Tech

TikTok-u rikthehet në Apple dhe Google Play Store në SHBA

TikTok

Foto: AP

Rrjeti social TikTok është përsëri në dispozicion në dyqanet e aplikacioneve të Apple dhe Google Play në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të shtyrë ndalimin e platformës me pronësi kineze deri më datë 5 prill.

Aplikacioni i popullarizuar, ka mbi 170 milionë përdorues në SHBA. Presidenti Trump kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të shtyrë afatin e ndalimit të TikTok-ut për 75 ditë, derisa versioni i aplikacionit të blihet nga pronarë amerikanë, raporton BBC.

Vendimi për të ndaluar TikTok-un, u miratua në Kongres me konsensusin e ligjvënësve të dy partive, duke u kthyer në ligj nga ish-presidenti amerikan Joe Biden. Sipas vendimit, kompania kineze ByteDance që kishte në pronësi TikTok-un ishte e detyruar t’i shiste të drejtat e versionit amerikan të aplikacionit te ndonjë palë neutrale, nëse donte që të shmangte ndalesën. 

Administrata Biden kishte argumentuar se TikTok-u po përdorej nga Kina si vegël për spiunazh dhe manipulim politik. 

Kina ka mohuar akuzat në mënyrë të përsëritur. Pekini zyrtar ka refuzuar po ashtu thirrjet për shitjen e TikTok-ut tek operatorët amerikanë.

Kur aplikacioni filloi të funksiononte përsëri në SHBA muajin e kaluar, një mesazh iu dërgua miliona përdoruesve të tij që falënderonin presidentin Trump. 

Shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Chew u takua me Trumpin në Mar-a-Lago pas fitores së tij elektorale në nëntor dhe më vonë mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan.

Trump ka thënë se dëshiron të gjejë një kompromis me kompaninë kineze që përputhet me frymën dhe jo me shkronjën e ligjit, madje duke paraqitur një ide që TikTok të ketë pronësi të përbashkët.