Tech

“Nuk i kanë paratë”, Musku del kundër planit të Trumpit për inteligjencën artificiale

Donald Trump  - Elon Musk

Donald Trump dhe Elon Musk

Elon Musk është përballur me shefin ekzekutiv të OpenAI, Sam Altman, për projektin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale, Stargate, të premtuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, raporton agjencia “AP”.

Është përballja e radhës në mes të dy miliarderëve të teknologjisë, e cila kishte filluar në bordin e OpenAi. Tash po testohet ndikimi i Elon Muskut mbi presidentin e ri të SHBA-së. 

Të martë Trumpi ka folur për një nismë të përbashkët për të investuar 500 miliardë dollarë në mes OpenAI, krijuesi i ChatGPT, Oracle dhe SoftBank, për inteligjencën artificiale. 

Entiteti i ri, Stargate, tashmë ka filluar të ndërtojë qendër të të dhënave dhe gjenerimin e elektricitetit të nevojshëm për nevoja të zhvillimit të teknologjisë së inteligjencës artificiale. 

Trump ka deklaruar se kjo “është deklaratë është jehonë e potencialit amerikan”, me një investim fillestar privat prej 100 miliardë dollarë i cili mund të rritet pesëfishë.

Por Musk, këshilltar i afërt i Trumpit i cili kishte investuar në fushatën e tij dhe tani udhëheqë një nismë të qeverisë për t’i zvogëluar shpenzimet, ka dyshime në vlerën e investimit të premtuar. 

“Ata faktikisht nuk i kanë paratë”, ka shkruar Musk në median e tij sociale X. “SoftBank ka më pak se 10 miliardë dollarë të siguruara, e kam nga burime të sigurta”. 

Altman ju është përgjigjur të mërkurën duke thënë se Musk “e ka gabim sigurt” dhe e ka ftuar Muskun ta vizitojë qendrën e parë në Teksas.