të forconte politikat e veta.
Bashkë me TikTokun, YouTube është një prej platformave më të përdorura nga fëmijët dhe adoleshentët. Të dyja janë vënë nën kritika kur në disa raste kanë promovuar video që inkurajonin dhunën, çrregullimin e të ngrënit dhe vetëlëndimin.