Një grup investitorësh të udhëhequr nga Elon Musk ka bërë një ofertë prej 97.4 miliardë dollarëve për ta blerë organizatën jofitimprurëse që e kontrollon OpenAI, raporton “The New York Times”.
Dy persona të njohur me këtë tentim për blerje, kanë njoftuar për ofertën, ndërsa kjo ka përshkallëzuar një mospajtim shumëvjeçar mes Muskut dhe shefit ekzekutiv të OpenAI, Sam Altman.
Në konsorciumin përfshihen Vy Capital dhe Xai – kompania AI e Elon Musk – dhe investitorë tjerë.
Shefi ekzekutiv i OpenAI, Altman, ka reaguar në platformën “X”.
“Jo faleminderit. Por, ne do ta blejmë ‘Twitterin’ për 9.74 miliardë dollarë nëse doni ta shisni”, ka shkruar Altman.
OpenAI është platformë e krijuar me inteligjencë artificiale, që ofron përgjigje në kërkesat e përdoruesve. Ajo është kompania më e sofistikuar në këtë drejtim.