Shfrytëzimi i platformës së internetit për pagesa elektronike PayPal mbetet sfidë për Kosovën. Guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili ka dhënë disa detaje sa i përket mosanëtarësimit të vendit në këtë platformë.
Përveç kësaj Ismaili ka folur për trendet ekonomike, si dhe për fitimin e bankave komerciale për vitin 2024. Veç këtyre, guvernatori Ismaili flet edhe për integrimin e sistemit bankar në veri.
Një tjetër hap i rëndësishëm për Kosovën, ai thotë se është integrimi i vendit në zonën e pagesave të BE-së (SEPA). Derisa shpreson se Kosova do të arrijë të bëhet anëtare e plotë e SEPA-së në vitin 2025, për çka do të mundësojë kursime prej rreth 55 milionë eurosh në vit për qytetarët dhe bizneset.
Në një intervistë për KosovaPress, Ismaili nënvizon se as në platformën ApplePay nuk ka një progres.
“Megjithëse ka pasur një pjesë të zhvillimeve pozitive sa i përket GooglePay. Pra janë tashmë dy banka në Kosovë të cilat kanë arritur që të hynë në platformën e GooglePay. Ende nuk ka një progres në ApplePay dhe në PayPal, shkaktar për këtë është mungesa e një kodi shtetëror në databazën e Kombeve të Bashkuara, kjo është duke paraqitur problem. Këto improvizime që po kryhen janë manuale që megjithatë kanë ndihmuar pak, por ende mbetet kjo çështje për t’u adresuar më tutje. Nëse shikojmë në aspektin e perespektives kemi pritje që do të realizohet, kurse nëse e shikojmë nga aspekti i sotëm, progresi është shumë i limituar në këtë fushë aktualisht”, ka deklaruar Ismaili.