Nga ndryshimi rrënjësor në kujdesin shëndetësor dhe kontrollin ajror te inspirimi i arteve dhe kuzhinës, Inteligjenca Artificiale ka qenë prijëse e inovacioneve më 2024. Dhe ndikimi i saj rritet në shkallë të gjerë
Robotët e Inteligjencës Artificiale kanë qenë tema kryesore e vitit 2024, me zgjidhje të reja e kreative për shumëçka.
Një dyqan i akulloreve në Milano nisi ta përdorte bashkëbiseduesin e mençur “Chat GPT” për t’u inspiruar për kombinime shijesh, duke i përzier idetë e Inteligjencës Artificiale (AI – “Artificial Intelligence”) me shijet tradicionale.
“Në janarin e shkuar, Massimo Grosso, personi që i krijon akulloret tek ne, më tha: ‘Pse nuk e provojmë përdorimin e teknologjisë për të krijuar shije të re?’”, ka treguar pronari i dyqanit, Gianfranco Sampo.
Shijet e inspiruara nga AI-ja, si çokollata e bardhë me piper të zi të karamelizuar, kanë nxitur kuriozitet, por ekspertiza njerëzore mbetet e domosdoshme për të përsosur recetat.
Në një kthesë, një kompani që njihet për marketingun e fuqishëm, teknologjia e Inteligjencës Artificiale po vjen tek iPhonet, iPadët dhe kompjuterët Mac nëpërmjet asaj që do të quhet “Inteligjenca Apple”.
Edhe pse u mundua ta vërë vulën e vet në sferën e nxehtë të teknologjisë, Apple ka pranuar se i duhet punë për të arritur nivelin e Microsoftit dhe Googleit që kanë dalë të jenë liderë fillestarë në këtë fushë.
Apple po mbështetet në “ChatGPT”, të krijuar nga kompania “OpenAI”, për të ndihmuar asistentin e vet virtual “Siri” që të jetë edhe më i mençur e edhe më ndihmues.
Përtej dhënies së “Sirit” aftësitë e “ChatGPT-së”, Apple po përpiqet t’ia japë asistentit të vet 13-vjeçar edhe një dizajn ndryshe për ta bërë sa më fleksibil dhe të personalizuar, edhe pse i merr rreth 1.5 miliardë kërkesa në ditë.
Lansimi i “Apple Intelligjence” ende nuk është funksionalizuar tërësisht në pajisjet e Appleit, për shkak të disa shtyrjeve.
Në samitin “AI for Good” që u mbajt në Gjenevë nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Telekomunikim, teknologjia më e re AI u proklamua nga universitetet dhe nga zhvilluesit gjithandej botës.
Një nga ekspozitat në këtë samit ishte një lojë e futbollit midis robotëve të krijuar nga studentët e Universitetit ETH të Zuerichut. Studentët përdorin disa rrjeta dhe makineritë janë përsosur në atë mënyrë që të kuptojnë ambientin ku janë – i njohin robotët e tjerë dhe topin e lojës. Studentët u desh që t’ua mësonin lëvizjet vetë robotëve.
Charlotte Fairbank ka nisur ta përdorë eksoskeletonin “Wandercraft Personal”. Kjo është pajisje që ndryshe njihet edhe si “skeleti i jashtëm”. Teknologjia paraqet një strukturë mbështetëse të jashtme që përdoret kryesisht për t’iu ndihmuar njerëzve me aftësi të dobëta në lëvizje, por edhe në industri të ndryshme. Prototipi i “Wandercraft Personal” u lansua sivjet. Kompania e ka quajtur pajisjen si ekoskeletonin e parë të botës të dizajnuar për përdorim të përditshëm.
“Kam përdorur karrocë për 16 vjet dhe përfitimet shëndetësore që më erdhën, duke ma mundësuar qëndrimin në këmbë dhe qarkullimin e gjakut, dhe zgjatja e gjymtyrëve... nuk mund ta përshkruaj. Është thjesht e mahnitshme”, ka thënë ajo.
Në gusht, Google shpalosi gjeneratën më të re të telefonave Pixel, duke ua mundësuar telefonave me sistemin operativ Android “fitoren” fillestare në garën me Applein për shërbimet e Inteligjencës Artificiale.
Prezantimi i mbajtur në Kaliforni zuri vend dy muaj para datës tradicionale të lansimit të telefonave, që debutuan tetë vjet më parë.
Edhe pse telefonat Pixel zënë vetëm një pjesë tejet të vogël të tregut, ata po përcillen me vëmendje nga kritikët, sepse shërbejnë si platformë e Googleit për të demonstruar zhvillimet më të fundit në Android.
Dhe Google nuk la fort dyshime që telefonat Pixel 9 do të jenë pionierë të mënyrës se si teknologjia AI do të riformësojë mënyrën se si njerëzit do të jetojnë e punojnë, siç kanë bërë telefonat e mençur në përgjithësi gjatë 15 vjetëve të fundit.
Google e pajisi linjën Pixel 9 me një çip special që ua mundëson shërbimeve të fuqizuara me AI të mirëmbahen në pajisje brenda dhe jo në qendrat e të dhënave, me qëllimin që të jenë sa më personale dhe të sigurta.
Telefonat Pixel 9 do të kenë edhe veçorinë “Magic Editor”, teknologji e AI-së që mundëson transformimin e fotografive në mënyrë të shpejtë, si për shembull duke shtuar aty dikë që s’ka qenë, ose duke ndryshuar prapavijën.
AI-ja ishte trendi kyç edhe në panairin e famshëm të teknologjisë CES në Las Vegas.
Teknologjia arriti deri në ofrimin e masazheve.
Kompania franceze “Capsix Robotics” shfaqi një shtrat tërësisht të robotizuar, i cili përdor AI-në për të skanuar trupin dhe ia rekomandon kujdesin më të mirë të mundshëm.
AI-ja ka depërtuar thellë edhe në botën e artit. DOUG është një makinë e krijuar nga Sougwen Chung. Artistja e krijoi dhe e programoi një sistem nga Inteligjenca Artificiale dhe bashkë me robotin DOUG po pikturojnë bashkë.
Pajisja me kalimin e kohës mësoi të imitojë lëvizjet e brushave të Chungut. Ky është shembulli se si njerëzit dhe makineritë mund të bashkëpunojnë.
Asgjë s’do të mund të ishte e arritshme pa shpërthimin e AI-së, dhe Chung falë kësaj është përfshirë në mesin e njerëzve më me ndikim nga revista prestigjioze “Time”.
Po ashtu në CES, kompania franceze “Baracoda” e prezantoi atë që e quan pasqyrën e parë të mençur në botë për mirëqenie mendore.
Pasqyra “BMind” ofron rekomandime të personalizuara të gjeneruara nga AI-ja dhe nga përvoja bazuar në gjendjen mendore të përdoruesit.
Ajo ofron rekomandime të personalizuara bazuar në gjendjen aktuale të përdoruesit. E përdoruesi ndërvepron me gjeste, por edhe me komanda zëri.
Pajisja ia ofron përdoruesit opsionet për të ndryshuar ndriçimin apo edhe ushtrime të ndryshme mendore.
“Pasqyra e mençur që e kemi shpikur supozohet të jetë në banjat e njerëzve ku ne kujdesemi për veten çdo ditë. Por kurrë s’e kemi kuptuar se sa i rëndësishëm mund të jetë ai moment. Prandaj e kemi nxjerrë këtë produkt, që t’i kushtoni vetes kujdes më të madh”, ka thënë Huong le Dieu, një prej udhëheqësve në kompani.
Hulumtuesit në Universitetin e Cambridget përdorën Inteligjencën Artificiale për të zhvilluar mundësinë e parashikimeve në fazë krejt të hershme nëse demenca do të zhvillohet dhe pacienti do të vuajë nga Alzheimeri.
Demenca paraqet sfidë të madhe globale. Universiteti i Cambridgeit parashikon se rreth 55 milionë njerëz preken nga kjo gjendje shëndetësore dhe kujdesi për ta kushton rreth 820 milionë dollarë në vit. Numri i njerëzve që do të preken me këtë sëmundje parashihet të trefishohet në 50 vjetët e ardhshëm.
Detektimi i hershëm konsiderohet krucial. Hulumtuesit kanë thënë se trajtimi i hershëm mund të jetë ndihma më e madhe në luftimin e Alzheimerit.
Pas analizimit të të dhënave nga pacientë në SHBA e Azi, teknologjia doli të jetë trefish më e saktë në parashikimin e Alzheimerit në krahasim me standardin aktual.
Liz Yuanxi Lee, hulumtuese në këtë universitet, ka thënë se falë AI-së “modeli mund të ndihmojë pacientët që të jenë më mirë pas një periudhe”.
AI-ja po përdoret, po ashtu, edhe në kontrollim të trafikut ajror. Kjo po bëhet në një prej aeroporteve më të ngarkuara të botës, Heathrow në Londër.
NATS, kompania që operon me kontrollin e trafikut ajror, po piloton me një sistem të Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar në punë.
Teknologjia ka për qëllim efikasitetin më të madh dhe sigurinë në kohën kur ka më së shumti ngarkesë të fluturimeve dhe është e dizajnuar të punojë krahas kontrolluesve njerëzorë, duke iu ndihmuar në marrjen e vendimeve për lëvizjet e aeroplanëve në tokë dhe në ajër.
Sistemi që ka për bazë Inteligjencën Artificiale përdor një rrjet të kamerave 4K dhe teknologjinë e radarëve për të ofruar një pikëvështrim digjital të operacioneve të aeroportit, duke ua mundësuar kontrolluesve të shohin më mirë situatën edhe kur ndonjë aeroplan nuk duket.
Këto kamera, të instaluara në kullën e kontrollit dhe nëpër pistë, punojnë krahas të dhënave të mbledhura nga radarët për të krijuar pozicionet e duhura, duke ofruar më shumë saktësi dhe siguri.
Sistemi mbledh gjithçka, nga të dhënat kryesore; si numri i fluturimit, lloji i aeroplanit dhe nëse është në ardhje apo largim.
Përderisa zhvillimet në AI më 2024 riformësuan botën, viti 2025 premton të jetë edhe më i mahnitshëm, duke shtyrë teknologjinë drejt kufijve dhe që të rrisë ndikimin në jetën e përditshme të njeriut.