Tech

Operacioni masiv ndërkombëtar kundër krimit kibernetik vë në pranga 4 të dyshuar

Aksioni kundër krimit kibernetik

Aksioni kundër krimit kibernetik

Foto: Associated Press

Policia e koordinuar me agjencinë e drejtësisë të Bashkimit Evropian ka eliminuar rrjetet kompjuterike përgjegjëse për përhapjen e ransomware përmes emaileve të infektuara, në atë që ata e quajtën operacionin më të madh ndërkombëtar ndonjëherë kundër formës fitimprurëse të krimit kibernetik.

Agjencia e bashkëpunimit gjyqësor të Bashkimit Evropian, Eurojust, ka bërë të ditur të enjten se policia arrestoi katër të dyshuar "të nivelit të lartë", hoqi më shumë se 100 serverë dhe sekuestroi kontrollin e mbi 2,000 domeneve të internetit, raporton AP.

Aksioni i madh këtë javë përfshinte bastisje të koordinuara në Gjermani, Holandë, Francë, Danimarkë, Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, sipas Eurojust.

Operacioni pasoi një heqje masive në vitin 2021 të një “botneti” të quajtur Emotet, tha Eurojust. Një botnet është një rrjet kompjuterësh të infektuar me virus, që përdoren zakonisht për aktivitete me qëllim të keq.

Policia holandeze ka thënë në një deklaratë se dëmi financiar i shkaktuar nga rrjeti ndaj qeverive, kompanive dhe përdoruesve individualë vlerësohet të shkojë në qindra miliona euro.

“Miliona njerëz janë gjithashtu viktima sepse sistemet e tyre ishin të infektuara, duke i bërë ata pjesë të këtyre botnet-eve”, thuhet në deklaratën e policisë holandeze.

Eurojust ka thënë se një nga të dyshuarit kryesorë fitoi kriptovaluta me vlerë të paktën 69 milionë euro, duke dhënë me qira infrastrukturën kriminale për përhapjen e ransomware.