Tech

Revokohet vendimi për ekstradimin e “mbretit të kriptovalutave” nga Mali i Zi

Do Kwon

Gjykata Supreme e Malit të Zi ka revokuar vendimin për ekstradimin në Korenë e Jugut të Do Kwonit, i dyshuar për mashtrim me kriptovaluta dhe e ka kthyer çështjen në Gjykatën e Lartë të Podgoricës për vendim të ri, raporton RTCG.

Revokimi i vendimit për ekstradim ishte kërkesë e Prokurorisë Supreme të Shtetit (VDT), e cila ka kthyer mbrapsht vendimet e Gjykatës së Lartë të Podgoricës dhe Gjykatës së Apelit të Malit të Zi.

Më 20 mars, Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e Gjykatës së Lartë për ekstradimin e të pandehurit Do Kwon në Korenë e Jugut. Ai është shtetas jugkorean. Kwon, megjithatë, kërkohet edhe nga autoritetet amerikane.

Do Kwon u arrestua në Mal të Zi në mars të vitit të kaluar dhe akuzohet për mashtrim në tregun e kriptove prej më shumë se 40 miliardë dollarësh. Pas disa muajsh qëndrimi në burgun e Spujës, Do Kwon së fundmi u lirua, por u vendos në ambientet e Qendrës së Pritjes së të Huajve.