Çmimi i kriptovalutës së presidentit amerikan Donald Trump është rritur, pasi ai premtoi se do të organizojë dy ngjarje speciale për investuesit kryesorë, raporton “BBC”.
Faqja e internetit për kriptovalutën “$Trump” thotë se 220 personat që kanë sasinë më të madhe të kësaj kriptovalute do të ftohen në një darkë gala private me presidentin Trump më 22 maj, duke e përshkruar atë si "ftesën më ekskluzive në botë”.
Sipas platformës online për tregti të kriptovalutave, Coinbase, çmimi i “$Trump” u rrit më shumë se 70 për qind pas njoftimit. Aktualisht është 12.36 dollarë. Por, mbetet dukshëm më poshtë se shifra rekorde prej 74 dollarëve që ishte në fillim të janarit.
Kjo monedhë digjitale është një nga disa lëvizje të lidhura me kripto që kanë lansuar bizneset e Trumpit. Trump e ka quajtur veten “president i kriptove”.
Pos galës, që do të mbahet në Klubin e Golfit të Trumpit në Washington, do të ketë edhe një pritje “private VIP ultra-ekskluzive me presidentin” për 25 pronarët më të mëdhenj të kësaj kriptovalute, thuhet në faqe të internetit.