Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar ndjekjen penale të kompanisë teknologjike Google nëse ai i fiton zgjedhjet e 5 nëntorit, raportoi të dielën Reuters.
Trumpi ka thënë se do ta marrë këtë vendim nën pretendimin se kompania shfaq vetëm “histori të këqija” për të.
Përmes një postimi në “Truth Social”, Trumpi nuk ka dhënë asnjë provë për pretendimet e tij në lidhje me Google.
"Google ka përdorur në mënyrë të paligjshme një sistem vetëm për zbulimin dhe shfaqjen e historive të këqija për Donald J. Trump, disa të sajuara, teksa paraqet vetëm histori të mira për kandidaten demokrate presidenciale Kamala Harris. Ky është aktivitet i paligjshëm dhe shpresojmë se Departamenti i Drejtësisë do t'i ndjekë penalisht ata për këtë ndërhyrje të hapur në zgjedhje. Nëse jo, duke iu nënshtruar ligjeve të vendit tonë, do të kërkoj ndjekjen e tyre, në nivelet maksimale, kur të fitoj zgjedhjet dhe të bëhem president i Shteteve të Bashkuara”, është shprehur Trumpi.