Tech

TikToku do t’i bllokojë disa filtra për adoleshentët, ka shqetësime për shëndet mendor

TikTok

TikTok

Adoleshentët do të përballen me rregulla të reja të përdorimit të filtrave të bukurisë në rrjetin social TikTok, pas shqetësimeve në ngritje për shkaktim të telasheve mendore.

Përdoruesit e rinj (nën moshën 18-vjeçare) nga javët e ardhshme nuk do të kenë mundësi të përdorin filtra që ua zmadhojnë sytë, fryjnë buzët apo të zbusin tonet e lëkurës.

Ndalesat do të vlejnë për filtrat – si “Bold Glamour” – që ndryshonin fytyrat e fëmijëve, ashtu siç s’mund ta bëjë grimi. Filtrat që shtojnë efekte të tjera, si veshë të lepurit apo hundën e qenit, nuk do të largohen.

Rrjeti social me mbi një miliard përdorues ka njoftuar për ndryshimet gjatë një forumi të sigurisë në selinë e vet në Dublin.

Në vazhdimësi ka pasur shqetësime se filtrat e bukurisë – disa të ofruara nga vetë TikToku e të tjera të krijuara nga përdoruesit – kanë rezultuar në presion te adoleshentët, kryesisht vajzat, që pas përdorimit të tyre të përballen me emocione negative. Disa të rinj kanë thënë se pasi i kanë përdorur filtrat “e kanë kuptuar se sa të shëmtuar e kanë fytyrën”.

TikToku ka njoftuar po ashtu se po forcon sistemet e sigurisë, që t’i bllokojë nën 13-vjeçarët nga platforma. Pritet që para fundit të vitit të lansohet një sistem i automatizuar që mëson sjelljet e njerëzve që mashtrojnë për moshën.

Përdorimi i TikTokut po konsiderohet shqetësues edhe për një pjesë të të rinjve në Kosovë. Valon Kerolli, njohës i rrjeteve sociale, ka thënë se përkundër mundësisë për t'u përdorur në mënyra konstruktive, rrjetet sociale shpesh përdoren për qëllime të dëmshme në Kosovë, duke pasur ndikim negativ në shoqëri, sidomos te të rinjtë.

“Kryesisht te ne rrjeti social më i përdorur është ai Facebook, por kohëve të fundit ka filluar të dominojë edhe TikTok-u. Kryesisht te ne kontenti që po bëhet viral e që po përdoret më së shumti në TikTok ka filluar me qenë kontent toksik. I dëmshëm për të rinjtë, i dëmshëm për nxënësit e studentët. Realisht në krejt botën rrjetet sociale mund të shfrytëzohen edhe për të mirë por edhe për të keq, fatkeqësisht në vendin tonë, TikTok-u është duke u përdorur më shumë për keq se për të mirë. Ndalimi i Snapchat është absurde që të ndalohet sepse ka shumë aplikacione të tjera të ngjashme si Viber etj., që përdoren për komunikim. Problemi kryesor është TikTok-u”, ka thënë ai për emisionin “SOT” në KTV.

Kerolli ka deklaruar se një nga problemet kryesore me TikTok-un është algoritmi i tij, i cili “mëson” preferencat e përdoruesve dhe u shfaq në vazhdimësi përmbajtje të ngjashme. 

Një tjetër shqetësim për njohësin e rrjeteve sociale është përdorja e moshës së rreme nga fëmijët për të hyrë në rrjetin social TikTok.

“Mosha e lejuar që mund ta përdorin TikTok-un është ajo 13-vjeçare dhe është një kohë e caktuar brenda 24 orëve kur munden me përdorë. Te ne e manipulojnë këtë fëmijët kosovarë sepse përdorin moshë të rrejshme, pra mbi 18-vjeçare. Algoritmi i TikTok-ut e ka bërë një revolucion pasi që e dedukton personin që e përdor TikTok-un, se çfarë dëshiron të shikojë. Nëse është një kontent i dëmshëm, një kontekt toksik, rrahje apo debat i ashpër, nëse shikohet ajo për disa sekonda, TikTok-u e llogarit që personit po i pëlqen videoja dhe përmbajtja e saj dhe vazhdimisht TikTok-u shfaq përmbajtje të ngjashme. Pikërisht ky është problemi me TikTok-un dhe të rinjtë në Kosovë”, deklaron ai.  

Kerolli e përshkruan TikTok-un si “armën më të fuqishme” të varësisë digjitale, duke theksuar se kosovarët më shumë janë të prirë për të konsumuar përmbajtje negative.

Sipas tij, ndryshe nga platforma e tjera, TikTok-u nuk ofron siguri me monitorimin që bën, pasi që mbështetet kryesisht në inteligjencën artificiale, e cila ka vështirësi ta kuptojë gjuhën shqipe.

Për këtë, ai propozon ndalimin e TikTok-ut në Kosovë ose institucionet relevante të bëjnë kërkesë nga TikTok-u për hapjen e një zyre përfaqësuese në Kosovë, e cila do të mundësonte monitorim më të mirë të përmbajtjes.

Ndikimi i rrjeteve sociale në Kosovë, sipas psikologes Florentina Dushi, shihet si shqetësuese edhe për shëndetin mendor të të rinjve.

“Kur rrjetet sociale përdoren për qëllime jo edukative, normalisht që konsiderohet që ka një efekt jo të mirë në aspektin e koncentrimit të fëmijëve, sepse në rrjete sociale jepen shumë informacione ku shembull brenda disa sekondave marrin senzacione, ngjaje apo storie të ndryshme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme kur ne flasim për mediume sociale në përgjithësi nëse ato nuk përdoren për një qëllim të mirë, edukative apo marrje të informacioneve të mirëfillta, normalisht që kanë një ndikim jo të mirë në zhvillimin mendor”, ka thënë Dushi.

Së fundi edhe Shqipëria synon ndalimin e TikTok-ut dhe Snapchat-it, pas vrasjes së një të mituri, ku sipas hetuesisë zënkat mes dy të miturve kishin nisur pikërisht nga TikTok-u.