Tech

SHBA-ja dhe Britania nuk nënshkruajnë marrëveshjen ndërkombëtare për AI-në

J.D Vance

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D Vance në samitin e Parisit për Inteligjencën Artificiale (AI)

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar nuk kanë nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare për inteligjencën artificiale (AI) në një samit global që po mbahet në Paris.

Deklarata, e nënshkruar nga Franca, Kina dhe India mes vendeve të tjera, premton një qasje "të hapur", "përfshirëse" dhe "etike" ndaj zhvillimit të teknologjisë, raporton BBC.

Qeveria britanike ka thënë se Mbretëria e Bashkuar "nuk ka arritur të binte dakord për të gjitha pjesët e deklaratës së liderëve" dhe se "do të nënshkruante vetëm për iniciativat që janë në interesat kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar".

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance u ka thënë delegatëve në Paris se regullimet e tepërta të inteligjencës artificiale (AI) mund të vrasin industrinë transformuese.

Vance u ka thënë udhëheqësve botërorë se AI është një mundësi të cilën administrata Trump nuk do ta shpërdorojë, teksa ka shtuar se politikat pro-rritjes së AI duhet të kenë përparësi mbi sigurinë.

Komentet e tij e kanë paraqitur atë në kundërshtim me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili mbrojti nevojën për rregullim të mëtejshëm.

“Ne kemi nevojë për këto rregulla që AI të ecë përpara”, ka thënë Macron në samit.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë më parë kampione e idesë së sigurisë së AI, teksa kryeministri i atëhershëm Rishi Sunak ka mbajtur samitin e parë në botë të Sigurisë së AI në nëntor të vitit 2023.

Andrew Dudfield, kreu i AI në organizatën e kontrollit të fakteve “Full Fact”, ka thënë se vendimi i qeverisë për të mos nënshkruar komunikatën e Parisit e vendosi atë në rrezik.

"Duke refuzuar të nënshkruajë deklaratën e sotme ndërkombëtare të veprimit të AI, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar rrezikon të zvogëlojë besueshmërinë e saj të fituar me vështirësi si një lider botëror për inovacion të sigurt, etik dhe të besueshëm të AI-së", ka thënë ai.