Tech

Ndalimi i TikTok-ut në SHBA, Gjykata Supreme do të përcaktojë nëse është shkelur Kushtetuta

TikTok

Gjykata Supreme e SHBA-së është pajtuar të mërkurën që të përcaktojë nëse ndalimi i aplikacionit të mediave sociale TikTok shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës, duke shtuar një çështje të madhe në dosjen e saj këtë mandat, pak përpara se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, të marrë detyrën.

Gjykata ka pranuar ta përshpejtojë çështjen dhe të dëgjojë argumentet më 10 janar, raporton CNN.

Apeli i TikTok-ut në Gjykatën Supreme i bën gjyqtarët pjesë të “një lufte” që po zhvillohet midis Kongresit, i cili ka përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare mbi kontrollin e aplikacionit nga Kina, dhe përdoruesve dhe drejtuesve të platformës, të cilët argumentojnë se ndalimi i saj shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës.

Kongresi e miratoi ndalimin me mbështetjen dypartiake në fillim të këtij viti teksa presidenti, Joe Biden e nënshkroi atë në ligj në prill. 

Vendimi ka ardhur si përgjigje ndaj shqetësimeve prej vitesh në Washington se kompania mëmë kineze e TikTok përbën një rrezik për sigurinë kombëtare.

Në fillim të këtij muaji, një gjykatë federale e apelit në Washington, DC, mbështeti njëzëri ndalimin, në një vendim që thoshte se qeveria kishte një interes të sigurisë kombëtare në rregullimin e platformës në Shtetet e Bashkuara.