Disa përdorues të pajisjeve Apple janë ankuar se gjatë përdorimit të sistemit automatik korrigjues të fjalëve kur kanë shkruar fjalën “racist” përkohësisht është shfaqur fjala “Trump” para se të rregullohej vetë.
Mesazhi në fjalë, i cili është testuar disa herë nga New York Times, është bërë viral në një video në TikTok, duke ngritur pikëpyetje për kapacitetet e inteligjencës artificiale të Appleit.
Një zëdhënëse e gjigantit teknologjik e ka fajësuar ngjashmërinë fonetike ndërmjet dy fjalëve, dhe ka thënë se kompania është duke ndërmarrë masa për të rregulluar problemin.

Problemi ka filluar të shfaqet pas përditësimit të serverëve të Appleit, ka thënë John Burkey, pronar i “Wonderrush.ai” dhe ish-anëtar i ekipit të Appleit, i cili vazhdon të mbajë kontakte të rregullta me ekipin.
Por ai tha se ka pak gjasa që të dhënat e mbledhura nga Apple për inteligjencën artificiale ta kenë shkaktuar problemin, dhe korrigjimi i fjalëve në vetvete ishte indikator që problemi nuk ishte vetëm teknik. Përkundrazi, ai ka thënë se ka mundësi që kodet e softuerëve brenda sistemit janë ato që kanë shkaktuar që të shfaqet fjala “Trump” kur dikush e shkruan fjalën “racist”.
“Kësaj po i vije era si një shaka e madhe. Pyetja e vetme është: A e ka vendosur dikush këtë në të dhëna apo e ka vendosur në kod?”, ka thënë Burkey.
Problemi me sistemin korrigjues është pengesa më e fundit në Apple që nga prezantimi i një sistemi të ri të inteligjencës artificiale vitin e kaluar, të quajtur Apple Intelligence.