Shefja e Departamentit të Teknologjisë në OpenAI, Mira Murati, ka thënë se kompania po punon që t'iu ndihmojë përdoruesve ta kuptojnë se kur një përmbajtje është gjeneruar me inteligjencë artificiale. Ajo ka thënë se qëllimi kryesor është bashkëpunimi me përdoruesit.
“Ju mund ta kuptoni se kur është një imazh i krijuar me inteligjencë. Dhe gjithashtu jemi duke hulumtuar dhe punuar për të vulosur tekstin, në mënyrë që të kemi teknologji që merret me lajmet e rreme dhe të evidentojë përmbajtjen, origjinën e kështu me radhë. Por, e përsëris që këto janë çështje sociale dhe teknologjike. Duhet të merremi me çështje të keqpërdorimit dhe të keqinformimit”, ka thënë Murati.
Në një intervistë në “Fastcompany”, Murati ka thënë se OpenAI do t’ua bëjë me dije përdoruesve kur përmbajtjet janë krijuar me AI, në mënyrë që t’iu shmangen informatave të rreme.
E pyetur për çështjen e reklamave brenda platformave të OpenAI, shqiptarja Murati ka theksuar se kompania nuk është duke e menduar këtë plan.
“Nuk kemi ndonjë plan për ta bërë këtë tani. Mendimi im personal është që ne duhet t’i japim përparësi produktit që të jetë i dobishëm dhe në përputhje me sjelljen e përdoruesit...Tani për tani, reklamat nuk janë modeli ynë i biznesit. Ne nuk kemi reklama në biznesin tonë, kemi abonime dhe përdorim falas. Ne nuk krijojmë profile përdoruesish e nuk bëjmë rekomandime. Thjesht ky nuk është modeli i punës tonë. Pra, po, për momentin s’ka plan për integrim të reklamave të produktet tona”, ka theksuar Murati.