Tech

Musku thotë se s’është i interesuar ta blejë TikTok-un

Elon Musk

Foto: Associated Press

Miliarderi amerikan, Elon Musk, ka deklaruar se nuk është i interesuar që ta blejë TikTok-un, aplikacionin popullor kinez për video të shkurtra, të cilin Shtetet e Bashkuara janë përpjekur ta ndalojnë për shkak të shqetësimit për sigurinë kombëtare.

Komentet e Muskut, të bëra në fund të janarit, janë publikuar në internet të shtunën nga “The WELT Group”, një pjesë e kompanisë gjermane të medias Axel Springer SE, e cila priti një samit, ku shefi i Teslas u bashkua përmes një videolidhjeje, raporton Reuters.

"Unë nuk kam bërë një ofertë për TikTok”, ka thënë Musk një javë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ishte i hapur që Musku të blinte aplikacionin në pronësi të “ByteDance” nëse ai shprehte gatishmëri.

“Nuk kam asnjë plan se çfarë do të bëja nëse do të kisha TikTok”, ka thënë Musk, duke shtuar se ai nuk e përdor personalisht aplikacionin e videove të shkurtra dhe se nuk është i njohur me formatin e aplikacionit.

"Unë nuk jam duke u përpjekur të blej TikTok, nuk blej kompani në përgjithësi, është mjaft e rrallë”, ka deklaruar Musk, duke shtuar se blerja e tij miliarda dollarësh e platformës së mediave sociale Twitter, tani e quajtur X, ishte e pazakontë.

"Unë zakonisht ndërtoj kompani nga e para”, është shprehur Musk.

Presidenti republikan ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për shtyrjen e zbatimit të një ndalimi për aplikacionin popullor të videove të shkurtra që ishte planifikuar të mbyllej më 19 janar.