Miliarderi Elon Musk ka bërë lëvizje të papritur duke tërhequr padinë kundër OpenAI dhe shefit të saj Sam Altman. Musk akuzoi kompaninë se braktisi misionin fillestar për zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI) që të përfitojë njerëzimi.
Deklarata e avokatëve të Muskut në një gjykatë në Kaliforni kërkon që çështja të pushohet pa dhënë ndonjë arsye. Lëvizja e shefit të Teslas vjen një ditë para se gjykata të dëgjonte ofertën e kompanisë “ChatGPT” për ta pushuar çështjen.
Musku ngriti padi kundër OpenAI në fund të shkurtit të këtij viti, duke argumentuar se kompania që e kishte ndihmuar ta themelonte në vitin 2015 kishte devijuar nga qëllimet altruiste për t'u fokusuar në fitimin e parave.
OpenAI kundërshtoi se Musku kishte mbështetur më parë idenë e një strukture fitimprurëse dhe madje sugjeroi bashkim me kompaninë e tij, Tesla.
Mosmarrëveshja u intensifikua në fillim të kësaj jave pasi Apple zbuloi partneritetin me OpenAI për të përmirësuar asistentin e saj, Siri, dhe sistemet operative me chatbotin ChatGPT të OpenAI.
Pas njoftimit, Musk postoi disa mesazhe në platformën e tij të mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, duke kritikuar bashkëpunimin.