Platforma Meta ka njoftuar të enjten se e ka rregulluar gabimin i cili u rekomandonte përdoruesve të rrjetit social Instagram video me përmbajtje dhune.
Nuk dihej menjëherë se te sa njerëz janë ndikuar nga ky gabim.
Komentet e Metas erdhën pasi një vale ankesash në median sociale rreth përmbajtjes së dhunshme dhe “jo të sigurt” në videot e rekomanduara. Këto materiale u shfaqeshin përdoruesve edhe pse e kishin të aktivizuar opsionin për “kontrollin e përmbajtjes së ndjeshme”, që filtron materialet e këtij lloji.
“Kemi rregulluar një gabim që ka bërë që disa përdorues të shohin përmbajtje në videot rekomanduara në Instagram që nuk duhet të ishin rekomanduar. Ne kërkojmë falje për gabimin”, ka deklaruar një zëdhënës i Metas, raporton “The Guardian”.
Kompania nuk është deklaruar rreth arsyes së gabimit.
Muajin e shkuar kompania Meta vendosi ta largojë programin e kontrollimit të fakteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rrjetet sociale Facebook, Instagram dhe Threads, tri nga platformat më të mëdha sociale në botë me më shumë se tre miliardë përdorues në të gjithë botën.
Videot e dhunshme janë të ndaluara në politikën e Metas dhe kompania shpesh largon përmbajtje të tilla për të mbrojtur përdoruesit, duke përjashtuar rastet kur videot mund të rrisin ndërgjegjësimin në çështjet që përfshijnë abuzimin e të drejtave të njeriut dhe konfliktet.
Viteve të fundit kompania është bazuar shumë në mjetet automative të përshtatjes, taktikë që pritet të përshpejtojë largimin nga programi i kontrollimit të fakteve në SHBA.
Meta është përballur me kritika rreth dështimit që efektivisht të balancojë përmbajtjet e rekomanduara dhe sigurinë e përdoruesit, siç është parë në incidentet si përhapja e përmbajtës së dhunshme gjatë gjenocidit në Birmani, apo çrregullimet të të ngrënit tek adoleshentët dhe keqinformimin gjatë pandemisë së Covid-19.