Tech

Përsërit Altman: OpenAI s’është në shitje

Sam Altman

Shefi ekzekutiv i kompanisë OpenAI, Sam Altman, ka përsëritur njoftimin se kompania e tij nuk është në shitje. Ai iu është kundërpërgjigjur miliarderit Elon Musk që ditë më parë tha se ka interesim për ta blerë kompaninë për inteligjencë artificiale.

Altman është shprehur se në shitje nuk është as misioni i kompanisë.

“Kompania nuk është në shitje, e as misioni i saj”, ka thënë ai në një intervistë për Sky.

Altman, që po merr pjesë në Samitin për inteligjencë artificiale në Paris me liderë botërorë është pyetur nëse OpenAI po mund të përballojë ofertën e Musk.

“Bordi do të vendosë se çka do të bëhet...misioni është me të vërtetë i rëndësishëm dhe ne jemi plotësisht të fokusuar në sigurimin që ta ruajmë atë”, është shprehur Altman.

Mira Murati - OpenAI
Inxhinierja shqiptare Mira Murati në prezantimin e modelit GPT-4o

OpenAI, kompani që ka krijuar robotin virtual inteligjent, ChatGPT, po planifikon të kalojë në një kompani fitimprurëse, të cilën Musk e ka kundërshtuar ashpër. Ai pati insistuar në veprime ligjore.

“Është koha që OpenAI t’i kthehet forcës me burim të hapur, të fokusuar në siguri, siç ishte dikur”, ka thënë Musj, duke shtuar se “ne do të sigurohemi që kjo të ndodhë”.

Musk ka qenë bashkëthemelues i OpenAI.

Për OpenAI ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe inxhinierja shqiptare, Mira Murati. Ajo ishte tërhequr nga kompania me qëllim që të fillojë diçka vetë.