Tech

Musk thotë se do ta ndalojë përdorimin e pajisjeve të Appleit

Elon Musk

Elon Musk është zotuar se do të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompaninë e tij, pasi prodhuesi i iPhoneit njoftoi se ka arritur një marrëveshje partneriteti me kompaninë për inteligjencë artificiale, OpenAI. Këtë vendim të dy kompanive Musk e ka konsideruar krejtësisht absurd, duke u shprehur se Apple s'e ka idenë se çka po ndodh në të vërtetë.

“Nëse Apple e integron OpenAi në sistemin iOS, atëherë pajisjet e Apple do të ndalohen në kompanitë e mia. Kjo është shkelje e papranueshme e sigurisë. Është krejtësisht absurde që Apple s’është mjaftueshëm e zgjuar për të krijuar AI-n e vet, por është disi e aftë të garantojë që OpenAI do të mbrojë sigurinë dhe privatësinë tuaj. Apple s’e ka asnjë të dhënë se çka po ndodh në të vërtetë pasi t’i dorëzojë të dhënat tuaja OpenAI”, ka deklaruar Musk në rrjetin e tij social, X.

Apple njoftoi se do ta forcojë ndihmësin e saj zanor “Siri” dhe sistemet operative të iPhonëve dhe Mac-ëve me “ChatGPT”, ndërsa po kërkon të marrë hapin në garën e Inteligjencës Artificiale (AI).

Prodhuesi i iPhonet ka njoftuar për ndryshimet në asistentin zanor “Siri” së bashku edhe me një numër karakteristikash të reja. Ato i njoftoi në shfaqjen vjetore të zhvilluesve të hënën.

Musk ka rivalitet të madh me kompaninë ku shqiptarja Mira Murati është drejtoreshë e teknologjisë. Ai pati paralajmëruar se ekspertët e tij janë duke u marrë me krijimin e një platforme të inteligjencës artificiale, por pa dhënë detaje se çka përfshin ajo.

OpenAI ka “shpërthyer” me platformën e robotit virtual, ChatGPT, por kjo nuk është platforma e vetme ku kjo kompani e synon tregun botëror.

Javë më parë, kompani që drejtohet nga Sam Altman e ka lansuar modelin GPT-4o, që është pjesë e ChatGPT-së, por një version më të kompletuar. Ky model ofron inteligjencë inteligjence të një modeli më të lartë.

Ai, sipas kompanisë, i përmirëson aftësitë në tekst, zë dhe fotografi.