Tech

TikToku ngre padi për të bllokuar ligjin amerikan që synon ta ndalojë atë

TikTok

TikTok

Foto: Associated Press

TikToku ka ngritur një padi të martën përmes të cilës synon të bllokojë një ligj amerikan që do të ndalonte aplikacionin e videove të shkurtra në vend, nëse nuk shitet nga kompania e saj mëmë kineze.

Në dosjen e saj, kompania e mediave sociale e quajti aktin një "ndërhyrje të jashtëzakonshme në të drejtat e fjalës së lirë" të kompanisë dhe 170 milionë përdoruesve të saj amerikanë, raporton BBC.

Kompania ka shtuar se SHBA-ja ka paraqitur "shqetësime spekulative" për të justifikuar masën, dhe i kërkoi gjykatës ta ndalonte atë.

Presidenti amerikan, Joe Biden nënshkroi ligjin muajin e kaluar, duke përmendur arsyetimet e sigurisë kombëtare.

Kjo pasoi vite debatesh në Washington, me pretendimin se pronësia kineze e TikTok-ut rrit rrezikun që të dhënat për përdoruesit amerikanë të bien në duart e qeverisë kineze ose të përdoren për propagandë.

TikTok-u ka mbajtur qëndrimin se është i pavarur, ndërsa kompania mëmë ByteDance ka thënë se nuk ka plane të shesë biznesin.

Qeveria kineze e ka kritikuar ligjin si "ngacmim" i SHBA-së ndaj një firme të huaj dhe ka sinjalizuar se do të kundërshtonte shitjen.

Sipas ligjit amerikan, dyqanet e aplikacioneve do të ndalohen të ofrojnë TikTok në SHBA duke filluar nga janari i vitit 2025, përveç nëse kompania mëmë ByteDance gjen një blerës. Presidenti Biden mund ta zgjasë atë afat me 90 ditë nëse bisedimet përparojnë.

Mirëpo, në dosjen e tij, TikTok-u ka thënë se kërkesa ishte "thjesht e pamundur: komercialisht, teknologjikisht dhe ligjërisht. Dhe sigurisht jo në afatin kohor 270-ditor të kërkuar nga ligji".

Ai vuri në dukje se ndalime të ngjashme tentative, përfshirë nga ish-presidenti Donald Trump, u bllokuan nga gjykatat amerikane.