Pronari i faqes “Ticketmaster”, kompania “Live Nation” konfirmoi se ka pasur "aktivitet të paautorizuar" në bazën e të dhënave të tij pasi një grup hakerash thanë se kishin vjedhur të dhënat personale të 560 milionë klientëve.
“ShinyHunters”, grupi që mori përgjegjësinë, ka thënë se të dhënat e vjedhura përfshijnë emra, adresa, numra telefoni dhe detaje të pjesshme të kartelës së bankës nga përdoruesit e “Ticketmaster” në mbarë botën, raportoi BBC.
Grupi i hakerëve thuhet se po kërkon një pagesë prej 500,000 dollarësh për të parandaluar shitjen e të dhënave te palët e tjera.
Numri i klientëve të prekur nga vjedhja e të dhënave nuk është konfirmuar nga “Live Nation”.
FBI-ja ka ofruar të ndihmojë kompaninë për zgjidhjen e problemit.
Faqja amerikane “Ticketmaster” është një prej platformave më të mëdha të shitjes së biletave online në botë. Është po ashtu një prej rasteve të hakimit më të madh në histori marrë parasysh viktimat në botë, por ende nuk është e qartë sa të ndjeshme janë të dhënat në duart e kriminelëve kibernetikë.